Lidhje

Selami: Nder të kandidoj për Partinë Demokratike

  • Arben Xhixho

Ish kryetari i Partisë Demokratike Eduart Selami, pritet të kthehet në Shqipëri së shpejti për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit si deputet i Partisë Demokratike. Zoti Selami ka mbi 15 vjet që është shkëputur nga pjesëmarrja në politikë në Shqipëri dhe pritet të ballafaqohet me një mjedis të ri, e shumë të ndryshëm politik nga ai që ka lanë në mes të viteve ’90 kur ishte ende aktiv me politikën shqiptare.



Zëri i Amerikës: Në këtë studio ku jeni ftuar si analist, sot ju po vini si një politikan i mundshëm i së ardhmes. Para se të kalojmë tek kjo sfidë e re për ju, doja të merrja fillimisht mendimin tuaj mbi njoftimet e këtyre dy tri ditëve të fundit, për gjendjen e ambasadës së Shqipërisë këtu në Uashington. Si mendoni ju, a mund të lihet një ambasadë në gjendje të tillë?

Eduard Selami: Nuk i kam parasysh detajet por mendoj se këto janë probleme që do të adresohen në mënyrë profesionale, në mënyrë institucionale në Shqipëri. Theksoj se nuk i njoh detajet.

Zëri i Amerikës: Zoti Selami, të kthehemi tek planet tuaja, a mund t’i konfirmoni njoftimet se ju do të jeni në listat e PD-së dhe do të konkuroni në qytetin e Tiranës?

Eduard Selami: Jam kontaktuar nga kryetari i Partisë Demokratike z. Berisha dhe kam pranuar me kënaqësi që të kandidoj në emër të Partisë Demokratike. Për hollësitë unë mendoj se është akoma shpejt për të folur, por ky është momenti dhe unë do nisem për të kontribuar në emër të Partisë Demokratike. E quaj një nder të veçantë të kontribuoj në atë parti, të cilës unë gjithmonë i kam përkitur dhe i përkas.

Zëri i Amerikës: Pra, deri tani dihet që ju do të kandidoni për Partinë Demokratike por ende nuk dihet zona në të cilën do të kandidoni.

Eduard Selami: Unë personalisht nuk kam shkuar kaq larg në këtë drejtim, ky është një vendim i marrë nga strukturat, por unë jam kontaktuar nga kryetari i PD-së z. Berisha dhe kjo është e mjaftueshme për mua për të dhënë kontributin tim në një fushatë elektorale të cilën unë e quaj të rëndësishme, sepse është një fushatë e cila jo vetëm do të mbështesë çka është arritur, por është një fushatë që do ta përshpejtojë ecjen e Shqipërisë përpara. Mendoj që në mënyrë jo vetëm të mençur por edhe shumë pozitive, Partia Demokratike – megjithëse ka bërë shumë për Shqipërinë – përsëri do që të bëjë më shumë dhe shikon përpara.

Zëri i Amerikës: Zoti Selami, ju jeni shkëputur prej një kohe të gjatë nga Shqipëria, dhe mund të argumentohet se nuk i njihni sa duhet problemet e atjeshme. Ashu siç sapo u shprehët edhe për këtë problem të fundit të ambasadës shqiptare këtu në Uashington. Përse duhet që një banor i zonës ku ju do të kandidoni të votojë për ju?

Eduard Selami: Unë mendoj që Shqipëria dhe ligji elektoral në Shqipëri është pak më ndryshe. Ju vini me mentalitetin e këtushëm amerikan që për 200 vjet këtu duhet të jesh banor në një vend që të mund të kandidosh. Vende të ndryshme këtë e kanë të ndryshme. Por kjo ka qenë edhe arsyeja që unë kam shmangur kandidimin në nivele lokale. Kjo është më e mprehtë dhe më e domosdoshme. Ndërsa në nivelin e përgjithshëm, të parlamentit – Shqipëria është akoma një republikë parlamentare – nuk mund të gjykohet me mendimi e këtushëm. Atje është më ndryshe dhe çdo njeri ka mundësi për të kontribuar dhe kontributi është më i gjerë dhe me një frymë më të përgjithshme sesa në nivelin lokal.

Zëri i Amerikës: Pra ju e shikoni rolin tuaj në të ardhmen më tepër si një rol ndihmese brenda parlamentit sesa për zonën që do të përfaqësoni?

Eduard Selami: Patjetër që në rradhë të parë i takon zonës, kjo nuk diskutohet. Çdo deputet ka zonën si detyrim të parë. Për mua do të jetë një nder të dal përpara kudo. Por Tirana është edhe një arsye më shumë sepse unë popullit të Tiranës i dedikoj dhe jetën time personale. Nëse nuk do të kishin dalë qytetarët e Tiranës, lëvizja e Dhjetorit që shembi komunizmin – unë e kam patur bindje dhe e kam – nuk do të kishte marrë ato përmasa që mori, nuk do të ishte bërë e mundur. Do të ishte dashur një kohë më e gjatë. Shumë thonë se i erdhi koha, por koha flet edhe për Korenë e Veriut, koha flet edhe për Kubën, koha në vetvete nuk bën gjë. Ky ka qenë gjithmonë mendimi im dhe kjo është një arsye më shumë.

Zëri i Amerikës: Zoti Selami, mjedisi politik në Shqipëri, ndryshe nga ai që ju jeni mësuar të shikoni këtu në Amerikë këto vitet e fundit, është tejet i ashpër. Lufta politike madje i kalon caqet e një beteje normale, një rivaliteti normal politik, duke u personalizuar dhe shpesh me një fjalor shpesh të papërshtatshëm. Imazhi juaj ka qënë ai i një politikani të moderuar. A jeni i shqetësuar për mbijetesën tuaj në një mjedis kaq të ashpër politik në Shqipëri?

Eduard Selami: Nuk shqetësohem fare. Një parantezë të vogël: (Mjedisi politik) është shumë i ashpër për atë që lexon vetëm gazetat, por nuk është kështu kur futesh në Shqipëri. Shqipëria është shumë herë më e bashkuar dhe shqiptarët janë shumë herë më të bashkuar në jetën e tyre të përditshme. Ky është mendimi im. Kuptohet që lufta politike ashpërsohet, por nëna më tha një fjalë shumë të mënçur. Më tha: “Më përpara kanë qenë me plumba dhe me fjalë. Tani kanë ikur plumbat, kanë mbetur vetëm fjalët.” Dhe unë këtë lloj këmbimi do ta pranoja në çdo kohë. Do të vazhdoj të ruaj gjithmonë profilin e një njeriu që vë Shqipërinë dhe interesat e Shqipërisë në rradhë të parë, përmbi interesat e ngushta partiake dhe jam shumë krenar që jam në Partinë Demokratike, sepse PD ka bërë shumë për Shqipërinë. Ka rrëzuar komunizmin, e ka futur Shqipërinë në këtë drejtim ku Shqipëria sot merr shumë se më parë. Gjërat nuk janë të përsosura, ka akoma vend... dhe kjo është një arsye më shumë për të votuar Partinë Demokratike sepse megjithëse ka bërë kaq shumë përsëri shikon përpara, përsëri mendon për një Shqipëri të përparuar, për një Shqipëri të zhvilluar, për një fuqi rajonale, duke patur parasysh përmasat e saj.

Zëri i Amerikës: Si do t’i përgjigjeshit ju akuzave të bëra ndaj Partisë Demokratike nga pala tjetër, të cilat thonë se gjatë këtyre tetë vjetëve, përveç elementit normal – pra, të paturit një lodhje në qeverisje – janë vënë re një sërë faktorësh si acarimi i korrupsionit, qeverisja e vendit nuk ka qenë siç duhet, ekonomia ndodhet në krizë dhe – thotë opozita – një lloj qëndrimi autoritar i kryeministrit Berisha, qoftë edhe brenda Partisë Demokratike që nuk i funskionojnë strukturat. Si do t’i përgjigjeshit ju këtyre vërejtjeve që i bëhen PD-së?

Eduard Selami: Opozita këtë detyrë ka dhe kuptohet që kaq afër sa është fushata elektorale zëri do të ngrihet edhe më shumë. Ajo çka e rrëzon këtë më mirë se çdo gjë tjetër është realiteti shqiptar dhe ata që do të jenë përgjigja më e mirë do të jenë shqiptarët me votën e lirë, të cilët unë mendoj se do të zgjedhin përsëri Partinë Demokratike, sepse është një parti që shikon përpara, ka një platformë më të mirë, ka rrugëzgjidhje, ka program më të qartë, nuk është negative, nuk është thjesht vetëm destruktive por shikon përpara. Probleme ka patur dhe ka, dhe probleme gjithmonë do të ketë. Madje kjo është demokracia, gjithmonë shkohet përpara, zgjidhet një problem del një problem tjetër. Ne kemi një fat, një fat i rrallë, duke qenë vend i fundit sepse rruga e ecjes përpara është gjetur, për më tepër për Shqipërinë që është futur në rrugën e integrimit në BE dhe është pranë këtij procesi. Kritikat unë them se në këtë rast nuk bëhen thejsht për t’u ndrequr puna por bëhen për kontrast, se ashtu ecën jeta dhe lufta politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Selami në këtë studio në të kaluarën ju keni ardhur shpesh si analist. Kjo është një përgjigje juaja, mbi një pyetje mbi korrupsionin në Shqipëri:

Eduard Selami, në vitin 2010: ...Lufta kundër korrupsionit duhet të shkojë paralel me forcimin e institucioneve. Sa kohë që nuk ka forcim të institucioneve nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionin në mënyrë të suksesshme. Dhe për mendimin tim personal, anëtarësimi në NATO i Shqipërisë, që unë kisha shpresë se do të përshpejtonte funksionimin e demokracisë, më provoi të kundërtën. Demokracia shqiptare sot është më pak e suksesshme, se sa dy vjet më përpara. Ka hapa mbrapa në çdo vend, por unë mendoj që kjo është shqetësuese për mua. Dhe në këtë pikë, sa kohë që ka dobësim të institucioneve, ka lulëzim të korrupsionit. Unë jam dakort me analizën që Partia Demokratike e ka humbur, si të thuash, të drejtën e saj morale në luftën kundër korrupsionit dhe në këtë pikë, pa dyshim, faji është i elitës drejtuese.”

Zëri i Amerikës: Intervista është zhvilluar në vitin 2010, dhe sot gjendja e korrupsionit në Shqipëri, nuk është përmirësuar madje është keqësuar sipas statistikave. Kur i dëgjoni këto komente tuaja të para dy vjetëve, cili është reflektimi juaj sot?

Eduard Selami: Reflektimi im është që unë i qëndroj - ka qenë një bisedë për të parë se sa shpejt ka ecur Shqipëria pas anëtarësimit në NATO – dhe unë kam folur për një kohë të caktuar, për një moment të caktuar. Ishte vetëm një vit mbrapa; unë për nga natyra dua që gjërat të ecin më shpejt, dhe gjithmonë ka vend për më shpejtë. I qëndroj mendimit që forcimi i institucioneve ecën paralel me luftën kundër korrupsionit. Nuk jam me mendimin tuaj që sot problemi i korrupisonit është më i acaruar se sa më përpara. Nga informacionet dhe statistikat që unë kam është që është më mirë, është një proces që ka qenë dhe do të jetë, është një proces që shoqëron fillimet e çdo vendi, çdo ndryshimi demokratik në botë. Ka qenë këtu më përpara (në SHBA shënim i redaksisë), sot ky është një nga vendet më të pastra, dhe kjo ka ecur paralelisht me forcimin e institucioneve sepse ajo çka perceptohet si korrupsion - të mos keqkuptohemi , nuk është mbrojtje - shpesh herë është edhe mungesa e kuadrit ligjor; pastaj ka probleme edhe me zbatimin e ligjit... Unë mendoj se atëherë atë kritikë e kam shprehur për të përmirësuar e për të shpejtuar punën; unë mendoj që është në rrugë të drejtë dhe sot situata është më e mirë se çka qenë; ka vend për përmirësime dhe këto përmirësime do të vazhdojnë.

Zëri i Amerikës: Përse zgjodhët këtë moment për t’u kthyer në Shqipëri?

Eduard Selami: Nganjëherë të zgjedh momenti, nganjëherë zgjedh ti momentin; unë mendoj që ky është një moment kthesë për Shqipërinë, mendoj që Shqipëria është në një ëpikë kyçe, ku një fitore e Partisë Demokratike do t’a përshpejtojë edhe më tej progresin e Shqipërisë, dhe unë kam bindjen që nëse Partia Demokratike humbet kjo do të jetë humbje për të gjithë shqipëtarë. Duke ndjerë këtë thirrje të brendshme që unë e kam ndjerë edhe në vitin 1990, unë vendosa për t’u afruar; njëkohësisht me kontaktet që kam patur dhe me z. Berisha dhe me ekipin që ai ka, kam ndjerë një frymë mirëkuptimi, kam ndjerë një patriotizëm, një dëshirë të tyre për të ndihmuar Shqipërinë, dhe programi i tyre është një program që mendoj se i shërben Shqiërisë dhe jam shumë krenar e mezi pres që t’i bashkohem.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG