Lidhje

Filmi "The Interview", në qindra kinema


Duke filluar nga dje, filmi i debatueshëm komik "The Interview", po shfaqet në kinematë amerikane, të cilat kanë qenë të mbushura plot. Hedhja e filmit në treg erdhi pasi kompania Sony Pictures, e ndryshoi vendimin e mëparshëm për tërheqjen e filmit.

Filmi "The Interview" – Intervista, është një komedi që ka në qendër dy gazetarë të rekrutuar nga zbulimi amerikan për të vrarë udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Dje në ditën e Krishtlindjeve, shumë kinema të pavarura e shfaqën filmin, ndonëse një numër rrjetesh të mëdha refuzuan ta shfaqin atë për shkak të kërcënimeve të dhunës.

"Ne nuk mund të lejojmë diktatorë apo fundamentalistë të na tregojnë se çfarë mediash të konsumojnë dhe se si duam të shprehemi," thotë Derek Karpel, shikues

"Unë shkova thjesht sepse kishte lindur ky debat dhe nuk mund të rrija pa e parë filmin," thotë Nick Doiron.

Sony gjithashtu po e shpërndan filmin me anë të disa platformave digjitale, si YouTube, Google Play dhe Microsoft Xbox.

Koreja e Veriut e ka dënuar filmin si një fyerje për sovranitetin e saj.

Fillimisht, kompania Sony e anuloi hedhjen në treg pas një sulmi masiv kibernetik në rrjetin e saj të korporatave dhe pas kërcënimeve me dhunë ndaj kinemave.

Presidenti amerikan Barak Obama dhe mbështetësit e lirisë së fjalës thanë se kompania Sony Entertainment bëri gabim që e anuloi shfaqjen e filmit në formën që ishte planifikuar fillimisht.

XS
SM
MD
LG