Lidhje

Beteja kundër ISIS në Mosul


Forcat irakiane morën të hënën nën kontroll një urë të rëndësishme në qytetin Mosul, në ofensivën e tyre për të dëbuar ekstremistët e Shtetit Islamik nga pjesa perëndimore e qytetit.

Zyrtarët thanë se forcat qeveritare kishin nën kontroll urën e katërt, ose urën që ndodhet në pikën më jugore të qytetit për të kaluar lumin e Tigrit. Luftimet kanë dëmtuar rëndë ose kanë shkatërruar urat. Duke marrë kontroll mbi urat ushtria do të jetë në gjendje të rivendosë trafikun mbi lum dhe të lëvizë trupa dhe furnizime.

Me intensifikimin e luftimeve në perëndim të Mosulit, po shtohen shqetësimet për fatin e civilëve në qytet. Kombet e Bashkuara flasin për një krizë humanitare në zonë, ku njerëzit po vuajnë nga mungesat e ushqimit, karburantit dhe furnizimeve mjekësore.

Shumë civilë janë larguar nga pjesa lindore e qytetit, e cila është nën kontrollin e forcave qeveritare pas ofensivës që filloi në nëntor.

James Jeffrey, analist i Institutit Për Politikat në Lindjen e Afërme thotë se deri tani forcat irakiane kanë qenë shumë të kujdesshme në pjesën perëndimore, pasi kanë nxjerrë mësime nga përvoja e ofensivave në Tikrit dhe Ramadi.

"Viktimat në mesin e popullatës civile janë gjithmonë shqetësuese, por këto viktima ndahen në dy kategori: të rastësishme ose të qëllimshme. Por pavarësisht nga kategoria ku bëjnë pjesë, nëse ka një numër të madh viktimash dëmtohet fryma e përgjithshme e popullatës, siç ka ndodhur në Alepo. Por këtu nuk ka ndodhur e njëjta gjë,” thotë zoti Jeffrey.

Ndihma e Ushtrisë Amerikane

Trupat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA, të cilat shërbejnë zyrtarisht në kapacitetin e konsulentëve dhe njësive stërvitore, kanë ndihmuar forcat irakiane në ofensivën për marrjen e Mosulit.

Në bazë të marrëveshjes dypalëshe, forcat amerikane nuk janë të autorizuara të përfshihen në konflikt. Por sipas Kolonelit të Forcave Ajrore John Dorrian, trupat amerikane ishin kaq pranë vijës së frontit, saqë u bënë objekt sulmi dhe u kundërpërgjigjën me zjarr.

Që kur filloi ofensiva më 19 shkurt, komandantët amerikanë dhe irakianë kanë folur për një rezistencë të fortë nga ISIS për të mbrojtur bazën e fundit në një zonë urbane të Irakut.

Avancim i Ngadaltë

Me fillimin e ofensivës së fundit, ekspertë irakianë thonë se popullata e dendur civile që jeton në pjesën perëndimore të qytetit do ta ngadalësojë avancimin e trupave qeveritare.

Ndërkaq, agjencitë e ndihmave po përgatiten për mundësinë që deri në 250 mijë vetë mund të largohen nga Mosuli në ditët në vazhdim. Agjencia e OKB për refugjatët tha se po punon për të ngritur kampe të reja për të strehuar të zhvendosurit. Deri tani Zyra e Komisionerit të OKB për Refugjatët ka përfunduar tetë kampe dhe thotë se ka në plan të fillojë punën për një kamp të ri në jug të Mosulit.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG