Lidhje

Një afarist 18 vjeçar në Los Anxhelos


iPhone është bërë një prej telefonave celularë më të popullorë në Shtetet e Bashkuara. Një 18-vjeçar, nxënës në Los Angeles është duke e përdorur këtë pajisje për të krijuar biznesin e tij. Dhe tani ai njihet si afarist në shkallë kombëtare.


Në një lagje të qetë në Los Angeles ndodhet qendra e kompanisë TechWorld për iPhone. Dhe truri prapa TechWorld është Vincent Quigg.

"Unë jam 18 vjeç; gjimnazist, shef ekzekutiv dhe themeluesi i firmës TechWorld, e specializuar për përshtatjen dhe riparimin e telefonëve inteligjent ose iPhone".

Karla Quigg thotë se djali i saj e kishte në mendje këtë biznes që në moshë shumë të re.

"Ai gjithmonë është përpjekur për të bërë ndonjë dollarë shtesë. Dhe kjo e shtyu në rrugën e biznesit që në moshë tepër të re."

Vincent Quigg e krijoi kompaninë TechWorld ndërsa ishte nxënës në shkollë të mesme, me ndihmën e një organizate të quajtur Rrjeti për përgatitjen e sipërmarrësve.

"Kur prindërit u divorcuan, unë u përpoqa për të ruajtur stilin e jeteës time. Kjo më nxiti për të gjetur mënyra të ndryshme për të përballuar financiarisht mbajtjen e telefonit celular, si dhe të kisha një makinë a një mjet transporti e të tjera. Kjo më shtyu t'i hyja biznesit."

Nëna e tij, Karla, thotë se fillimisht Vincent e kishte të vështirë për të krijuar një plan pune për biznesin e tij.

"Fillimisht, ai la shkollën, për të cilën unë mbeta shumë e zhgënjyer."

Por Vincent dukej se dinte se ç'bënte. Ai jo vetëm iu kthye mësimeve, por gjithashtu fitoi konkursin kombëtar për sipërmarrësit të rinj.

Estelle Reyes është Drejtoreshë Ekzekutive e shoqatës për sipërmarrësit e rinj në Los Anxhelos.

"Vincent ka një talent të pabesueshëm për të shprehur ëndrrat e tij në mënyrë shumë bindëse për të gjithë rreth tij."

Brisa Munoz është një prej klientëve të kënaqur të firmës TechWorld për iPhone.

"Unë kisha dëgjuar aq shumë për këtë të ri në internet dhe desha që ai të rregullonte telefonin tim."

Biznesi deri tani ka ecur mirë. Vincent Quigg thotë se nëpërmjet punës me iPhonët ai fiton rreth 1 mijë e 500 dollarë në muaj. Ai gjithashtu ka punësuar dy persona të tjerë. Kacee Wheeler është një prej tyre.

"Vincent është një djalë i mahnitshëm që çdo ditë idetë i kthen në realitet."

Wheeler tani kujdeset për anën teknike, ndërsa Vincent Quigg merret me financat dhe planifikimin e biznesit.

"Një nga qëllimet e mia më të mëdha është që gjithmonë të punoj për vete ose të mos kem njeri mbi kokë. Dua të ndjehem se jam i vetë-punësuar. Dhe kur marr rrogën, dhe kjo është e madhe, të paktën e di se kam përmbushur një ëndërr."

Dhe firma TechWorld është hapi i parë në plotësimin e ëndërrës së afaristit adoleshent Vincent Quigg.
XS
SM
MD
LG