Lidhje

Ermonela Jaho rikthehet në skenën shqiptare me Madam Butterfly

  • Keida Kostreci

Sopranoja me famë botërore, flet për planet e saj në një intervistë për Zërin e Amerikës, në prag të interpretimit në Shqipëri

Sopranoja Ermonela Jaho është tashmë një emër i njohur i operas në skenat botërore. Ky vit për të filloi me një interpretim të personazhit kryesor në operan Manot të kompozitorit Massenet në Londër. Angazhime të tjera këtë vit kanë përfshirë Parisin dhe Brukselin. Pas shtatë vjetësh, në fillim të prillit ajo rikthehet në skenën shqiptare me Madam Butterfly në Teatrin e Operas dhe Baletit. Madam Butterfly dhe personazhi i saj kryesor Cio Cio San, janë shumë të dashura për Ermonelën. Ajo thotë se kjo opera ka një vlerës shumë sentimentale për të, sepse ishte një ndër më të dashurat për nënën e saj.



“Gjithmonë e kam konsideruar rolin e Madam Butterfly, të lidhur me femrat shqiptare në përgjithësi, sepse roli i Cio Cio Sanit për mua është mishërimi i shpirtit të një femre, sepse dashuron si një adoleshente, shpreson si një fëmijë dhe sakrifikohet si një profete. Dhe mund të them që këto janë virtyte kaq të jashtëzakonshme dhe kaq të forta që unë i ndjej, ose secili prej nesh i ndjen tek gratë shqiptare, tek nënat tona për ato sakrifica që kanë bërë.”

Ermonela thotë se e pret me padurim këtë interpretim në Shqipëri, jo vetëm sepse rikthehet në vendin e saj, por edhe për botën e pasur emocionale që bart kjo opera. Ajo shton se ia kushton interpretimin e saj të gjitha grave shqiptare.

Përveç Cio-Cio Sanit dhe Manon Lescaut, Ermonela Jaho ka interpretuar Violetën e Traviatës së Verdit, Suor Angelikën po të Puccinit, Anna Bolenën e Donizzetit dhe të tjera. Shumica e këtyre heroinave kanë fund tragjik por Ermonela thotë se ato shprehin vlerat humane dhe tregojnë forcën e shpirtit femëror.

Ndoshta kjo është edhe ajo e përbashkëta që gjej unë si Ermonelë, një femër e ardhur nga Mesdheu, nga Ballkani. E kemi këtë lloj mënyre, këtë mënyrë të shprehuri. Çdo gjë e kemi me shumë pasion, me shumë zjarr. Ndoshta kjo është edhe ajo karakteristika, nga ana teatrale, e të shprehurit tim si artiste nëpërmjet zërit, me të cilën ndihem më shumë komode kur këndoj këto role.

Sopranoja Ermonela Jaho do të interpretojë Madam Butterfly në Teatrin e Operas dhe Baletit të Tiranës, më 3-5 prill.
XS
SM
MD
LG