Lidhje

Irak: Mbi 50 të vrarë nga shpërthime në gjithë vendin


Zyrtarët thanë se sulmet më vdekjeprurëse ndodhën në Amara, ku shpërthimet me dy autobomba kanë vrarë të paktën 14 persona

Autoritetet e Irakut thanë sot se një seri sulmesh anembanë vendit kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 50 personave dhe plagosjen e rreth 250 të tjerëve.

Zyrtarët thanë se sulmet më vdekjeprurëse ndodhën në qytetin jugor të Irakut, Amara, ku shpërthimet me dy autobomba, kanë vrarë të paktën 14 persona. Ata thanë se sulme pati në 11 qytete irakiane dhe në objektiv ishin forcat e sigurisë, rekrutët e policisë dhe disa tregje plot me njerëz.

Ndërkohë, një gjykatë e Bagdadit dënoi me vdekje në mungesë nënpresidentin suni të vendit. Ky vendim pritet të nxisë më tej tensionet politike. Gjykata e gjeti fajtor Tariq al-Hashemi për drejtimin e skuadroneve të vdekjes kundër forcave të sigurisë dhe banorëve shiitë, një akuzë që zoti Ashemi e ka mohuar me forcë. Ai u largua nga Iraku pasi autoritetet i ngritën fillimisht akuzat ndaj tij dhe aktualisht ndodhet në Turqi.
XS
SM
MD
LG