Lidhje

"Policia serbe më zhgënjeu, dhe keqpërdori emrin tim"


Intervistë me zotin Olsi Rama, vëllai i kryeministrit të Shqipërisë mbi ngjarjet në stadiumin e Beogradit

Zëri i Amerikës: Zoti Olsi! A mund të na shpjegoni atë që ndodhi në stadiumin e “Partizanit” të Beogradit dhe cilat janë shkaqet që është përmendur emri juaj në ato rrethana?

Olsi Rama: Bashkë një grup të vogël sportdashësish nga Tirana ishim të ftuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe shkuam në Beograd për të shprehur mbështetjen ndaj ekipit tonë kombëtar. Tifozët shqiptarë e kishin të ndaluar të shkonin në stadium, sepse federata serbe nuk arriti të krijonte kushte dhe të garantonte sigurinë e tyre. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Beograd ka pasur masa sigurie që ishin përtej normales, por kur shkuam në stadium e kuptuam se situata aty ishte vërtet e nderë dhe shumë e tensionuar, dhe gjithë stadiumi ishte shumë agresiv. Ata nuk e kuptuan se mund të kishte edhe disa tifozë nga Shqipëria.

Ne ishim të pozicionuar në llozhat në katin e sipërm dhe normalisht u bëmë dëshmitarë të një shfaqjeje shumë të shëmtuar si pasojë e fishkëllimit të himnit kombëtar dhe ulërimave histerike dhe fyese, gjithashtu edhe të gjitha thirrjet në kor të gjithë stadiumit. Ishte në kor i gjithë stadiumi.

Unë mund ta kuptoj që në një moment dhe mund të ketë grupe të caktuara ultrasish që mund të shkaktojnë këto lloj trazirash, por ishin 32 mijë tifoza që bërtisnin, "Vrisni, vrisni, vrisni shqiptarët!", edhe të tjera fjalë të ulta në drejtim të lojtarëve tanë. Në një moment tifozat vendas e kuptuan që kishin ardhur edhe disa tifoza shqiptarë. Ishte kur patëm ne një rast në lojë dhe duartrokitëm, shprehëm mbështetjen tonë. Një moment ata u kthyen nga drejtimi ynë dhe filluan të gjuanin me objekte, me çakmak, me monedha, shumë sende u thyen aty dhe ndërhynë edhe forcat e rendit që na larguan nga këto llozha. Pastaj u kthyem përsëri dhe gjithë kohën vazhdonin sharjet. Deri në momentin që doli edhe flamuri, që të gjithë e kemi parë çfarë ndodhi.

Pas asaj forca të tjera sigurie të policisë hynë në korridorin e llozhave, filluan të kontrollonin njerëzit, erdhën edhe në atë vendin ku isha unë, më kontrolluan celularin, më morën dhe aparatin fotografik, se unë gjithë kohën bëja fotografi. Kisha një aparat Nikon gjysëm profesional, dhe po bëja fotografi për t'u treguar miqve këtu të mi, që nuk kishin mundësi të vinin në Beograd për të parë ndeshjen edhe pse kishin dëshirë. Tregova aparatin, pritën 10 minuta dhe ikën duke thënë “S'ka problem, s'ka problem!”, por ata po kërkonin në mënyrë absurde telekomandën e dronit tek llozhat tona. Më mbrapa pritëm sa u zbraz stadiumi me eskortën e policisë se forcave speciale shkuam deri tek autobuzi dhe aty përsëri më mënjanuan mua dhe dy miq të tjerë, na vunë mënjanë, na rrethuan me policë pa dhënë ndonjë arsye thjesht ishte një presion verbal, presion me vështrime.

Ne kërkuam shpjegime me shumë takt dhe korrektesë. Ata nuk na dhanë asnjë shpjegim. Unë i thashë që jam qytetar amerikan, ja dhe pasaporta; - këtu jemi në Serbi dhe rregullat i bëjmë ne, nuk pyesim fare për asgjë. Dhe ndërkohë që çdo gjë u zhvillua në sy të gjithë të tjerëve që ishin aty pranë tek autobuzi. Gjatë gjithë kohës, pjesa e shqiptarëve, që ishin 50-60 ndoshta dhe 100 vetë ka qenë shumë korrekte, pa ofendime. Na mbajtën të bllokuar për rreth 45 minuta, pastaj na liruan, hipëm në autobuz, shkuam deri në aeroport, ku përsëri na mbajtën të bllokuar në autobuz për rreth 1 orë, përsëri pa shpjegime dhe pastaj na lanë që të kalonim. Ishte një lloj dhune verbale, ishte një lloj presioni. Mediat sigurisht një situatë të tillë e përdorën këtë incident për të justifikuar ose për të tërhequr vëmendjen e opinionin publik nga çfarë ndodhi në fushën e lojës dhe nga ato që ndodhën në stadium për më tepër me britmat dhe histerizmin dhe barbarizmin e gjithë atij publiku të cilat ishin të gjitha në mënyrë të organizuar, plot shenja antishqiptare dhe normalisht për koincidencë që jam vëllai i kryeministrit të Shqipërisë, gjë që ata e mësuan kur erdhën herën e parë, për arësye se u thanë miqtë e tjerë që ishin përjashta. Mbase në këtë periudhë, në atë moment derisa iku autobuzi ata janë munduar të krijojnë një skenar për ta përdorur mediatikisht.

Zëri i Amerikës: Zoti Olsi, nga mendoni ju se ka buruar njoftimi që keni qenë pikërisht ju që keni përdorur dronin me flamur mbi fushë?

Olsi Rama: Unë nuk kam aspak eksperiencë me dronin dhe nuk e di se çfarë quhet pozicion i volitshëm në raport me një objekt që fluturon. Kështu si unë ishin edhe të gjithë shqiptarët e tjerë në një radhë me mua. Si unë ishin edhe 32 mijë personat që ishin në stadium. Gjatë kohës së ndeshjes po bëja fotografi, siç e thashë edhe në fillim, kisha një aparat fotografik që ishte lehtësisht i dukshëm si aparat fotografik, por besoj se në momentin që ka kaluar droni në përgjithësi masat e sigurisë nuk ishin në lartësinë e duhur, stadiumi ishte goxha i vjetër, masat e sigurisë linin shumë për të dëshiruar them unë pavarësisht se kishte një prezencë të madhe të forcave të rendit. Në momentin që ndodhi dhe rrëmuja vëtë tifozat hynë në fushe, u lejuan të hyjnbë në fushë, kjo u pa nga të gjithë në kamera. Besoj se të çorientuar nga e gjithë kjo dhe të papërgatitur, ata erdhën të gjenin një motiv, të gjenin një dicka, dhe në vend që të gjenin telekomandën gjetën Olsin me pak fjalë. Mund të ishin edhe shqiptarë të tjerë që ishin në stadium.

Zëri i Amerikës: Zoti Olsi! A keni ndërmend t'i publikoni fotot tuaja apo vetëm do t'i qarkulloni mes shokësh e miqsh, se edhe ato mund të jenë pjesë e dëshmive të atyre që ndodhën në tribunë?

Olsi Rama: Unë kam një set fotografik që nisin që nga koha kur zbritëm nga avioni. Janë më tepër një kuriozitet në këtë sureale ku u gjendëm. Edhe në stadium kam bërë disa fotografi, kam bërë fotografi të lojës, kam bërë fotografi të dyluftimeve të lojtarëve, gjithashtu i kam bërë fotografi edhe publikut. Ka momente ku shihet qartë se sa agresivë ata janë në raport me lojën, pastaj dhe në raport me ne. Megjithatë nuk besoj se është nevojshme që të shfaqen të gjitha këto. Ndoshta në një moment tjetër kur të ketë rënë edhe pak tensioni sepse e gjithë kjo situatë është e manipuluar dhe ka kaluar edhe përtej kufijve të logjikës. Unë jam i zhgënjyer shumë nga media serbe në mënyrës se si e manipuloi çdo gjë për arsye se unë isha akoma në llozhë me miqtë kur dëgjoj mbi arrestimin tim. Duhet të gjeja një mënyrë që të lajmëroja mamanë që t'i thoja mos u bëj merak se këtu çdo gjë është në rregull.

Zëri i Amerikës: A komunikuat me mamanë dhe me familjen?

Olsi Rama: Po komunikova se e di që prindërit janë gjithmonë të merakosur shumë. Telefoni im nuk punonte se skishte më bateri kështu që mora telefonin e një miku aty dhe i thashë që të lajmëronte edhe njerëzit e tjerë, vendosa kështu një urë komunikimi, sepse në këto situata ka shumë tension dhe jam i sigurtë që gjithë atë tension që ne ndjemë në stadium nuk ndihej nga televizori përsëri fjala merr përmasa më të madhe sesa ç'është, dhe njerëzit shqetësohen. Kam marrë telefonata pa fund, kam mbërritur në Tiranë dhe kam parë mesazhe të ndryshme. Dua t'i falenderoj të gjitha ata që kanë treguar përkujdesje ndaj meje dhe kësaj situate.

Zëri i Amerikës: Zoti Olsi, ju keni qenë në Beograd edhe si pjestar i delegacionit të FSHF, jeni vëllai i kryeministrit shqiptar dhe treguat atje pasaportën amerikane. Si i priti policia serbe këto 3 elemente?

Olsi Rama: Unë them se sigurisht policia serbe e ka keqpërdorur emrin tim. Nuk më takon mua të hyj në skenare se si ata e kanë keqpërdorur, nuk aludoj, dhe të bëj atë që ata bënë me mua, kështu që nuk dua të bëj justifikime, di që isha dëshmitar i një ngjarje të shëmtuar. Ishin skenarë të stisur në moment për të krijuar një situatë që të tërhiqnin vëmendjen nga gara.

Zëri i Amerikës: Nga përmendja e emrit tuaj në këto rrethana a mendoni se i është shkaktuar ndonjë dëm Shqipërisë dhe kryeministrit Rama?

Olsi Rama: Unë shkova për thjesht për të mbështetut ekipin kombëtar, shkova atje me dëshirën e mirë për të ndjekur një ndeshje sportive. Fakti që disa mendje të shkurtra e të mbrapshta krijojnë skenare nuk besoj se duhet të frenojë mendjet e kthjellta. Këto janë situata të stisura dhe nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Unë besoj se gjakftohtësia duhet gjithmonë të fitojë në situata të tilla.

Zëri i Amerikës: Zoti Olsi, a mendoni që pasja e një pasaporte amerikane iu mbrojti në ato rrethana?

Olsi rama: Unë isha atje si qytetar i thjesht i Republikës së Shqipërisë, se unë kam dhe nënshtetësinë shqiptare, nuk kisha shkuar atje me funksion, pavarësisht që çdo njeri mbi shpatulla ka një emër që duhet ta mbrojë. Unë nuk doja që ajo situatë të merrte asnjë lloj ndikimi politik për arësye se isha komplet jashtë incidentit apo çfarë ndodhi. Unë isha thjesht atje me disa miq për të mbështetur kombëtaren. E dinim që po shkonim në një situatë shumë të vështirë, e dinim që ishim kundër 32 mijë vetave, por ishin ato 11 trima në fushë bashkë me lojtarët e tjerë dhe ne s'kishim si t'i linim vetëm. Nuk besoj se ndikoi përmendja e nënshtetësisë amerikane ndaj policit serb për arësye se ajo që ndikoi ishte fakti që ata nuk gjetën asgjë dhe nuk kishin se çfarë akuze të bënin. Po të kishin gjetur gjë nuk do të më ndihmonte asnjë pasaportë.

Zëri i Amerikës: Pra ju nuk jeni arrestuar atje, policia vetëm ju ka kontrolluar aparatin fotografik?

Olsi Rama: Po

Zëri i Amerikës: A mund të jepni ndonjë koment lidhur me përmbajtjen e atij flamuri që fluturoi në stadium?

Olsi Rama: Në fillim ne nuk arritëm ta shikonim në momentin që doli, më tepër se flamur ai ishte një baner, një pllakatë simbolike. Unë dhe gjithë të tjerët menduam se ishte dicka që varej nga projektori aty. Pastaj nga fusha e zezë menduam se mund të ishte me ndonjë shprehje serbisht në drejtim të lojtarëve tanë. Pastaj pashë figurën e Ismail Qemalit, nuk dallova gjë tjetër pastaj dallova shqiponjën. Isa Buletinin nuk arrita ta dalloja se flamuri valvitej gjithë kohës. Në momentin që djemtë shkuan ta hiqnin nga duart e serbëve unë u ndjeva krenarë për ato djem. Këtë e them me shumë krenari, sepse ishte gjëja e duhur. Nëse lojtari serb do ta kishte hequr në mënyrë normale dhe ta contge tek bankina jonë, loja mund të vazhdonte. Por reagimi i serbëve u pa vetë, njerëzit u ngritën nga bankina, gjuajtën me stola dhe shpërtheu agresiviteti. Fryma në stadium ishte ndërtuar e tillë, ishte si një tenxhere me presion që pritej në moment të shpërthente. Djemtë tanë në fushë treguan në ato minuta lojë që janë jo vetëm sportistë të mirë por në radhë të parë janë njerëz me karakter që kanë vlera. Unë jam krenar që isha me ta gjithë kohës në Beograd dhe besoj se bënë gjënë e duhur duke mbrojtur atë simbol.

Zëri i Amerikës: Po përmbajtja e atij baneri si iu duk? Pala serbe pretendoi që ngritja e atij flamuri ishte nje veprim i parapërgatitur.

Olsi Rama: Nuk është vendi për të folur për përmbajtjen por sido që të jetë puna nuk e kam idenë se kush mund ta ketë bërë. Njeriu është i lirë të ketë bindjet e veta, nuk besoj se mund t'ia diktoj dikujt tjetër, besoj se jemi në një kohë dhe në një botë që Shqipëria, Kosova dhe vendet përreth po tentojnë që të hyjnë në Evropën e Bashkuar, dhe besoj se kjo është e ardhmja natyrale që të iontegrohemi plotësisht në Evropë dhe të tregojmë vlerat tona atje brenda atij komuniteti, duke bashkëpunuar me të gjithë rajonin edhe me vëllezërit tanë kudo ku janë.

Ngjyrimet pastaj janë subjektive, edhe neve nuk na vjen mirë kur serbët bërtasin “Kosova është Serbi”, dhe atyre nuk u pëlqen koncepti i Shqipërisë Etnike. Këto janë gjëra që i vendos komuniteti ndërkombëtar. Nuk janë gjëra subjektive, që i vendos një grup personash. Të hysh në këtë diskutim më duket pak e tepërt.

Zëri i Amerikës: A dëshironi vetë të theksoni ndonjë mesazh?

Olsi Rama: Do të thoja që unë dhe askush tjetër nuk do donim të bëheshim dëshmitare të ngjarjeve të tilla. Duke qenë edhe vetë një sportist besoj se sporti duhet të jetë një urë lidhëse midis kombeve dhe midis popujve për të gjetur mënyrën e komunikimit. Edhe në kohë të vështira, edhe në kohë mosmarrëveshjesh, sporti është një mjet që i duhet gjetur mësyra sesi të funksionojë. Edhe nëpërmjet kësaj ne tregojmë në radhë të parë respekt për vetveten pastaj dhe të tjerat. Mendoj se ajo që bënë serbët ishte e shëmtuar, ishte jashtë çdo kufiri dhe është e kotë që tentojnë të ngrejnë alibira me komplote politike, për arsye se ishin 32 mijë veta kundër 100. Ishin 32 mijë vetë që në kor gjithë kohën ulërisnin Vrisni shqiptarin dhe gjithë ato sloganet e tyre të pavend të dhunshme dhe barbare. Dëshiroj edhe një herë të theksoj që sporti të shërbejë si një urë lidhëse dhe jo si një mënyrë për të prishur raportet, por kjo nuk varet nga sportistët, varet nga të gjithë. Nganjëherë varet edhe nga politika që duhet të japë mësimin e vet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG