Lidhje

Kosova kërkon të tërheq investime të huaja


Dhoma e tregëtisë së Kosovës në bashkëpunim me Dhomën amerikane të Tregëtisë organizoi dje në Uashington një forum që synonte të tërhiqte vëmendjen e biznesit amerikan ndaj mundësive që ofron Kosova. Agjenci të ndryshme bënë prezantime duke theksuar legjislacionin e avancuar dhe ambjentin favorizues për të bërë biznes në Kosovë.

Ndërsa kryeministri i Kosovës argumenton në Kombet e Bashkuara në Nju Jork përparimin e bërë në aspektin politik, një delegacion i qeverisë shoqëruar nga përfaqësues të biznesit prezantoi me entuziazëm në Uashington mundësitë që ofron Kosova për investimet e huaja. Pjesëmarrësit në forum argumentuan rritjen ekonomike të vendit dhe ndryshimet e bëra në legjislacion për të përmirësuar klimën e biznesit si favorizuese për kapitalin e huaj. dhe marrëveshjet tregëtare që e vënë Kosovën në një pozitë të favorshme për kapitalin e huaj.

Megjithëse një treg i vogël për kapitalin amerikan, zëvendës kryeminstrja Mimosa Kusari Lila thotë se Kosova ka arritur një numër marrëveshjesh të tregëtisë së lirë që e bëjnë atë një pikënisje për tregjet evropiane.
"Ne jemi përfitues të disa marrëveshjeve tregëtare të cilat e bëjnë Kosovën shumë atraktive për të prodhuar në Kosovë dhe për të eksportuar në vende të tjera përfshi këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me të cilat jemi edhe përfitues të sistemit preferencial të përgjithshëm e cila lejon që produkte në industri të caktuara pa tarifë doganore të eksportohen në SHBA por gjithashtu edhe në vendet e Bashkimit Evropian dhe natyrisht marrëveshja e tregëtisë së lirë, CEFTA".

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, thotë se marrëveshjet tregëtare të shoqëruara me legjislacionin e ri dhe forcën e lirë punëtore e vënë Kosovën në një pozitë më të mirë krahasuar me vende e tjera të rajonit.
"Hyrja e çdo ndërmarrje ndërkombëtare në tregun e Evropës juglindore rrugën më të lehtë e ka përmes Kosovës sepse legjislacioni i Kosovës është legjislacion i ri, i cili respekton normat dhe standartet ndërkombëtare. Nga aspekti i parashikueshmërisë së ngjarjeve Kosova qëndron më mirë sesa vende të tjera. Arsye tjetër është se popullësia e Kosovës është popullësi shumë e re. Ndërmarrjet ndërkombëtare mund ti përdorin të rinjtë tanë jo vetëm për të hyrë në tregun e Kosovës por për ti vendosur edhe në tregje të tjera. Ne jemi duke tentuar që të përgatisim gjenerata të reja jo vetëm për tregun e Kosovës por për tregun rajonal. Prandaj po i shfrytëzojnë këto konferenca për ta pozicionuar Kosovën si një hyrje e vogël në tregun e Evropës Juglindore për ndërmarrjet e mëdha".

Por nëse i hedh një vështrim raportit të fundit të Bankës Botërore Doing Business, Kosova radhitet ndër vendet e fundit në rajon për shkak të procedurave të gjata të regjistrimit, paqartësive të tjera në legjislacion, përfshi këtu mbrojtjen e investimeve të huaja. Zëvendës kryeministria Lila thotë se të gjitha këto kanë ndryshuar dhe këtë vit pritet një raport pozitiv.

Nick Cohen, përfaqësues i kompanisë EmberClear që po investon në fushën e energjisë thotë se kompanitë amerikane duhet ta shohin më me kujdes Kosovën.

"Kosova ka strukturë të politika të saj, ligje të reja që janë shumë miqësore për investimet e huaja. Është një vend që ja vlen veçanërisht për ato kompani që kërkojnë të investojnë në ekonomitë me rritje të shpejtë në Evropë. Evropa është tani në krizë financiare por Kosova ka rritje impresionuese. Me burimet e linjitit, burimet e tjera dhe profesionalizmin e qeverisë, mendoj se është një mundësi shumë e mirë biznesi me rrezik të ulët dhe fitime të mëdha".

Kosova ka mundësi të jashtëzakonshme qoftë për energjitë e ripërtëritshme qoftë në energjinë që prodhohet nga linjiti, që është një basion jashtëzakonisht i madh i linjitit dhe ne dëshirojmë që ta shfrytëzojmë atë për të mire të kosovarëve por edhe për të bërë një stabilitet energjitik në mbarë rajonin pasi i tërë rajoni është me problem energjitike, thotë ministri Beqja.

Kosova pritet të ketë një rritje ekonomike prej 4 përqindësh këtë vit falë procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore dhe shtimit të investimeve publike të bëra nga qeveria. Por investimet e huaja drejtpërdrejta do të jetë thelbësore për vazhdimin e rritjes ekonomike ndërkohë që papunësia mbetet e lartë dhe ashpërsohet konkurrenca e vendeve në rajon për të tërhequr biznesin e huaj.
XS
SM
MD
LG