Lidhje

“The Internet of Things”


Duke filluar nga orët inteligjente dhe deri tek paisjet shtëpiake, vazhdimisht po shtohet numri i paisjeve që lidhen me njëra-tjetrën, si dhe me internetin, duke nxjerrë të dhëna. Ky rrjet ndërlidhjeje e ka çuar në një fazë më të përparuar shfrytëzimin e Internetit dhe ndarjen e të dhënave. Ekspertët thonë se rrjeti i ndërlidhjes së pajisjeve elektronike po na bën më të vetëdijshëm.

T’i japësh makinës në trafikun e Los Anxhelosit ngjason shpesh me një video-lojë ku të duhet të shmangësh shoferët e pakujdesshëm.

“Duhet t’i mbash sytë hapur pasi këtu makinës i jepet me shumë ndalime dhe nisje, siç e shikoni vetë,” thotë Jordi Ortega.

Ai po teston një aplikacion në telefonin e tij për të parë se si i jep makinës. Aplikacioni i quajtur ‘The Driver Feedback’ në pronësi të kompanisë së sigurimeve ‘State Farm’, e shndërron celularin e zotit Ortega në një paisje që gjurmon aftësitë e tij në timon. Programi përdor GPS-in e telefonit dhe akselerometrin për të mbledhur informacion ndërkohë që makina lëviz. Në fund, shoferit i jepet një notë vlerësuese.

“Programi përqëndrohet tek proçeset e përshpejtimit, frenimit dhe marrjes së kthesave, si faktorë rreziku,” thotë Rene Henry, nga kompania e siguracioneve “State Farm”.

Pra, një aplikacion që e shndërron telefonin në një paisje sensorësh në rrugë që masin edhe volumin e trafikut dhe shpejtësinë e makinave. Janë këto pjesë të teknologjisë, ku paisjet lidhen me njëra-tjetrën dhe me internetin.

Të dhënat mblidhen dhe analizohen.

Eksperti Bhaskar Krishnamachari thotë se kjo teknologji e ndërlidhur mund të ndihmojë planifikuesit urbanë.

“Sensorë që masin çdo gjë; që nga ndotja dhe kushtet e rrugëve, ose të cilët monitorojnë strukturat e ndërtesave dhe të urave. Pra, paisje që ndodhen kudo duke monitoruar mjedisin dhe të lidhura me njëra-tjetrën, për t’i ndihmuar vendimmarrësit të kuptojnë më mirë gjendjen e infrastrukturës.”

Rrjeti ndërlidhës jo vetëm që jep një botëkuptim më të plotë, por edhe i ndihmon njerëzit ta shikojnë veten në një mënyrë të re. Kjo pasqyrë dixhitale, me një kamera në krye, e kap imazhin tënd nga çdo kënd dhe madje mundet të ndryshojë ngjyrën e rrobave që ke veshur. Videoja mund t’u dërgohet miqve me email për të marrë përshtypjet e tyre. Themeluesi i kompanisë MemoMi, Salvador Nissi Vilcovsky, që ka krijuar këtë pasqyrë, foli për Zërin e Amerikës.

“Në të ardhmen nuk do të ndryshojmë vetëm ngjyrat, por do të shtojmë edhe aksesorë. Do të jemi në gjendje të sugjerojmë gjëra që gjenden në raftet e dyqaneve, ose që mund t’i blesh në internet.”

Ai thotë se influenca dixhitale në shitjet e mallrave do të rritet, sepse tashmë të gjithë posedojnë paisje.

“Deri në vitin 2020, mendojmë se do të ketë 50 miliardë paisje elektronike në treg. Pra, rreth 6 paisje për çdo person të planetit,” thotë Bridget Karlin e korporatës “Intel”.

Ka megjithatë shqetësime për privatësinë dhe sigurinë.

“Nëse do ta ndërlidhnim infrastrukturën, jo vetëm të shtëpive tona, por edhe të qytetit me këtë ‘rrjet ndërlidhës’, duhet të sigurohemi se nuk mund të thyhet, se askush nuk do të mundet të kontrollojë infrastukturën tonë pa dijeninë tonë dhe pa autorizimin tonë,” thotë Bhaskar Krishnamachari.

Sidoqoftë, Jordi Ortegas i pëlqen ideja e teknologjisë që e bën më të vetëdijshëm. Nota e tij përfundimtare është 8,8.

Atij i duhet të përmirësojë mënyrën e frenimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG