Lidhje

Aktorja Masiela Lusha tregon historinë e saj


Humanizmi, krijimtaria dhe filmi të pandara në jetën e saj

Ajo njihet si aktore, shkrimtare, producente dhe humanitare. Shumë e talentuara Masiela Lusha fitoi famë në serialin televiziv “George Lopez” dhe qysh në moshë të vogël ajo u shqua për talentin e saj. Revista “Teen Magazine” do ta cilësonte atë si ndër pesë të rinjtë që do të kishte shansin e suksesit. Në fushën e letersisë, Masiela u cilësua si shkrimtarja më e re në botë, 12 vjeçare, që publikon një libër në dy gjuhë. Disa vite më pare ajo themeloi Fondacionin Fëmijët e Botës ndërsa këtë vit është bërë Ambasadore Ndërkombëtare për të Rinjtë me fondacionin Athgo që promovon sipërmarrjen botëre dhe mbështetet nga UNICEF dhe Banka Botërore. Para pak ditësj Masiela ishte e ftuar për një intervistë në Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit ju jeni bërë Ambasadore Ndërkombëtare për të Rinjtë me fondacionin Athgo. A mund të na tregoni pak për këtë organizatë dhe misionin tuaj të ri ?

Masiela Lusha: Jam shumë e kënaqur me këtë mision sepse bashkon të gjithë sipërmarrësit e rinjë nga mbarë bota. Të rinj nga e mbarë bota gjejnë zërin e tyre në këtë organizatë që ofron udhëheqje, trajnim, financime dhe lidhje. Ishte kenaqësi takimi me ekipin e kësaj organizate. Kjo organizatë bashkon ide dhe zëra të ndryshëm. Pikërisht kjo më ka frymëzuar mua.

Zëri i Amerikës: Ju keni marrë famë gjatë interpretimit të Carmen, vajzës së George Lopez në serialin me të njëjtin titull. A mund të na flisni pak rreth këtij rrugëtimi i cili ju bëri ju një veterane të televizionit në moshën 20 vjeçare.



Masiela Lusha: Aktrimi nuk ka qënë synimi im fillestar. Kur isha 7-8 apo 9 vjeçare nuk e dija se çfarë ishte aktrimi. Nuk i kuptoja kamerat apo vet makinerinë pas kësaj industrie. Ishte një agjent i cili erdhi në Detroit të shtetit Michigan në kërkim të talentëve të rinj. Mamaja ime mendoi se ishte një ide e mirë për të provuar shanset në këtë industri. Mes qindra konkuruesve ai zgjodhi tre vetë që i ftoi në qytetin Los Angeles dhe unë isha mes tyre. Kjo ishte eksperienca ime e parë dhe nuk ishte zgjedhja ime e parë në jetë por jam shumë e lumtur që e ndoqa dhe në të vërtetë ndryshoi kursin e jetes time.

Zëri i Amerikës: Keni lindur në Shqipëri dhe pastaj jeni zhvendosur në Hungari dhe pastaj në Austri dhe përfundimisht jeni vendosur në Shtetet e Bashkuara. Sa ka ndikuar në karrierën tuaj eksperienca juaj jetësore?

Masiela Lusha: Jam larguar në Shqipëria në moshën 5 vjeçare dhe vendosur në Budapest dhe më pas në Vjenë dhe përfundimisht takimi me Amerikën në Michigan për herë të parë në jetën time si dhe mësimi i anglishtes si gjuha ime e katërt, ka ndikuar shumë tek unë. Unë shkruaj ndryshe dhe ndihem se kam një stil ndryshe të të shkruarit i cili nuk matet me të shkruarit tradicional amerikan. Po ashtu jeta në disa pjesë të ndryshme të botës ka bërë që të jem e hapur për botën dhe kultura të ndryshme që ofron bota. Lidhur me aktrimin mendoj se mund ta portretizoj ashtu siç duhet vajzën shqiptare.

Zëri i Amerikës: E di që juve jeni e lidhur shumë ngushtë me mamanë tuaj. Çfarë roli ka luajtur ajo në karrierën tënde ?

Masiela Lusha: Unë jam kjo që jam pikërisht prej mamasë time. Influenca e saj ka ndikuar në karrierën time si aktore, si shkrimtare. Zëri i saj më ka frymëzuar. Nga fëmijëria dhe gjatë rritjes time ne kemi qënë të pandara. Në çdo vend të botës ne të dyja kemi qënë kudo sëbashku. Nëna ime është mikja ime më e mirë.

Zëri i Amerikës: Thatë që u larguat nga Shqipëria kur ishit 5 vjeçe. A ju kujtohet Tirana?

Masiela Lusha: Kastriot....mbaj mend vetem kur mblidhja manaferra. Dhe më kujtohet treni. Më kujtohet uturima e trenit. Dhe më kujtohet që ndihesha e vetme kur u larguam nga Shqipëria. Biles kur dëgjoj zhurmën e trenave në mbrëmje më kujtohet Shqipëria.

Zëri i Amerikës: Të kalojmë nga Tirana për në Hollywood. Në çfarë projektesh jeni duke punuar aktualisht ?

Masiela Lusha: Jemi duke i dhënë dorën e fundit nga ana vizuale dhe artistike një filmi të titulluar Orc Wars. Një film fantastiko shkencor me aksion. Orc’s janë një racë krijesash imagjinare që duken si njerëzit por jo fort të hijshëm për nga paraqitja. Në qendër të filmit është një ish marins i cili mundohet të izolohet në botën e tij por përballet me këto krijesa të etura për gjak. Në këtë film unë luaj rolin e princeshës Aleya.

Zëri i Amerikës: Juve keni disa skena me dyluftime. Sa e vështirë ishte përgatitja ?

Masiela Lusha: Unë luftoj me zemër kundër Orc’s dhe dukem mjaft e egër. Ja kaluam mirë gjatë xhirimeve.

Zëri i Amerikës: Dua të di për një aspekt tjetër të jetës tuaj atë të shkrimtares. Jeni quajtur një nga 10 poetët më të mirë në Amerikën e Veriut dhe po ashtu autorja më e re në botë që keni botuar në dy gjuhë.

Masiela Lusha: Përsëri më duhet të falenderoj nënën time sepse ajo ishte autore dhe poete. Në mos gaboj, nëna ime ka qënë ndër redaktoret e para që ka publikuar një revistë me ngjyra anglisht/shqip. Kuptohet që puna e saj më ka frymëzuar. Kur isha e vogël në vend të ninullave ajo më lexonte poezi çdo mbrëmje. Krijimtaria më erdhi natyrshëm dhe me instikt. Unë fillova të shkruaj qysh në moshën 7 vjeçare dhe botova librin e parë kur unë ishta 12 vjeçe. Që nga ajo kohë kam vazhduar në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Aktualisht, a jeni duke punuar në ndonjë libër?

Masiela Lusha: Nuk mund të ndaloj së shkruari. Jam duke punuar në romanin tim të dytë, titullohet “Kujtimet e Olympia Pole”.

Zëri i Amerikës: Juve jeni modele, aktore, producente, ambasadore, humaniste...si ja arrini ti menaxhoni të gjitha këto?

Masiela Lusha: Kur punën që bën e ndien në zemër është shumë e lehtë të gjeshë kohë dhe përkushtim. Për mua është sikurse frymëmarrja, më duhet ta bëj. Në të kundërt më duket se nuk po jap kontributin tim për shoqërinë në të gjitha aspektet.

Zëri i Amerikës: Si e balanconi jetën tuaj përsonale?

Masiela Lusha: Nuk e balancoj. Gjithçka është e injektuar tek njëra-tjera në jetën e përditshme.

Zëri i Amerikës: Duam të dimë për kompaninë e produksionit “Illuminary Pictures” që ju keni themeluar para disa vitesh.

Masiela Lusha: Ideja pas kësaj kompanie ishte krijimi dhe ofrimi i projekteve për të gjitha grupet e shoqërisë. Në një film ku kisha rolin e producentes, të them të drejtën u ndjeva shumë krenare kur u shfaq në kinema emri i kompanisë time. Koncepti ishte ofrimi i zhenareve ku të gjithë mund të gjenin vetveten.

Zëri i Amerikës: Duam të dimë diçka për punën tuaj humaniste me fëmijët.

Masiela Lusha: Vizita në Ballkan për xhirimet e filmit “Koha e Kometës” më fymëzoi për të themeluar Fondacionin Fëmijët e Botës. Në Maqedoni u ndjeva zemërthyer kur shikoja ata fëmijë që endeshin rrugëve. Tek ata shikoja mundësi të shumta për të ardhmen e tyre, nëse dikush do të mund tu jepte atyre atë shans. Ndaj më lindi ideja...po sikur tu ofronim këtyre fëmijëve një strehë, dhe të kultivonim ato çfarë ata kanë mësuar nga rrugët, çfarë do të ndodhte ? Ideja ishte që sëbashku me fëmijën të ndihmohej edhe familja nga ai vinte. Pra edukimi themelor i të gjithë familjes. Ideja ime është zgjerimi ndaj në vendet ku funksionon fondacioni, ofron arsim falas, kurse në fundjavë, financime, kujdes për shëndetin pra gjërat themelore të jetës. Mund të kujtoj viziten time në Lesotho, në Afrikë.

Zëri i Amerikës: Kur po futeshim në studio më fole diçka për Zërin e Amerikës.

Masiela Lusha: Zëri i Amerikës është njejtesuar me mua që nga fëmijëria. Që nga largimi nga Shqipëria dhe lëvizja nga një shtet në tjetrin, Zëri i Amerikës ka shërbyer si udhërrëfyes në botë. Zëri i Amerikës ka qënë një stacion që e dëgjonim çdo ditë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG