Lidhje

Nikolla Pano: Drejtësia, nevojë urgjente për reformim

  • Ilir Ikonomi

Nikolla Pano: Drejtësia, nevojë urgjente për reformim

Nikolla Pano: Drejtësia, nevojë urgjente për reformim

Profesori i Universitetit të Ilinoit Perëndimor, Nikolla Pano, thotë se sistemi juridik në Shqipëri ka nevojë për depolitizim dhe pastrim nga njerëzit e pakualifikuar. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, profesori i historisë thotë se pa një reformë të tillë të thellë hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të vonohet. Profesor Pano u intervistua nga kolegu Ilir Ikonomi

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, pas më shumë se dy vjetësh ngërçi politik, shumica dhe opozita në Shqipëri po shfaqin shenja bashkëpunimi. A mendoni se mosbesimi i thellë mes dy palëve tashmë është tejkaluar?

Prof. Nikolla Pano: Së pari, me lejoni të them se jamë mjaft i inkurajuar nga zhvillimet e disa javëve të fundit në Shqipëri. Duket se ka një interesim për t’i dhënë fund ngërçit politik që ka krijuar kaq vështirësi në vend. Jam i kënaqur që Partia Socialiste tani duket e angazhuar për të marrë pjesë në punimet e parlamentit si edhe në punën e komisioneve të ndryshme të tij. Mendoj se është tepër herët për të gjykuar në mënyrë përfundimtare mbi këtë çështje, por mendoj se të paktën për momentin, duket se kemi shenja pozitive. Natyrisht do të duhet të punohet për kodin zgjedhor. Për më tepër duket se ka një dëshirë nga të dyja partitë për të avancuar serinë e propozimeve që kërkojnë një shumicë prej tre të pestash për t’u miratuar. Pra, këto janë shenja pozitive dhe shpresëdhënëse. Unë do t’u bëja seriozisht thirrje partive në Shqipëri të vazhdojnë përpjekjet për të arritur mirëkuptim në këto çështje si dhe për t’u marrë edhe me probleme të tjera që kërkojnë vemendje.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët kodin zgjedhor, nevojën për riparimin e tij. Në të kaluarën kodit i janë bërë përmirësime, e megjithatë zgjedhjet kanë qenë të kontestuara. A kemi të bëjmë këtu me një problem të vetë kodit apo është problemi i zbatimit të ligjit ekzistues për zgjedhjet?

Prof. Nikolla Pano: Mendoj se janë të dyja. Së pari, një nga problemet në dy zgjedhjet e fundit ka qenë aktiviteti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Është e qartë se diçka duhet bërë për të reformuar këtë komision. Është e nevojshme të ketë një përfaqësim më të gjerë në përbërjen e komisionit, i cili duhet të përfshijë jo vetëm përfaqësues të partive politike por edhe të organizatave joqeveritare. Jam i sigurt se në Shqipëri duhet të ketë njerëz që mund të konsiderohen si politikisht të pavarur, reputacioni i të cilëve i kalon interesat e ngushta partiake. Njerëz të tillë duhet të përfshihen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Duhet patur parasysh se procesi zgjedhor kurrë nuk do të depolitizohet, megjithë përbërjen e komisionit. Por dyshimet e thella me të cilat u pa KQZ-ja gjatë zgjedhjeve të fundit dhe atyre të mëparshme, shtron pikëpyetje rreth përbërjes së tij, prandaj është e nevojshme që këtu të bëhen ndryshime. Përsa i përket legjislacionit, mendoj se duhet shqyrtuar me kujdes sistemi elektoral parlamentar. A funksionon sistemi i tanishëm i përfaqësimit proporcional? Ky duket se favorizohet nga shumë studiues politikë evropianoperëndimorë. Për fat të keq ka patur vështirësi me sistemet e kaluara zgjedhore, siç ishte ai që çoi në skandalin e Dushkut. Por mendoj se në fund të fundit, një sistem i zgjedhjes së drejtpërdrejtë në 100 ose 120 zona zgjedhore me disa klauzola që parashikojnë përfaqësimin e partive më të vogla do të ishte një zgjidhje ideale. Shpresoj se udhëheqësit politikë të Shqipërisë do t’i bëjnë një analizë të imtë sistemit të tanishëm, duke peshuar anët e tij të forta e dobëta para se ta reformojnë atë.

Zëri i Amerikës: Po sistemi i drejtësisë në Shqipëri, si i ka përballuar sfidat, që nga zgjedhjet e 2009-s dhe ato të fundit?

Prof. Nikolla Pano: Do të thosha se një ndër problemet më të mëdha të Shqipërisë është sistemi ligjor, sistemi juridik dhe mendoj se rrënjët e problemit shkojnë qysh përpara zgjedhjeve të 2009s. Ky është një nga problemet rrënjësore të tranzicionit pas komunist. Po cilat janë këto vështirësi? Së pari është nevoja për të depolitizuar sistemin ligjor. Është i nevojshëm emërimi i juristëve të kualifikuar pozita drejtuese. Për shembull është diçka për të ardhur keq që ka vështirësi në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese. Po ashtu kur shikon se disa gjyqtarë ose juristë transferohen në mënyrë periodike, ose kur shikon se disa gjyqtarë janë të përfshirë kokë e këmbë në korrupsion, gjë që minon besueshmërinë e sistemit ligjor. Në Shqipëri, ka gjithashtu gjyqtarë që më duket se nuk janë sa duhet të kualifikuar për postet që mbajnë. Disa prej tyre kanë mbaruar kurse speciale, gjashtëmujore në fillim të dekadës së kaluar. Pjesë e problemit janë gjithashtu vështirësitë në ndjekjen ligjore të veprave kriminale. Ka gjithfarë pengesash për ata që merren me ndjekjen ligjore të elementëve kriminalë të lidhur me pushtetin. Edhe ndjekja ligjore e veprave të korrupsionit pengohet. Megjithëse në këto fusha ka patur një farë përparimi, kjo është një çështje shumë serioze që duhet zgjidhur. Pra, sistemi juridik ka një nevojë të ngutshme për reformë dhe pastrime. Edhe në raportet e Bashkimit Evropian për Shqipërinë, një nga çështjet që theksohet gjithmonë është se sistemi juridik në Shqipëri është i korruptuar dhe nuk funksionon në mënyrë të efektshme. Në jurisprudencën perëndimore ka një parim që thotë, drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Po të shikosh disa episode kyçe të disa viteve më parë, ato ende nuk janë zgjidhur. Të tilla janë Gërdeci për shembull ose hetimet rreth incidenteve të 21 janarit të këtij viti, të cilat po zvarriten me lloj-lloj pengesash. Po ashtu edhe incidenti i videopërgjimit, Meta-Prifti. Për mua, për shembull, vendimi i Gjykatës së Lartë për të mos lejuar ekspertë të huaj për të ekzaminuar videot lidhur me natyrën e tyre, është një mangësi serioze. Të gjitha këto tregojnë se sistemi ligjor dhe juridik i Shqipërisë duhet të reformohet në mënyrë të thellë. Pa u bërë kjo, hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të vonohet.

Zëri i Amerikës: Na ndihmoni ju lutem të kuptojmë, cili është ndryshimi me sistemin amerikan të drejtësisë, sepse edhe në Shtetet e Bashkuara ka shumë çështje gjyqësore që zgjaten dhe zvarrisen.

Prof. Nikolla Pano: Po, edhe në Shtetet e Bashkuara kemi shumë probleme të tilla si vonesa në procesin juridik, ose kur individë të financuar mirë ose korporata mund t’i zvarrisin procedurat juridike deri në pikën ku atyre që i ngrejnë këto çështje u mohohet drejtësia. Kjo nuk ka diskutim. Por në të njëjtën kohë, në Shtetet e Bashkuara ka mekanizma që i trajtojnë këto gjëra, ekziston një trysni e vazhdueshme nga poshtë për zgjidhjen e këtyre problemeve, ndërsa në Shqipëri kjo trysni nuk është. Ka gjithashtu edhe një ndryshim tjetër, fakti që Shqipëria po kërkon anëtarësim në Bashkimin Evropian, pra në rastin e Shqipërisë ka një urgjencë më të madhe për t’i zgjidhur këto probleme.

Zëri i Amerikës: Nëse Presidenti Topi, pasi të jetë larguar nga presidenca krijon një parti të re, siç përflitet, sa ndikim mund të kishte kjo parti në jetën poltike të vendit?

Prof. Nikolla Pano: Po të shikosh formimin e partive të reja nga partitë e mëdha në Shqipëri, rezultatet nuk kanë qenë shumë pozitive. Kjo duke filluar që nga viti 1992 me formimin e Aleancës Demokratike. Po kështu ka patur formime të partive të tjera që janë shkëputur nga partitë e mëdha, ka patur madje shkëputje edhe nga parti më të vogla. Do të thosha se, si rregull, partitë që janë shkëputur nuk kanë patur sukses. Një përvojë e ndryshme ka qenë rasti i Lëvizjes Socialist për Integrim të Ilir Metës që u formua në vitin 2004. Ajo pati një farë suksesi. Por ajo e pati këtë sukses si rrjedhojë e disa rrethanave politike të krijuara në Shqipëri. Ajo ka patur rol, dhe ka qenë një nga faktorët që çuan në humbjen e socialistëve në vitin 2005 si dhe në zgjedhjet mjaft të kontestuara të 2009s. Këto kanë qenë rrethana mjaft të veçanta. Por nuk ka garanci për sukses nëse Presidenti Bamir Topi dhe aleatët e tij krijojnë një parti të re për zgjedhjet e 2013-s. Nuk mendoj se ajo parti do të tërhiqte një mbështetje të madhe popullore.

XS
SM
MD
LG