Lidhje

Moisiu: Kushtetuta nuk ndryshon për interesa ditore të partive


Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, deklaroi sot se heqja e imunitetit të zyrtarëve dhe ndryshimet në Kushtetutë duhen bërë me kujdes. Zoti Moisiu organizoi sot një forum me juristë të njohur dhe veprimtarë të të drejtave njerëzore, ku u theksua në një deklaratë të përbashkët se Kushtetuta nuk mund të ndryshojë sa herë e kërkojnë interesat e çastit të partive politike. Ish-presidenti Moisiu tha se drejtësia nuk i ka dënuar zyrtarët edhe kur i ka patur pa imunitet, ndërkohë që luksin dhe pasuritë e pajustifikuara të politikanëve qytetarët i kanë çdo ditë para syve.



Zoti Moisiu! Cili është në thelb shqetësimi juaj mbi nismat e fundit për ndryshimet e Kushtetutës lidhur me imunitetet e zyrtarëve të lartë shtetërorë. Ju jeni kundër heqjes së imuniteteve apo po analizoni çështje të tjera të këtij procesi?

Përkundrazi, ne nuk jemi kundër heqjes së imunitetit. Kjo doli qartë edhe nga diskutimet e pjesëmarrësve të forumit, por ne jemi kundër kësaj procedure që po ndiqet. Nëse duhet ndërhyrë në Kushtetutë, atëherë duhet të ndërhyjmë për të gjitha problemet, jo të na bëhet Kushtetuta si një leckë, një pjesë sot, një pjesë nesër e një pjesë pasnesër. Kemi përvoja shumë negative si ajo e vitit 2008, për të cilën ne po paguajmë kosto si qytetarë ende sot. Nëse vazhdojmë kështu sipas oreksit të politikës të ditës të fusim duart në Kushtetutë, kjo nuk është e drejtë. Këtë nuk e bën asnjë vend. Nëse duhet ta bëjmë këtë punë, duhet ta bëjmë ashtu si duhet bërë. Nëse bindemi se duhet ndërhyrë, atëherë duhet të krijohet një komision, të bëhet një punë e madhe, të thithen mendime nga shoqëria civile, nga konstitucionalistët, nga specialistët kryesorë dhe pastaj të arrihet në konkluzione se çfarë duhet bërë dhe çfarë jo. Ne për këtë jemi.

Zoti Moisiu! Ndërkohë që po diskutohet heqja e imunitetit për zyrtarë të lartë, apo kufizimi i imuniteteve për gjyqtarët në Shqipëri, bota e krimit vazhdon të sofistikohet dhe gjyqtarë dhe njerëz të drejtësisë ndeshen me krimin e organizuar. Si mendoni se mund të zgjidhet kjo mospërputhje në debatin për imunitetet e tyre?

Ligji për krimet e rënda është miratuar që në vitin 2002, dhe sic e dini gjykata e krimeve të rënda është organizuar më 2003. Kam qenë në krye të shtetit atëherë dhe jam marrë me këtë problem, sipas detyrimeve kushtetuese që kasha. Mund t’u them që ende në atë ligj figuron që këta anëtarë dhe gjykatës së krimeve të rënda duhet të kenë makina të blinduara, duhet të kenë truproje dhe akoma kjo punë nuk është zbatuar.

Zoti Moisiu! Prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, ka thënë që imuniteti i zyrtarëve i pengon prokurorët që të hetojnë për korrupsionin. Cili është mendimi juaj lidhur me punën e drejtësisë apo me mungesën e vullnetit të politikanëve shqiptarë për të luftuar më mirë korrupsionin edhe pa qenë nevoja për të prekur imunitetet e zyrtarëve?

Në fakt edhe kur është hequr imuniteti politikanëve nga parlamenti dhe prokuroria ka bërë atë punë që ka bërë, kur ka vajtur në gjyqësor, këto gjëra janë sfumuar. Ende janë edhe 2 procese të njohur, por ende janë “pending”. Unë 5 vjet në krye të shtetit u ktheva në shtëpinë ku isha, tani i ke deputetët dhe nuk merret vesh se si i bëjnë nga 2-3 shtëpia, në Tiranë, në bregdet e në mal, me disa makina… Me rrogë këto nuk bëhen se me rrogë nuk i bën as presidenti që e ka pagën më të lartë nga të gjithë. Dihet që kam bërë një libër “Midis Nanos dhe Berishës” dhe në parathënie kam theksuar: “Rilindasit tanë shkrinë jetën dhe pasurinë e tyre për të bërë Shqipërinë, ndërsa sot, më vjen keq që po shkrihet Shqipëria për t’u pasuruar politikanët”.

Zoti Moisiu, cili është mesazhi juaj për politikanët dhe zyrtarët shqiptarë dhe drejtësinë shqiptare për ta goditur më mirë korrupsionin në Shqipëri?

Vullneti politik mungon, sepse këto punë bëhen para syve të politikës, para syve të atyre që kanë pushtet. Korrupsion nuk mund të bëjë një njeri i thjeshtë, por bën ai që ka diçka në dorë, dhe atë diçka në dorë ta jep pushteti, nuk e merr dot kollaj. Pra, siç thashë, këto gjëra bëhen para syve të pushtetit dhe për t’i eleminuar këto duhet vullneti politik. Boll më me fjalë! Politika, qoftë e majta, qoftë e djathta, deri tani vetëm kanë folur përsa i përket korrupsionit, por nuk kanë marrë absolutisht asnjë masë konkrete për ta shkulur këtë sëmundje të egër që po i thith, po i thith vërtet, të mirat e këtij vendi.

Zoti Moisiu! Ju falemnderit për intervistën!

Trego komentet

XS
SM
MD
LG