Lidhje

Ndahet nga jeta Ipeshkvi i Sapës, Imzot Luçjan Avgustin


U nda sot nga jeta, në mënyrë të parakohshme, në moshën 53 vjeçare, Ipeshkvi i Dioqezës së Sapës, imzot Lucjan Avgustini. Në fund të muajit shkurt, Imzot Avgustini u diagnostikua, në një spital në Itali, me tumor në kokë.

Dioqeza e Sapës përfshin Vaun e Dejës, Pukën dhe Mirditën.

Imzot Lucjan Avgustini lindi me 23 gusht të vitit 1963 në Ferizaj të Kosovës. U diplomua në fakultetin teologjik në Zagreb dhe më 15 gusht të vitit 1989 shugurohet meshtar në Zym të Hasit nga Imzot Nikë Prela. Në fillim të marsit 1991 vjen për herë të parë në Shqipëri si i dërguar i Ipeshkvit të Kosovës. Merr pjesë në hapjen e shtëpisë së parë të murgeshave të Nënës Terezë në Tiranë dhe pastaj në hapjen e Kishës Katedrale në Shkodër. Në vitin 1992 emërohet drejtor i Caritas-it të Kosovës, institucion ky i sapoformuar.

Në dhjetor të vitit 2006 imzot Lucjan Avgustini emërohet Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës dhe më 6 Janar të vitit 2007 shugurohet Ipeshkëv në Katedralen “Nënë Tereza” në Vau-Dejës.

Ndarja nga jeta e Ipeshkvit Lucjan Avgustin shënon humbjen e dytë brenda pak muajsh në drejtimin e kishës katolike në Shqipëri. Në dhjetor të vitit të kalur u nda nga jeta Arqipeshkvi i Arkioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, imzot Rrok Mirdita.

XS
SM
MD
LG