Lidhje

Irak, qeveria humb kontrollin e Falluxhës


Sipas njoftimeve të sotme, qeveria irakiane ka humbur kontrollin e qytetit Falluxha, pas disa ditë luftimesh me militantët e al – Kaidës.

Një zyrtar i lartë i sigurisë i tha agjencisë franceze të lajmeve se Falluxha është nën kontrollin e grupit ISIS, ose Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë, organizatë e lidhur me al – Qaidën.

Dëshmitarët thonë se brenda këtij qyteti të provincës Anbar nuk ka shenja të forcave qeveritare. Falluxha ndodhet vetëm 60 kilometra në perëndim të Bagdadit.

Dje, militantët e al - Kaidës ngritën flamurin e tyre mbi objektet qeveritare në Falluxha dhe shpallën një shtet islamik të pavarur.

Dëshmitarët thanë se militantët prenë linjat e energjisë në qytet mbrëmë vonë dhe urdhëruan banorët të mos përdorin gjeneratorët elektrikë.

Një gazetar vendas, i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak të frikës nga hakmarrja, i tha gazetës Washington Post se policia dhe forcat e tjera të reshtuara me qeverinë, kishin braktisur qytetin dhe se al - Kaida kishte djegur të gjithë flamujt kombëtarë të Irakut .

Luftimet në hapësirat e mëdha të hapura të Irakut perëndimor janë bërë një provë e vështirë e aftësisë së kryeministrit Nuri al-Maliki për të mbajtur vendin të bashkuar dhe për të parandaluar një luftë civile në shkallë të gjerë.
XS
SM
MD
LG