Lidhje

Bojaxhiu: Pallati i Vlorës ka hipotekuar detin


Gjykata Administrative në Vlorë urdhëroi heqjen e rrethimit nga pallati Jon pranë Ujit të Ftohtë. Inspektoriati i Ndërtimit ka gjetur në këtë objekt shkelje ligjore, që mund të shkojnë deri në rrëzimin e pallatit.Ish-drejtuesi i Inspektoriatit Ndërtimor, Gjergj Bojaxhi, thotë se shkeljet e këtij pallati u zbuluan qysh kur ishte në themele dhe u ngrit padi kundër kryetarit të bashkisë, Shpëtim Gjika. Zoti Bojaxhiu komenton edhe për rregullat e nevojshme te menaxhimit të territorit në gjithë vendin.


Zëri i Amerikës: Zoti Bojaxhiu! Pallati shumëkatësh, apo kompleksi “Jon” është në qendër të vëmendjes së opinionit publik, pas bllokimit nga INUK. Si nisi historia e përballjes së këtij ndërtimi me inspektorët e shtetit më shumë se dy vjet më parë?

Gjergj Bojaxhiu: Inspektoriati Urbanistik e ka konstatuar këtë ndërtim në fazat fillestare. Ka qenë pothuaj në themel, madje as themelet nuk ishin hedhur, por ishte bërë vetëm rrethimi i objektit. Pas një verifikimi të gjithë dokumentacionit, u identifikuan dy elementë të rëndësishëm; së pari, pronësia ishte tepër e dyshimtë, pasi një pjesë e asaj që ishte hipotekuar si pronë-tokë në fakt binte në det, ishte pjesë e detit. Pra, dikush në procedurat e pronësisë kishte mundur të hipotekonte det, disa metra katrorë det. Ndërsa elementi i dytë kishte të bënte me faktin që në planin urbanistik të Vlorës për atë zonë, ky ishte një vend ku nuk lejohej ndërtimi, apo betonizimi. Për këto arësye Inspektoriati në atë kohë konstatoi dhe gjykoi që leja e ndërtimit ishte dhënë në kundërshtim me planet dhe ligjet e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Po më pas? Si vepruat ju pasi bëtë këto gjetje?

Gjergj Bojaxhiu: Në atë kohë Inspektoriati kishte kapacitet vetëm të çonte për kallëzim penal një objekt i cili kishte marrë një leje, pavarësisht se leja ishte në kundërshtim me ligjin dhe duhej që gjykata të merrte masa të mëtejshme. Kështu që ne i kemi bërë kallzim penal qysh në atë kohë bashkisë së Vlorës, zotit Shpëtim Gjika, si kryetar i bashkisë dhe kryetar i KRT së Vlorës, si dhe stafit të KRT-së, i cili kishte marrë pjesë në gjithë këtë procedurë leje. Dosja i ka kaluar prokurorisë dhe, të them të drejtën, pas asaj unë jam shkëputur nga Inspektoriati dhe nuk di të them se si e ka ndjekur më pas prokuroria apo gjykata këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Pra, dosja shkoi në prokurori dhe bashkia u vu në dijeni për akuzat tuaja?

Gjergj Bojaxhiu: Bashkia ishte qysh atëherë pala e akuzuar për këtë shkelje të ligjit, sepse të paktën në atë kohë u gjykua se nuk mund të akuzoheshin drejtpërdrejt pronarët e objektit, apo të pronës, apo të zhvilluesit. Kështu që në atë kohë për kallzim penal ka shkuar stafi i bashkisë së Vlorës me kryetarin Shpëtim Gjika.

Zëri i Amerikës: A mund të komentoni pasojat për banorët e parë, që kanë blerë apartamente në këtë objekt? Ose, si mund të rrjedhin ngjarjet në rrugën që kanë marrë?

Gjergj Bojaxhiu: Me aq sa kam ndjekur nga mediat, është bërë përpjekje që kjo çështje të vendoset si Pronarët kundër Inspektoriatit apo diçka e tillë. Por, për këto grupime ku nuk është e thënë që konflikti nuk zgjidhet. Dikush që ka blerë një pronë në këtë pallat ka një kontratë midis blerësit dhe pronarit apo zhvilluesit. Pronari apo zhvilluesi ka patur një leje të miratuar nga bashkia e Vlorës. Nëse grupi i punës së inspektorëve e gjykon që pallati duhet prishur, sepse është dhënë në kundërshtim me ligjin etj., kjo nuk është në konflikt të drejtpërdrejtë me pronarët, sepse banorët nuk e kanë kontratën me institucionet por e kanë me zhvilluesin dhe ky e ka kontratën me bashkinë e Vlorës. Objekti mund të prishet dhe, pasi gjykata të vendosë kush është përgjegjës për çfarë, atëherë pala që do të jetë përgjegjëse në mënyrë finale, do të bëjë edhe kompensimin e pronës. Punë tjetër është nëse dikush thotë që dëshiron të marrë kompensimin para se t'i prishet prona etj.

Shqiptarët dhe shikuesit duhet të kenë parasysh diçka: këtu kemi të bëjmë me një objekt që në mënyrë sistematike, duke filluar qysh nga koncepti bazë i pronësisë së tokës, të shkëmbit apo të detit, dhe deri në fazën se si është bërë hipotekimi i disa prej apartamenteve, çdo fazë, çdo hallkë është në kundërshtim me ligjin. Kur flitet për të drejtën e pronës të pronarëve apo të apartamenteve, kjo duhet vënë në një kontekst, që është një zinxhir i gjatë shkeljesh. Pasi këta njerëz, drejtpërdrejt ose jo, malli i tyre, prona që ata kanë blerë, i kanë shkelur gjithë këto procese dhe tani thonë “është e drejta ime”. Por kjo e drejtë është përfshirë në një kontekst shumë më të gjerë, për të cilën unë nuk jam jurist dhe nuk mund ta trajtoj më thellë. Por në fund të ditës, pronarët e apartamenteve fondet do t'i marrin, por fondet mund t'i marrin edhe nga zhvilluesi, i cili ka bërë shkelje, ose nga bashkia e Vlorës, e cila ka bërë shkelje. Kush do t'i kompesojë pronarët është një proces gjyqësor, apo një proces që do të ndodhë në një fazë të dytë, e cila me siguri do të japë një zgjidhje.

Për ne, si qytetarë të këtij vendi, është e rëndësishme që është ndërtuar një objekt në det, dhe ne kemi nevojë që deti, i cili është pronë publike, të mbetet pronë publike. Çdo gjë tjetër, që është brenda këtij konteksti, nuk mund të jetë mbi këtë kontekst”.

Zëri i Amerikës: Nga këto raste që tregon media, a mund të nxirren përfundime për të rregulluar gjendjen në të gjithë territorin?

Gjergj Bojaxhiu: Përqëndrimi i vëmendjes së medias ndaj kompleksit Jon, (siç duket, kështu ia kanë vënë emrin, se në atë kohë nuk ka patur një emër të tillë), nuk duhet marrë si një ngjarje e veçuar. Këtu nuk është fjala për të prishur një pallat, kushdo që të jetë pronar, apo të ketë pronësinë e këtij pallati. Ky pallat ka një simbolikë, për shkak të individëve, të cilët janë përfshirë. Por nuk do të ishte e mjaftueshme, që ne të kënaqemi vetëm me prishjen e një pallati. Çështja është që ky pallat është një shembull, simbolizon kalbëzimin dhe keqmenaxhimin, që ka sot territori në Shqipëri. Për qytetarët nuk do të kishte aq vlerë prishja e një pallati, por për qytetarët shqiptarë ka vlerë të madhe se si trajtohet ky proces, qoftë edhe me një objekt të caktuar, në mënyrë që të përdoret si model për të zgjidhur apo për të trajtuar probleme të ngjashme, sepse nuk është vetëm ky pallat në Shqipëri. Ka edhe shumë pallate të tjerë, që mund të kenë gjëra të përafërta me të, me disa ndryshime të tjera.

Menaxhimi i territorit është një problem thelbësor, ku shteti shqiptar ka dështuar gjatë tranzicionit dhe, fatkeqësisht, deri tani akoma nuk duket një dritë në fund të tunelit, që të themi se është gjetur një zgjidhje. Gjatë kohës kur isha në inspektoriat, kam vënë re që edhe kur inspektoriati kishte vullnetin për të ndjekur çështjet ashtu si duhet, korrupsioni dhe kalbëzimi nëpër gjykata ishte një problem rrënjësor, i cili pengonte qartë dhe dukshëm zbatimin e ligjit. Gjykatat shqiptare kanë një histori që... edhe me objekte të ndërtuara totalisht pa leje, me objekte të ndërtuara në pronë publike dhe pa hipotekë, gjykatat prapë kanë nxjerrë vendime pezullimi. Problemi i menaxhimit të sektorit është kompleks. Ekzekutivi duhet të krijojë një plan shumë të mirë pune, të jetë sistematik në trajtimin e gjërave, dhe jo ta mbajë mendjen që mos të prishen objektet e njërit apo të tjetrit, sepse objektet nuk duhet të kenë emër. Objektet duhet të trajtohen me ligj, koncept dhe logjikë të njëjtë e të njëtrajtshme për të trajtuar një zonë të tërë bregdetare.

Zëri i Amerikës: A ka Shqipëria ligje për rregullime të njëllojshme, apo të njëtrajtshme për shkeljeve urbanistike në territor? A duhet, siç thoni ju, një procedurë uniforme?

Gjergj Bojaxhiu: Edhe kur ekzekutivi e ka këtë vullnet, prokuroria dhe gjyqësori shpesh herë këtë proces e lënë baltë. Duhet patjetër që gjyqësori dhe ekzekutivi të ecin paralelisht me problematikën që ka sektori, me problematikën që ka Shqipëria dhe rëndësinë e trajtimit të njëtrajtshëm të problematikës. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ajo që do të shohim do të jetë një përpjekje fillestare e qeverisë së re për të rregulluar problematikën në bregdet dhe për të dhënë një mesazh, por me kalimin e kohës ky mesazh do të zbehet dhe do të kthehemi përsëri në gjendjen ku ishim. Mendoj se është e rëndësishme që ekzekutivi të shprehet, sepse deri tani akoma nuk e ka shprehur një plan të qartë se si do ta menaxhojë bregdetin, çfarë kriteresh do të përdorë për vlerësimin e gjykimin e objekteve të ndërtuara pa leje ose të ndërtuara me leje të dyshimta, apo me leje të pjesshme dhe më pas janë mbindërtuar mbi lejet... Pasi ta ketë këtë plan të qartë dhe pasi të ketë një konsensus në zbatimin e kësaj, atëherë edhe gjyqërosi edhe prokuroria duhet të ecin paralelisht me këtë frymë.

Një shembull e kemi nga Italia, ku shteti dhe shoqëria e ka njohur si problem dhe përballet me mafian, atëherë edhe gjyqësori ecën paralelisht me qeverinë për ta trajtuar këtë problem. Në Shqipëri kjo harmoni apo paralelizëm nuk ka funksionuar. Duhet të rregullohet kjo makrostrukturë, në mënyrë që të kemi sigurinë që problemi i menaxhimit të territorit ka gjetur një zgjidhje dhe do kohën e vet, që të zbatohet. Duhet vullneti i ekzekutivit në radhë të parë, duhet një strategji e qartë dhe e prezantuar publikisht se si ekzekutivi do ta ndjekë një çështje dhe pasatj duhet që edhe gjyqësori të ecë paralelisht me të.

Zëri i Amerikës: Zoti Bojaxhiu, ju falemnderit!

Trego komentet

XS
SM
MD
LG