Lidhje

Ekonomia ruse dhe investimet e huaja


Veprimet e fundit të Rusisë në Ukrainë tronditën investitorët dhe fillimisht çuan në rënie të madhe të bursës ndërkohë që çmimi i arit u rrit. Investitorët janë të shqetësuar për sanksionet e mundshme amerikane dhe për kërcënimet e Rusisë se do të konfiskojnë asetet e huaja. Një ekspert thotë se çdo ndikim në klimën e investimeve mund të jetë i përkohshëm. Investitorët e huaj u rikthyen në Rusi vetëm pak vite pasi ky vend shpalli pamundësinë e pagimit të borxheve dhe hyri në luftë me Gjeorgjinë fqinje. Por një investitor i madh që u largua i zhgënjyer nga Moska pak vite më parë, ankohet se Rusia është tani një vend mjaft i egër për të bërë biznes.

Lufta e Rusisë me Gjeorgjinë në vitin 2008 u bë shkak për kritika nga vendet perëndimore dhe nga investitorët e zhgënjyer. Ajo u zhvillua për dy rajone separatiste të Gjeorgjisë.

Çdo luftë i shqetëson investitorët sepse krijon pasiguri dhe rrezik më të madh.

Falimentimi financiar i Rusisë në vitin 1998 i shqetësoi edhe më shumë investitorët. Disa u zotuan se nuk do të ktheheshin kurrë në këtë vend, i cili nuk ishte në gjendje të paguante këstin e borxheve, që arrinte në miliarda dollarë.

Por Rich Smith, ekspert për Ukrainën dhe Rusinë në firmën konsulente The Motley Fool, thotë se investitorët në fund të fundit shkojnë atje ku shikojnë se ka fitim. Ai i bëri komentet me Skype.

"Kompanitë amerikane të naftës vazhdonin të investonin në Rusi, firmat amerikane vazhdonin të shisnin mallra konsumi atje. Njerëzit kanë kujtesë të shkurtër. Në Rusi ndodhin gjëra që fillimisht duken të mëdha por pastaj gjendja normalizohet."

Themeluesi i firmës Hermitage Capital Management, William Browder, dikur kishte investime të mëdha në Rusi. Ai thotë se tani klima e investimeve atje është e tmerrshme:

"Në Rusi, shteti i së drejtës nuk ekziston, e drejta e pronës nuk ekziston fare. Mund të humbasësh shumë para kur ndodhin gjëra të tilla, si konflikti me Ukrainën."

Browder thotë se avokati i tij Sergei Magnitsky, u rrah në burg dhe vdiq atje. Magnitsky kishte akuzuar policinë ruse për korrupsion. Sipas zotit Browder, zyrtarët e korruptuar reaguan duke e akuzuar Magnitskyin dhe atë vetë për mashtrime me taksat që kapnin miliona dollarë.

Ky rast bëri që Moska t'i jepte fund birësimit të jetimëve rusë nga ana e amerikanëve në shenjë hakmarrjeje për sanksionet që vendosi Uashingtoni kundër zyrtarëve rusë.
Zoti Browder, tani në Londër, thotë se korrupsioni është mjaft i përhapur në Rusi. Ai ende përballet me një padi dhe me kërcënime me vdekje nga Moska.

"A dëshiron qeveria të krijojë një mjedis të tillë armiqësor për biznesin, për gjeopolitikën? Kjo do ta bënte të pamundur që njerëzit të shkonin atje për biznes. Dhe me ato që po shohim tani, kjo mund të ndodhë lehtë," thotë ai.

Ndërkohë, tensionet lidhur me Ukrainën po e bëjnë klimën e investimeve në Rusi më komplekse dhe më të vështirë. Uashingtoni ka imponuar kufizime të reja për viza si dhe sanksione financiare mbi rusët e të tjerët që kërcënojë Ukrainën.

Bashkimi Evropian ka bllokuar pasuritë e disa ish-zyrtarëve të Ukrainës, ndërkohë që po i ofron vendit miliarda dollarë ndihma.
XS
SM
MD
LG