Lidhje

Interneti dhe fëmijët


Interneti dhe fëmijët

Interneti dhe fëmijët

Organizata World Vision publikoi në Tiranë një studim mbi përhapjen e internetit tek fëmijët dhe shmangia e rreziqeve për ta. Autorët vunë re se interneti po përhapet me shpejtësi në Shqipëri dhe se fëmijët kanë kontakt të gjerë me të. Ndaj propozuan një seri masash teknike, që t'i mbrojnë ata nga pornografia dhe lidhjet me të panjohurit.

Organizata World Vision sapo ka përfunduar studimin “Siguria e fëmijëve online”. U intervistuan 900 fëmijë në 6 rrethe kryesore. Më shumë se gjysma janë vajza dhe mbi 60 për qind jetojnë në zonat rurale

Nga studimi doli se mbi 60 për qind e fëmijëve kanë lidhje interneti në dhomën e gjumit. Rreth 45 për qind e fëmijëve të intervistuar shohin në internet materiale pornografike çdo ditë dhe afro gjysma e tyre pohojnë se janë kontaktuar përmes internetit nga persona të panjohur. Rreth 70 për qind e fëmijëve pohojnë se ata shohin materiale pornografike pa dëshirën e tyre në qendra interneti, ose në internet kafetë, që kanë mbushur të gjithë vendin.

“Sa më shumë shtrihet interneti në 5 shtetet, ku u zbatua ky projekt, aq më shumë rreziqe u shtuan për fëmijët që hyjnë në rrjete online nga telefoni dhe nga kompjuterat - thotë Mandy Yamanis, eksperte ndërkombëtare në mbrojtjen e fëmijëve. Fëmijët marrin ngacmime nga të panjohur në internet, shohin sjellje të papërshtatshme, janë të pambrojtur nga materialet pornografike me të mitur madje edhe as nga trafikimi i tyre online”.

“Këto janë rreziqet edhe për fëmijët shqiptarë - thotë zonja Jamanis. - Nga ana tjetër, prindërit janë të trembur nga interneti, sepse nuk dinë ta përdorin mirë. Por ata duhet të mbrojnë fëmijët e tyre, duke biseduar me ta dhe duke u qëndruar pranë. Nga ana tjetër, ata duhet të marrin programe sigurie nga kompanitë e internetit për kompjuterin dhe celularin e fëmijëve”.

“Të drejtat e fëmijëve janë të njëjta si pa internet ashtu edhe me internet. Kjo nuk duhet harruar asnjeherë. Fëmijët kanë të drejtë të mbrohen, të shkollohen, të jetojnë pa shqetësimin e mesazheve negative prej internetit dhe pa presione nga persona të panjohur. Fëmijët edhe duhet të dëgjohen, sepse po ashtu ata kanë të drejtën edhe për lirinë e fjalës” - thotë zonja Jamanis.

Studiuesit mendojnë se prindërit shqiptarë duhet të kujdesen më shumë për ta bërë më të sigurtë marrëdhënien e fëmijës së tyre me internetin; jo duke ua hequr nga duart celularët dhe kompjuterat, por duke bashkëpunuar gjatë kërkimit në internet dhe të jenë në dijeni mbi kërkesat e fëmijëve nga interneti. Ata mund të kërkojnë nga kompanitë celulare shërbime për internet të sigurtë, sepse rreth 60 për qind e fëmijëve të intervistuar për këtë studim e përdorin internetin nga telefoni celular.

Ekspertët pohojnë se interneti i sigurtë është edhe një detyrim shtetëror. Sipas tyre, qendrat e internetit duhet të kenë ndarje të sigurta për fëmijët, shkollat duhet të diskutojnë më shumë mbi sigurinë e fëmijëve online, ndërsa qeveria duhet të aktivizojë një lundrim më të sigurtë të fëmijëve në internet, dhe të organizojë struktura të posaçme që të raportojnë vazhdimisht për krimet kibernetike dhe kërcënimet ndaj fëmijëve.

XS
SM
MD
LG