Lidhje

Thaçi: Për interesa madhore jo dallime pozitë–opozitë


Në një interviste për Zërin e Amerikës kryeministri tha se Serbia nuk do të jetë e përfshirë në proceset e brendshme të Kosovës

Të martën në Nju Jork, në Këshillin e Sigurimit u disktua raporti i radhës i OKB-së për Kosovën. Në debat për herë të parë morrën pjesë kryeministrat e Serbisë dhe të Kosovës, Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi. Të dy udhëheqësit u shprehën të gatshëm për të rifilluar bisedimet e ndërprera para zhvillimit të zgjedhjeve në Serbi.

Zëri i Amerikës: Dje për herë të parë në takimet e Këshillit të Sigurimit morën pjesë dy kryeministrat. A patët mundësi të takoheshit me homologun serb, të shkëmbenit ndonjë mesazh privat ?

Hashim Thaçi: Një gjë e tillë nuk ka qënë e planifikuar, nuk ka qenë në axhendën time dhe as në axhendën ndërkombëtare. Thjesht ka qenë një axhendë e prezantimit në Këshillin e Sigurimit të dy kryeministrave; unë kam prezantuar arritjet e Republikës së Kosovës tani në prag të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, që është një vlerësim ndërkombëtar i të gjitha fuqive më mbështetëse të shtetit të ri të Kosovës. Jemi në fazën përfundimtare të mbikqyrjes së pavarësisë, kemi ndryshimet kushtetuese, që do të ndodhin në Kosovë dhe në 10 shtator do të merret edhe vendimi përfundimtar, që Kosova do të përmbyllë mbikqyrjen e pavarësisë, ndaj diçka e tillë nuk ka qenë e planifikuar dhe gjithçka ka ndodhur në Këshillin e Sigurimit, ka qenë e prezantuar përpara opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar.



Zëri i Amerikës: Pas ndryshimeve politike në Serbi, pas thirrjeve të intensifikuara të komunitetit ndërkombëtare për bisdime, siç ndodhi edhe në Këshillin e Sigurimit, a prisni fillimin e një periudhe të re të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

Hashim Thaçi: Republika e Kosovës është në favor të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Kjo është në interesin e dy shteteve dhe popujve tanë, është në interes të fqinjësisë, të paqes, të stabilitetit, bashkëpunimit rajonal dhe të perspektivës euroatlantike të gjithë rajonit, sepse vetëm me fqinjësi të mirë të dy vendet mund të kenë perspektivë euroatlantike. Qëllimi dhe vizioni im është anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Europian. Ky është edhe vullneti i qytetarëve të Kosovës. Normalizimi i marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton europianizim të gjithë rajonit, ndaj fillimisht duhet të ndodhë implementimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel, pastaj të shohim edhe mundësi të tjera të dialogut teknik për çështjet e mbetura, por natyrisht edhe takime të nivele qoftë edhe politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, në vendin tuaj ju jeni ndeshur me kundërshtime lidhur me dialogun. Opozita ju kundërshton. A jeni i shqetësuar, që nuk keni përkrahjen e opozitës për bisedimet me Serbinë?

Hashim Thaçi: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nuk është çështje e një lideri, një partie, apo një mandati qeverisës. Ne nuk jemi dy vende dhe dy popuj që kemi zhvilluar luftë me njëri-tjetrin dhe pastaj mbas mbarimit të luftës të kemi arritur traktate të paqes, apo marrëveshje të paqes, apo që kemi punuar bashkërisht për të ardhmen e dy vendeve dhe të rajonit, ndaj mendoj se kapitulli i së kaluarës është mbyllur duke mos e harruar kurrë, por duke e kujtuar me krenarinë më të madhe, sepse jemi fitues, ndërsa duhet të punojmë më tepër për të ardhmen. Unë besoj që kundër dialogut për fqinjësi të mirë nuk është askush, kundër normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë nuk është askush. Ne të gjithë duhet të ngrihemi mbi interesat grupore, partiake, apo të politikës elektorale ditore, të gjithë duhet të shikojmë interesat shtetërore. Ajo që unë mund të sigurojë dhe garantojë qytetarët e Kosovës, është se bashkërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, do të bëjmë të gjitha përpjekjet, që të ndodhë normalizimi në kushte e rrethana gjithmonë duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: A pritet të ketë ndryshime në skenën politike të Kosovës, siç ka njoftuar shtypi i vendit tuaj, për të patur një përkrahje sa më të gjerë për bisedimet me Serbinë?

Hashim Thaçi: Përkrahja e gjerë për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ekziston. Ndryshimet politike ndodhin vetëm kur ndodhin zgjedhjet e reja elektorale. Ne jemi në proces reformues elektoral dhe në procesin tjetër reformues kushtetues, gjithashtu bashkërisht jemi duke punuar për perspektivën europiane. Koalicioni aktual është funksional dhe mirëqeverisës, në të njëjtën kohë nuk do të ketë zgjedhje të parakohëshme, zgjedhjet do të jenë të rregullta, në afatin kushtetues. Por ka hapësirë dhe mundësi për gjithkënd për të kontribuar në konsolidimin dhe forcimin e shtetit. Unë përshëndes edhe zërat opozitarë në mbështetje të një procesi dhe dialogu politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, mendoj që kjo është përgjegjësi e përbashkët, nuk është përgjegjësi vetëm e një partie apo një mandati qeverisës, sa më herët që të përmbyllet çështja e normalizimit të marrëdhënieve, mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë kjo do të jetë në të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, të shtetit të Kosovës, e partive politike, e shoqërisë civile, e mediave, do të jetë në favor të perspektivës europiane të Republikës së Kosovës. Të gjithë do të lirohemi nga një barrë, që duhet t’a përmbuyllim herët apo vonë. E di se nuk është një veprim populist, por është një veprim i duhur ligjor dhe vendim i drejtë në interesin e shtetit të Kosovës. Ne nuk mund të jetojmë në gjendje lufte, lufta ka përfunduar, e kemi fituar, tani duhet të ndërtojmë paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin.

Zëri i Amerikës: A do te këmbëngulni ju për një ekip gjithëpërfshirës, apo do të hyni edhe të vetëm në bisedime?

Hashim Thaçi: Ne çdo herë që kemi vepruar bashkërisht, kemi fituar. Bashkë kemi qenë në Rambuje, bashkë kemi filluar negociatat edhe për statusin politik, bashkë kur unë kam qenë në opozitë kemi qenë në Vjenë për statusin politik, bashkë e kemi shpallur pavarësinë, bashkë po ndërtojmë vendin, po e konsolidojmë e forcojmë, ndaj për interesa madhore nuk duhet të ketë dallime pozitë –opozitë, por të gjithë duhet të jemi të bashkuar në synimin kryesor, në konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, sidomos tani, që kemi fituar edhe njohjen e 92 shteteve ndërkombëtare dhe kur kemi një mbështetje shumë të fuqishme ndërkombëtare dhe kur kemi edhe hapjen e një kapitulli të ri, atë të mbylljes së mbikqyrjes së pavarësisë dhe axhendës konkrete europiane.

Zëri i Amerikës: Kur pritet të fillojnë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë?
Hashim Thaçi: Nuk është ndonjë axhendë urgjente, nuk ka ndonjë axhendë as komuniteti ndërkombëtar se kur kjo mund të ndodhë, por Prishtina ka ofruar pikat orientuese të planit për dialogun e brendshëm mes Republikës së Kosovës dhe serbëve në veri, në mënyrë që ata të integrohen në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Ato janë pika të planit afirmativ që do të nënkuptojnë rend e ligj, demokraci, zgjedhje të lira, lidership legjitim të serbëve dhe natyrisht edhe integrimin e tyre në institucionet qendrore dhe lokale, si dhe investime socialo ekonomike.

Zëri i Amerikës: Pra veriu do të jetë pjesë e këtyre bisedimeve?

Hashim Thaçi: Dialogu i brendshëm mes Kosovës dhe serbëve në veri do të jetë diçka që do të ndodhë në të ardhmen e afërt, por për rregullimin e brendshëm gjithçka do të jetë në përputhshmëri me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, pra vendosin institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa për sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është çështje tjetër, në nivel ndërshtetëror.
Zëri i Amerikës: Pra nuk do të jetë në bisedimet me Serbinë, çështja e veriut?

Hashim Thaçi: Serbia në asnjë rrethanë nuk do të mund të jetë e inkorporuar në procesin e rregullimit të brendshëm të Kosovës. Kosova është vend sovran, është vend i pavarur.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, muajin e ardhshëm, pritet të përfundojë mbikqyrja e pavarësisë së Kosovës. Ndërsa kjo shihet si një vlerësim për zhvillimet në vendin tuaj, megjithatë Kosova ndeshet me sfida të vështira në të ardhmen. Banorët e vendit tuaj janë të interesuar për zhvillimet politike, por po aq e rëndësishme për ta është edhe ekonomia. Si parashikon qeveria juaj të zbusë papunësinë në Kosovë, që është në nivele të larta.

Hashim Thaçi: Ne kemi patur vitin e kalur një rritje ekonomike rreth 5%, diçka e tillë planafikohet, që të ndodhë edhe këtë vit. Kemi katër vite e gjysëm të shpalljes së pavarësisë dhe tani po përmbyllim mbikqyrjen ndërkombëtare të saj me një mbështetje unike ndërkombëtare të faktorëve mbështetës të Republikës së Kosovës dhe jam i sigurt se në konsolidimin e shtetit do të ndikojë më tepër edhe zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës, rritja e mirëqënies sociale dhe do të lëvizim përpara dhe Kosova mund të them se ka një të ardhme të sigurtë edhe politike, edhe integruese edhe drejt zhvillimit.
XS
SM
MD
LG