Lidhje

Sfidë planit Obama për transferimin e kontrollit mbi internetin


Prokurorët e përgjithshëm të katër shteteve amerikane kanë paraqitur padi në gjykatë federale për të mos lejuar që administrata Obama t’ia kalojë kontrollin e internetit një organizmi administrues ndërkombëtar.

Shtëpia e Bardhë kishte në plan që më 1 tetor t’ia kalonte zyrtarisht administrimin e sistemit të adresave në internet një grupi ndërkombëtar, por katër shtete: Oklahoma, Arizona, Nevada dhe Teksasi shqetësohen se kjo mund të jetë një masë antikushtetutese dhe kanë kërcënuar ta bllokojnë këtë nismë të administratës.

Padia e paraqitur këtë javë argumenton se plani Obama është një transferim i paligjshëm i një zotërimi të qeverisë amerikane dhe se ky veprim kërkon miratim nga Kongresi.

Korporata e Internetit për Ndarjen e Emrave dhe Numrave (ICANN) është një grup jofitimprurës që mbikqyr ndarjen e emrave për faqe elektronike. Që nga krijimi i saj në 1998, ICANN ka qenë nën kontrollin e Departamentit amerikan të Tregtisë, por administrata Obama filloi në 2014 të hartonte plane për ta eliminuar këtë kontroll me idenë që procesi do të finalizohej të premten, më 30 shtator.

ICANN është autoriteti që kontrollon emrat për sitet dhe adresat elektronike për përdoruesit e internetit. Kundërshtarët e kësaj mase thonë se transferimi shoqërohet me rrezikun e censurimit të internetit, nëse vende si Rusia apo Kina ku kufizohet fjala e lirë, e marrin nën kontroll këtë proces.

Përkrahësit e këtij transferimi thonë se është një nismë dy-partiake që ka qenë në plan prej vitesh dhe se çdo përpjekje për ta bllokuar atë do të dëmtonte besimin tek Amerika në shkallë ndërkombëtare.

Ndihmës Sekretari i Tregtisë Larry Strickling tha më herët këtë vit se mënyra më e mirë për të mbrojtur lirinë e internetit është duke e çliruar nga kontrolli i qeverisë amerikane dhe duke e transferuar në duart e atyre që janë të angazhuar përditë në operimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve që përbëjnë internetin.

Në padinë e ngritur këtë javë, prokurorët e përgjithshëm të katër shteteve ngrenë pretendimin se plani i administratës Obama dhunon klauzolën e Kushtetutës Amerikane për Pronën. Ata argumentojnë se vetëm Kongresi ka të drejtën për të shitur apo likuiduar prona që u përkasin Shteteve të Bashkuara.

Në padi thuhet se plani dhunon Amendamentin e Parë për lirinë e fjalës, duke e kërcënuar fjalën e lirë.

Në padinë e tyre katër shtetet i kërkojnë gjykatës ta bllokojë transferimin. Ende nuk është caktuar një datë për seancën gjyqësore.

Deri tani asnjë gjykatës federal nuk ka nxjerrë ndonjë urdhër për të bllokuar transferimin, që sipas planit hyn në fuqi më 30 shtator.

XS
SM
MD
LG