Lidhje

Intensifikohen kërkimet në brigjet e Italisë


Intensifikohen kërkimet në brigjet e Italisë

Intensifikohen kërkimet në brigjet e Italisë

Një regjistrim i komunikimeve mes Rojes Bregdetare Italiane dhe kapitenit të anijes së dëmtuar, tregon se kapiteni nuk u ishte bindur urdhrave për t’u kthyer në anije. Gazeta Corriere della Sera e botoi sot tekstin e dialogut dramatik. Në regjistrim, kapiteni Schettino i cili në atë kohë ishte në një varkë shpëtimi, thotë në një moment se do të kthehet në bord. Por duket se ai përpiqet ta vonojë kthimin, duke thënë se varka ka ngecur. Kapiteni është ndaluar aktualisht nga forcat e rendit.

Ndërkaq, ekipet e shpëtimit intensifikuan kërkimet për 29 persona që rezultojnë të zhdukur nga përmbysja e anijes që ra në cektinë pranë ishullit italian Giglio (Xhilio). Ndërkohë, po shtohen shqetësimet për një krizë të mundshme mjedisore nga nafta që mund të fillojë të rrjedhë nga anija e përmbysur.

Ekspertët thonë se mund të duhen dy deri në katër javë për të hequr karburantin nga anija e pëmbysur, për të mos lejuar derdhjen e saj pranë ishullit Giglio, pjesë e një rezervati delfinësh, breshkash dhe balenash.

Në anijen Costa Concordia, e cila ra në cektinë të premten, ka me qindra tonelata naftë.
Organizatat e mjedisit thonë se fjala është për një garë me kohën për të mos lejuar rrjedhjen e karburantit. Ata paralajmërojnë se edhe një derdhje e vogël mund të ketë efekte katastrofike.

Gaetano Benedetto, zëdhënës i Fondacionit WWF

"Në qoftë se karburantit fillon të rrjedhë, ne kemi mësuar nga përvoja se edhe pak naftë e rrjedhur është jashtëzakonisht vështirë të kontrollohet”, tha zëdhënësi i Fondacionit World Wildlife për Italinë, Gaetano Benedetto.

Polombarët italianë hapën vrima në trupin e anijes për të hyrë brenda në kërkim të personave që mund të kenë mbijetuar.

Një zyrtar tha se kishte ende një farë shprese se në disa pjesë të anijes ku ende nuk janë bërë kërkime, mund të kenë mbetur njerëz të gjallë.

Të dielën u shpëtua një anëtar i ekuipazhit, i cili u gjet me këmbë të thyer.

Firma Smit nga Rotterdami i Hollandës, që po merret me heqjen e karburantit, tha sot se operacionet e kërkim-shpëtimit ishin përparësia kryesore dhe se, para se të fillojë punën, duhet bërë një vëzhgim i hollësishëm i anijes 290 metra të gjatë.

Megjithatë, zyrtarët thonë se dy operacionet mund të bëhen njëkohësisht dhe operacioni për heqjen e naftës mund të fillojë që nesër në qoftë se miratohet nga zyrtarët italianë.

Deri tani nuk ka patur njoftime për rrjedhje karburanti por deti i trazuar bëri që dje anija të lëvizte paksa nga pozicioni i mëparshëm, duke shtuar shqetësimet për një rrjedhje të mundshme të naftës në det.

XS
SM
MD
LG