Lidhje

Vazhdon ofensiva në rrethinat e Mosulit


Forcat irakiane sulmuan sot me artileri rrethinat e qytetit Mosul, në javën e dytë të ofensivës për rimarrjen e qytetit të dytë më të madh të vendit nga kontrolli i Shtetit Islamik.

Luftimet u zhvilluan në Bartella, rreth 15 kilometra larg Mosulit, ndërsa forcat irakiane dhe ato kurde po i afrohen gradualisht Mosulit.

I dërguari special për koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Brett McGurk, njoftoi sot në Twitter se deri më tani janë arritur të gjitha objektivat e parashikuara.

Po sot, organizata e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch” bëri thirrje për hetimin e një sulmi që vrau 13 persona në një xhami në Kirkuk, ku Shtetit Islamik po sulmon për të shpërqëndruar vëmendjen nga beteja për Mosulin. Zëdhënësi ushtarak amerikan, Kolonel John Dorrian, tha se forcat e koalicionit nuk ishin përgjegjëse për sulmin ndaj xhamisë, ndërsa qeveria irakiane thotë se po heton rrethanat.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Carter zhvilloi bisedime në Irbil me udhëheqësin kurd Masoud Barzani dhe komandatët kryesorë ushtarakë. Paraprakisht, zoti Carter ishte takuar edhe me Kryeministrin e Irakut, Haider al-Abadi, si dhe me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në përpjekje për të ulur tensionet ndërmjet udhëheqjes sunite turke dhe qeverisë shiite në Bagdat.

XS
SM
MD
LG