Lidhje

FMN: Energjitika në Shqipëri, sektor problematik

  • Rudina Dervishi

Shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, i tha Zërit të Amerikës se sektori i energjisë ka disa probleme themelore që kërkojnë zgjidhje dhe se vendi duhet të shfrytëzojë rezervat e mëdha hidro-energjitike. Zyrtari i Fondit Monetar Ndërkombëtar theksoi gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të sistemit të kompensimit të taksave. Në intervistën me gazetaren e VOA-s Rudina Dervishi, shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë tha se vëren shenja të një rritjeje të besimit në ekonominë shqiptare.

Zëri i Amerikës: FMN-ja miratoi këstin e dytë të kredisë për Shqipërinë, bazuar në faktin se vendi ka arritur angazhimet sipas marrëveshjes. Çfarë do të veçonit si zhvillim pozitiv në ekonominë shqiptare dhe çfarë nuk ka shkuar ashtu siç ju do të kishit dëshiruar?

Nadeem Ilahi: Kemi parë shumë gjëra pozitive sa i përket ekonomisë që nga gjashtë muajt e fundit, si veprime të ndërmarra nga qeveria ashtu dhe disa shenja rimëkëmbjeje. Prandaj, një aspekt në të cilin unë do të thoja se shohim përmirësim është rifitimi i besimit. Nuk kemi ende shifra të ekonomisë reale për të treguar nëse rritja ekonomike ka përparuar apo jo, por ne shohim shenja, prej anketave, që besimi në sektorë të ndryshëm të ekonomisë është përmirësuar. Pjesa e vetme që bën përjashtim është besimi i konsumatorëve, por sa i përket investimeve dhe sektorëve të tjerë vihet re një përmirësim i qartë në prirjen e tyre. Ne shpresojmë që kjo të shndërrohet në përforcim të aktivitetit ekonomik. Sa i përket dobësive, një sektor i rëndësishëm është ai i energjitikës. Kemi parë disa zhvillime në të, por nuk kemi parë veprime të fuqishme nga qeveria për të zgjidhur çështjet themelore që janë problem për këtë sektor dhe ekonominë.

Zëri i Amerikës: Qeveria shqiptare po përpiqet të shlyejë detyrimet e saj ndaj biznesit privat dhe ka alokuar rreth 287 milionë dollarë për këtë qëllim nga buxheti i shtetit. Pritej që ky likuiditet të rriste aktivitetin ekonomik, në veçanti kreditimin bankar, që ka pësuar rënie në pesë muajt e fundit. Si e shpjegoni këtë?

Nadeem Ilahi: Keni të drejtë, pagesa e detyrimeve të prapambetura ka nisur dhe ne shohim shenja që këto pagesa po kryen dhe këto shifra pritet të rriten. Keni gjithashtu të drejtë që nuk ka shenja në sektorin e kreditit. Një shpjegim për rënien e kreditimit është dhe fakti se bankat kanë fshirë nga regjistrat e tyre kreditë e këqija, diçka që ul rritjen e kreditimit në mënyrë artificiale. Nëse heqim atë element, kreditimi ka qenë kryesisht i pandryshuar. Por keni të drejtë që pritej një rritje, meqënëse bilanci i bizneseve private u përmirësua dhe do të ishte normale që bankat t’u jepnin më tepër borxhe. Kjo është diçka që kërkon kohë. Ne po shohim politika të mira, bankat po shohin likuiditet tek klientët e tyre që po paguhen nga qeveria dhe mendohet që gjërat duhet të nisin të përmirësohen. A ka qenë ky një proces më i ngadaltë nga ç’prisnim ne? Mendoj se jo, sepse megjithëse kjo është diçka që shpesh ndodh relativisht shpejt, kemi parë hapa për të pakësuar kreditë e këqija dhe për të përmirësuar mjedisin për rritje të kreditimit, kështu që do të thoja që është thjesht çështje kohe.

Zëri i Amerikës: Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat nga taksat janë rritur me 10 për qind, në pesë muajt e fundit. A mendoni se kjo është një rritje e kënaqshme, duke pasur parasysh se ka pasur ngritje të taskave, si dhe faktin që nuk ka pasur ndikim në buxhet?

Nadeem Ilahi: Po, është e vërtetë që po shohim përmirësim të të ardhurave prej taksave dhe gjatë misionit të fundit ne i kushtuam mjaft vëmendje kësaj çështjeje. Ka disa elementë përmirësimi tek administrimi dhe mbledhja e taksave që po çon në këtë përmirësim të të ardhurave. Një faktor që ka ndikuar është dhe fakti se është një moment më i qetë për Shqipërinë, ndërkohë që viti i kaluar ishte një vit i vështirë sepse ishin zgjedhjet, kalimi i pushtetit. Pra, ka një përmirësim, por ne kemi dhe disa rezerva mbi kompesinmin e taksave, nëse ato janë bërë si duhet. Dhe para se kompensimet të jenë bërë në nivel të përshtatshëm, nuk mund të kuptosh se sa pozitive ishin të ardhurat. Ne kemi zhvilluar bisedime me qeverinë mbi këtë çështje dhe shpresojmë të bisedojmë sërish për përmirësimin e kompensimeve, sepse në fund të fundit bizneset do të paguajnë taksat, por një pjesë e këtyre parave duhet t’u kthehet, si TVSH-ja për shembull. Një nga elementët e programit tonë është përmirësimi i klimës së kompensimeve, në mënyrë që bizneset të mos shqetësohen se po paguajnë taksa apo aksione që nuk do të kompensohen kur duhet. Kjo është arsyeja pse ne jemi disi të kujdesshëm kur gjykojmë të ardhurat e deritanishme prej taksave, megjithatë ka shenja të qarta që gjërat po përmirësohen. Nuk ka dyshim për këtë, sidomos sa i përket TVSH-së. Mbledhja e disa taksave të tjera nuk ka qenë aq e mirë, por mendoj se pjesërisht kjo ka të bëjë me procesin e kalimit në regjimin e ri me tatim progresiv mbi të ardhurat dhe me rritje të përqindjes për taksën e biznesit. Gjithsesi, në vija të përgjithshme, ne shpresojmë që do të jetë një përmirësim.

Zëri i Amerikës: Duke u bazuar sërish tek këto shifra, qeveria ka shkurtuar shpenzimet – diçka që kërkohej dhe nga ju, sipas marrëveshjes – si dhe ka shkurtuar investimet. Si do të ndikojë kjo në rritjen ekonomike të mëvonshme?

Nadeem Ilahi: Shkurtimi i shpenzimeve – me duhet t’ju korrigjoj – nuk ishte shumë i kërkuar në programin tonë. Ndërhyrjet që ne bëmë në buxhetin e fundit ishin shumë më të përqëndruara tek të ardhurat. Ne kishim theksuar se Shqipëria kishte të ardhura të ulëta dhe shpenzime të ulëta, krahahasuar me vende të tjera në rajon. Kjo bën që të mos ketë shumë mundësi për shkurtime, por ka mundësi për rritje të të ardhurave. Kjo është ajo që theksuam dhe kjo është arsyeja pse pati rritje të nivelit të taksimit. Ajo që ndodhi është se, për shkak të ndryshimit të qeverisë dhe të administratës publike në nivele të larta, shpenzimet publike për projektet madhore u ngadalësuan paksa, sepse qeveria dëshironte të shihte secilin prej tyre me vëmendje. Kjo solli një rënie të fortë të shpenzimeve në tremujorin e parë. Ne u thamë se kjo nuk duhet të ndodhte dhe se ata duhet të shpenzonim në bazë të shumës së caktuar në buxhet për këtë vit. Pra ata po shpenzonin shumë më pak se parashikimi për projektet e mëdha, por kjo është përmirësuar në muajt e fundit. Qeveria ka thënë se do të arrijë nivelet e shpenzimeve të parashikuara në buxhet dhe ne shpresojmë që dhe kjo gjë të ndihmojë në përmirësimin e mjedisit ekonomik dhe në rolin e qeverisë në mbështetje të ekonomisë.

Zëri i Amerikës: Ju keni përmendur sektorin e energjitikës si një rrezik të madh për ekonominë shqiptare dhe financat publike. Një problem i madh ka qenë çështja e CEZ-it, që u zgjidh. Çfarë ndikimi do të ketë kjo në këtë sektor dhe çfarë masash do duhet të merrte qeveria që diçka e tillë të mos përsëritej?

Nadeem Ilahi: Mendoj se marrëveshja me CEZ-in është një zhvillim i mirëpritur, sepse heq një element pasigurie në këtë sektor që kishte mbizotëruar prej më shumë se një viti. Zgjidhja e kësaj çështjeje lejon tashmë qeverinë që të jetë gati të merret me probleme reale të sektorit. Në një këndvështrim më të gjerë, mendoj se sektori i energjisë në Shqipëri është në një farë mënyre një problem i shkaktuar ndaj vetes, sepse hidro-elektriciteti është një rezervë natyrore shumë e madhe që Shqipëria ka. Si nafta, që eksportohet prej shumë vendeve, energjia hidrike është diçka që Shqipëria duhet të eksportojë duke fituar të ardhura të shumta. Pse është ky një problem e i vetë-shkaktuar? Sepse problemet që janë krijuar nga regjimet e ndryshme të mëparshme kanë çuar në një sektor që nuk mbledh dot të ardhura të mjaftueshme për mbarëvajtjen e vet. Si pasojë është bërë një sektor pa likuiditet dhe i paaftë të paguajë detyrimet. Ku qëndron problemi? Problemi është se ka shumë rrjedhje në aspektin e konsumit: njerëzit nuk paguajnë faturat, vjedhin energji, bizneset vjedhin energji – të gjithë e dinë këtë – dhe vetëm një pjesë e vogël e njerëzve paguan faturat. Prandaj të rrisësh çmimin është diçka e padrejtë kundrejt njerëzve që paguajnë faturat. Qeveria po punon më ngushtë me Bankën Botërore për këtë problem, por këshilla jonë ka qenë se kjo gjë duhet të zgjidhet, ky sistem duhet rregulluar. Në aspektin afatshkurtër, prodhuesi ka nevojë të ketë më shumë para në dispozicion, në mënyrë që të mund të përballojë krizat prej rreshjeve të pakta të shiut, sepse rreshjet thjesht nën nivelin normal do të krijonin një krizë. KESH duhet të ketë para të mjaftueshme për të paguar importe afatshkurtra. Në aspektin afatgjatë ose afatmesëm, qeveria duhet të ndërmarrë reforma në mënyrë që disa prej bizneseve që paguajnë tarifa fikse ose kanë subvencione të tjera të kalojnë në sistemin e çmimit të tregut. KESH-i apo qeveria nuk duhet të ofrojnë rezervat energjitike në këtë mënyrë, sepse këto nuk janë sigurime shoqërore por energji dhe duhet paguar në mënyrën e duhur. Duket se qeveria dëshiron ta zgjidhë këtë problem dhe dëshiron ta zgjidhë në mënyrë gjithëpërfshirëse, por është gjithsesi një problem i vështirë që është krijuar në vite dhe do të duhet kohë për ta zgjidhur.

Zëri i Amerikës: Ndoshta kjo ishte arsyeja që u zgjodh një kompani e huaj për t’u marrë me ato lloj problemesh që përmendët. Mendoni se KESH-i, i vetëm, do të jetë në gjendje të zgjidhë të gjitha problemet?

Nadeem Ilahi: Mendoj se çështja e administrimit të hallkave të ndryshme të sektorit të energjisë është një çështje shumë e rëndësishme. Kjo sepse njerëzit që administrojnë janë ata që do të mbledhin paratë që duhen mbledhur prej shitjes së elektricitetit. A do të arrijnë ata ta bëjnë këtë? Kjo kërkon dhe shumë mbështetje nga qeveria, që duhet të thotë “po, ju mbështesim në të drejtën tuaj për të mbledhur paratë e faturave” dhe njerëzit duhet të paguajnë faturat dhe duhet të konsiderohet krim kur nuk paguhet fatura e energjisë. Pra, thjesht një transferim i administrimit tek një kompani tjetër nuk do të zgjidhë problemin. Kemi të bëjmë dhe me një problem qeverisjeje që gjithashtu duhet të zgjidhet dhe në takimet tona të nivelit të lartë kemi krijuar përshtypjen se qeveria po ndërmerr një angazhim për ta zgjidhur këtë problem një herë e mirë. Mendoj se ky është një moment i përshtatshëm për ta bërë këtë sepse disponohet mbështetje financiare nga Banka Botërore dhe nga programi ynë.

Zëri i Amerikës: Ka shqetësime lidhur me ndikimin që rritja e çmimeve të energjisë do të ketë për vitin e ardhshëm. A mendoni se kjo është një lëvizje e pashmangshme?

Nadeem Ilahi: Mendoj se pjesërisht është e pashmangshme, por siç thashë dhe më parë, problemi qëndron diku tjetër. Mendoj se tashmë qeveria dhe kolegët tanë të Bankës Botërore janë dakord se problemi i vjedhjes së energjisë dhe i rrjedhjes duhet të zgjidhet. Nëse do të kishim vetëm rritje të çmimeve do të ishte diçka e padrejtë dhe problemi nuk do të zgjidhej. Prandaj, në një farë mënyre, ky veprim nuk duhet të jetë prioritet kryesor. Megjithatë, ndoshta një pjesë duhet bërë, si për disa tarifa të biznesit, ato fikse, për shembull, të cilat mendoj se duhen rregulluar. Por, ashtu si në shumë vende, problemi i vërtetë qëndron tek aspektet e tjera.

Zëri i Amerikës: Tashmë që kanë kaluar 6 muaj të vitit 2014, a parashikoni ende një rritje ekonomike prej 2.1 për qind? Ndërkohë Instat-i publikoi disa të dhëna sipas të cilave PBB-ja u rrit me 1.78 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por vetëm me 0.16 për qind po të krahasohet me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Nadeem Ilahi: Mendoj se ka disa shenja – si besimi, të cilin e përmenda më parë – që tregojnë se ka rritje. Kur ishim në Shqipëri në maj, gjë mbi të cilën do të lexoni në raportin e personelit të FMN-së që do të publikohet së shpejti, nuk patëm arsye të mendonim se gjërat do të ishin ndryshe. Rritja prej 2.1 për qind është mjaft e arritshme. Pse mendojmë kështu? Një arsye është gjithashtu fakti se shohim dhe një rritje dhe në sektorin e prodhimit dhe eksporteve. Por, siç thashë më parë, besimi i konsumatorëve është thelbësor dhe ky aspekt nuk ka shënuar rezultate të mira. Megjithatë është ende një çështje gjykimi rreth situatës. Shifrat e fundit të Instat-it mund të jenë duke sinjalizuar dobësi, por kjo është një ekonomi e vogël dhe mund të kthehet shumë shpejt. Le të mos harrojmë gjithashtu se rreth një javë më parë morëm lajmin e statusit kandidat për hyrjen në BE dhe kjo gjë mund të rrisë besimin, si për shembull në rastin e bizneseve që po konsideronin nëse të investonin, investitorëve të huaj, etj. Pra, një pjesë e mirë e këtyre aspekteve do të përcaktohen në muajt e ardhshëm. Mendoj se ka pasur një ndryshim madhor politikash sa i përket ekonomisë në 12 muajt e fundit. Prej këtij fakti, si sfond, dhe prej gjërave pozitive në të ardhmen ne shpresojmë të kemi një rigjallërim të ekonomisë. Një tjetër arsye që ekonomia ka qenë e ngadaltë ka qenë gjendja jo e mirë e partnerëve të huaj, por edhe në këtë aspekt shohim që perspektiva për Italinë dhe Greqinë ëshë përmirësuar. Prandaj ne ende shpresojmë të arrihet rritja ekonomike prej 2.1 për qind. Megjithatë, ne do të shkojmë në Shqipëri sërish në gusht, kur do të kemi mundësi t’i rishqyrtojmë këto shifra dhe do t’i ndryshojmë nëse ka nevojë të jenë më lartë apo më poshtë, në varësi të asaj që do të vërejmë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG