Lidhje

Martesat mes racave të ndryshme në SHBA


Në vitin 1959, vetëm katër për qind e amerikanëve e pranonte martesën ndër-racore. Sot, Shtetet e Bashkuara kanë presidentin e parë me mama të bardhë dhe baba zezak dhe 87 për qind e amerikanëve e miratojnë martësën mes dy personave nga raca të ndryshme, sipas një sondazhi të fundit të organizatës Gallup. Në Nju Jork, një qytet shumë-etnik, ku Kryetari i ardhshëm i Bashkisë, Bill de Blasio është i martuar me një grua afrikano-amerikane dhe fëmijët e tij janë një kombinim i dy racave, kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë:

“Pashë një dritë dhe më doli gjumi. Ishtë një polic pranë shtratit. Ai na tha se duhej të ngriheshim dhe se ishim nën arrest.”

Mildred dhe Richard Loving u arrestuan në vitin 1958, për shkelje të ligjit të Virxhinias që ndalonte martesën mes personave të racave të ndryshme. Ata ngritën padi dhe në vitin 1967, Gjykata e Lartë rrëzoi ligjet që ndalonin këto martesa. Që atëherë, numri i martesave ndër-raciale është rritur vazhdimisht, duke kapur shifrën 15 për qind të të gjitha martesave, sipas statistikave të qeverisë amerikane:

“Shoqëria është bërë më pranuese, megjithëse ende ka disa njerëz që kthejnë kokën mbrapsht”.

Gerri Buchanan dhe Tom Rogers kanë pesë vjet martuar. Të dy kanë fëmijë nga martesat e mëparshme me bashkëshortë të racave të ndryshme: Vajzat e Tomit dhe djali i Gerrit.

Ata janë vetëm një nga familjet e përziera të Nju Jorkut, si ajo e kryetarit të ardhshëm të Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio. Gruaja e tij, Chirlane McCray, është afrikano-amerikane dhe ata kanë dy fëmijë. Vëzhguesit politikë thonë se imazhi i familjes së zotit de Blasio, ishte një nga arsyet për fitoren e tij në zgjedhjen e tij për postin e Kryetarit të Bashkisë.

Ken Tanabe krijoi një ditë të veçantë për të nderuar familjet mes racave të ndryshme të quajtur Dita Loving, që e mori emrin nga Mildred dhe Richard Loving. Ai thotë se zgjedhja e de Blasios pasqyron ndryshimin e jashtëzakonshëm të Nju Jorkut.

“Nju Jorku ka qenë gjithmonë një vend i larmishëm, por gjithnje e më shumë ka cifte të racave të ndryshme dhe njerëz që e identifikojnë veten si shumëetnik dhe me zgjedhjen e Bill de Blasios, mendoj se po shohim gjithnjë e më shumë mbështetje për këto familje, cifte dhe individë”.

Shkrimtarja Aja Monet thotë se martesa e de Blasios po ndihmon në ndryshimin e imazhit të grave afrikano-amerikane në kulturën popullore dhe politikë.

“Nëse nuk ke një pamje ose identitet evropian, kritikohesh. Mjaft të shohësh se si e sulmojnë Michelle Obamën, mbështetur tek pamja e saj dhe shpesh këto komente vijnë nga burrat e bardhë. Ndërsa në këtë rast, ky burrë i bardhë puth gruan e tij afrikano-amerikane dhe shpreh dashurinë për të para të gjithëve sikur thotë që nuk bëhet fjalë për atë që mendojnë kritikët”.

Tom Rogers dhe Gerri Buchanan mbështetën de Blasion dhe një nga arsyet ishte familja e tij.

“Më trishton fakti që njerëzit rrinë të veçuar nga njëri-tjetri, por jam i lumtur kur shoh familje si ajo e de Blasios, që janë si ne”.

Kur Bill de Blasio të marrë detyrën më 1 janar, me gruan dhe fëmijët e tij në krah, analistët thonë se ata do të jenë simbol i një relievi të ri amerikan, ku grupi demografik nën 18 vjec që po rritet më me shpejtësi është ai I fëmijëve me raca të përziera.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG