Lidhje

Flonja Kodheli, në SHBA me filmat “Burrnesha” dhe “Bota”

  • Keida Kostreci

Festivali prestigjioz Tribeka nderoi me çmimin "Nora Ephron" filmin "Vergine Giurata", "Burrnesha", të regjisores italiane Laura Bispuri, bashkëpunim i Italisë, Zvicrës, Gjermanisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Çmimi “Nora Ephron” për nder të skenaristes dhe shkrimtares së njohur amerikane Nora Ephron, i jepet një regjisoreje ose skenaristeje, “me një zë të veçantë”.

Filmi “Burrnesha”, i mbështetur tek romani "Hana" i shkrimtares Elvira Dones, portretizon Hanën, një vajzë shqiptare që ka bërë zgjedhjen të jetojë si burrë në veri në Shqipërisë, duke ndjekur një zakon që i trajton gratë që vendosin të mos martohen dhe të mos kenë marrëdhënie me burra, si të barabarta me meshkujt nga statusi social. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, aktorja Flonja Kodheli, që interpreton motrën e Hanës, Lila tha se filmi do të fillojë të shfaqet në kinematë e Shteteve të Bashkuara. Ajo interpreton edhe në rolin kryesor për filmin “Bota” të regjisores Iris Elezi për të cilin tha se e ktheu në Shqipëri pas 10 vjetësh. Filmi “Bota”, trajton temën e disa familjeve të ish- përndjekurve politikë që vazhdojnë të jetojnë aty ku kanë qenë të internuar prindërit e tyre. Në film përmes botës së personazheve, pasqyrohet dhimbja e brendshme e tyre. Aktorja Kodheli thotë se është e tërhequr nga personazhe dramatikë, që në pamje të parë janë njerëz të zakonshëm por që kanë një botë të pasur dhe komplekse shpirtërore. Të dy filmat “Burrnesha” dhe “Bota” konkurrojnë javën e ardhshme në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në San Francisco.

XS
SM
MD
LG