Lidhje

Integrimi i imigrantëve në shoqërinë gjermane

  • Jenniffer Glasse

Integrimi i imigrantëve në shoqërinë gjermane

Integrimi i imigrantëve në shoqërinë gjermane

Kancelarja gjermane, Angela Merkel bëri një koment të guximshëm kohët e fundit kur tha se multi kulturalizmi në Gjermani ka dështuar. Ky pohim shënon një ndryshim në qëndrimin e saj të mëparshëm liberal mbi emigracionin, që e kishte vënë atë në pozitë të ndryshme me degën konservatore të partisë së saj. Me këtë pohim zonja Merket përputhet gjithashtu me Thilo Sarrazin, një ish anëtar i Bankës Qendrore të Gjermanisë, libri i të cilit mbi dështimin e shumë emigrantëve për t’u integruar në shoqërinë gjermane u bë libri më i shitur.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel bëri një deklaratë të sertë rreth emigracionit në Gjermani.

"Qëndrimi rreth multi kulturalizmit, se ne jetojmë këtu së bashku dhe të gëzuar me njeri tjetrin, ky qëndrim ka dështuar plotësisht".

Komentet e saj pasqyrojnë komentet e një ish bankieri, politikanit të opozitës dhe autorit, Thilo Sarrazin.

"Problemet ekonomike dhe kulturore të integrimit për emigrantët nga vendet islamike kanë në përgjithësi një ndikim negativ në nivelet ekonomike dhe shqërore të vendeve evropiane, që i pranojnë ata".

Zoti Sarazzin ngjalli debate të shumta me librin e tij të ri, ku thuhet se emigrantët myslimanë nuk kontribuojnë në shoqëri dhe ishte e qartë se kjo deklaratë përputhej me mendimin e shumë gjermanëve.

"Është një libër shumë i shitur. Që në ditën e parë që doli në shitje, gjermanët vërshuan në librari dhe e rrëmbyen librin".

Dmitri Belinski është kurioz rreth këtij libri.

"Mendoj se disa pjesë të librit janë provokuese. Nuk e besoj autorin, por dua ta lexoj për ta vënë çdo gjë në kontekst".

Në lagjen Kreutzberg të Berlinit banon një pjesë e madhe e emigrantëve të qytetit. Këtu mund të shikosh gratë me perçe, restorante etnike si dhe një treg, ku shiten artikuj për më shumë se dy milionë banorë me origjinë turke, që banojnë në Gjermani.

Për një kohë të gjatë Gjermania është mbështetur tek emigrantët për të shtuar forcën punëtore. Punëtorë nga vende si Turqia, që fillimisht njiheshin si punëtorë mysafirë, kanë qëndruar në vend për shumë vite. Dhe integrimi i tyre në shoqërinë gjermane ka nxitur një debat lidhur me natyrën e identitetit kombëtar.

Ismail Karayuz ka jetuar në Berlin që kur ishte fëmijë. Ai është pronar i një biznesi të vogël, flet gjermanisht, paguan taksat dhe thotë se bën ç’është e mundur për të kontribuar në shoqëri. Megjithatë, ai thotë se ka prejardhje turke dhe nuk ndjehet si gjerman.

"Shoqëria nuk më ka pranuar si gjerman, por unë jam pjesë e kësaj shoqërie, unë banoj këtu".

Zyrtarë gjermanë thonë se një numër i vogël emigrantësh nuk bëjnë përpjekje për t’u integruar, prandaj qeveria duhet të bëjnë diçka në këtë drejtim. Anëtari i parlamentit Michael Fuchs beson se emigrantët që nuk mësojnë gjuhën ose nuk përpiqen ta mësojnë atë duhet të humbasin përfitimet shtetërore.

"Sistemi i sigurimeve shoqërore ka mundësi të ndërpresë këto sigurime nëse, për shembull, prindërit nuk i dërgojnë fëmijët në kopësht ose në shkollë".

Qendra bankare e Gjermanisë, Frankfurti ka më shumë emigrantë se çdo qytet tjetër dhe zyrtarët aty po bëjnë të gjitha përpjekjet që ata të integrohen. Kjo shkollë për të rriturit ofron kurse për gjuhën dhe kulturën gjermane, falas për emigrantët që nuk mund të paguajnë. Drejtori i departamentit të gjuhës, Bernt Eckhardt thotë se këto kurse garantohen me ligj.

"Qeveria kërkon që nëse emigrantët banojnë këtu, ata duhet të mësojnë mjaft gjermanisht për t’u integruar në shoqëri".

Emigrantja pakistaneze, Tasneem Gul shkoi në Gjermani para 6 muajsh. Megjithëse në shtëpi flet gjyuhën e saj amtare, ajo përpiqet të mësojë gjermanisht sa më shpejt.

"Është shumë e rëndësishme që të huajt të mësojnë gjuhën. Nëse nuk mëson gjuhën, nuk mund të mbijetosh në këtë vend".

Kancelarja Merkel diskutoi rreth emigracionit kur u takua kohët e fundit me homologun e saj turk. Megjithë fjalët e saj të ashpra se multi kulturalizmi në Gjermani ka dështuar, ajo u tregua e kujdeshme kur tha se nuk është kundër emigracionit, por thjesht kërkon një integrim më të mirë të emigrantëve në shoqërinë gjermane. Një tregues se gjërat po marrin këtë drejtim është ekipi gjerman i futbollit. Gati gjysma e lojtarëve kanë prejardhje emigrante, madje futbollisti më i mirë i ekipit është me prejardhje turke i lindur në Gjermani.

XS
SM
MD
LG