Lidhje

Irak, qindra të rinj dalin vullnetarë kundër militantëve


Qindra të rinj irakianë po drejtohen për në qendrat e rekrutimit kudo në Bagdad dhe në qytete të tjera për t'ju bashkuar vullnetarisht luftës kundër militantëve islamikë, të cilët kanë përparuar në të gjithë veriun gjatë kësaj jave.

Vullnetarët po i përgjigjen një thirrjeje të klerikut më të respektuar shiit të Irakut, Ayatolla Ali al-Sistani.

Dje, një klerik i lartë, duke folur në një xhami të Karbalës u bëri thirrje irakianëve të "luftojnë terroristët në mbrojtje të vendit, popullit dhe objekteve të shenjta." Ai tha se lufta kundër militantëve është "përgjegjësi e të gjithëve."

Kryeministri irakian Nuri al-Maliki u tha oficerëve të ushtrisë në Samarra se vullnetarët po arrijnë atje për të ndihmuar ushtrinë të mposhtë militantët.

Zoti Maliki tha gjithashtu se ato trupa, të cilat në fillim të javës braktisën pozicionet dhe hodhën uniformat në qytetin verior të Mosulit duhet të kthehen në njësitë e tyre përndryshe do të përballen me dënime të rënda, duke përfshirë edhe dënimin me vdekje.

Në një zhvillim tjetër sot, presidenti iranian Hassan Rouhani tha se vendi i tij është gati të ndihmojë Irakun, nëse kjo kërkohet dhe do të shqyrtonte mundësinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër ekstremistëve suni nëse Uashingtoni vendos të ndërmarrë veprime të fuqishme kundër tyre.

Presidenti amerikan Barak Obama tha dje se këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare po përgatisin "një sërë alternativash" për të ndihmuar qeverinë e Irakut.
XS
SM
MD
LG