Lidhje

Iraku, Irani dhe Lindja e Mesme


Iraku, Irani dhe Lindja e Mesme
Iraku, Irani dhe Lindja e Mesme

Administrata e Presidentit Obama ka në plan t’i tërheqë të gjitha trupat amerikane nga Iraku deri në fund të vitit, pasi nuk arriti të sigurojë një marrëveshje me qeverinë irakiane për të ruajtur një pjesë të pranisë ushtarake atje. Analistët thonë se tërheqja e trupave në muajt e ardhshëm mund ta nxisë Iranin të përpiqet ta zgjerojë ndikimin në Irak. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Gary Thomas, një veprim i tillë do të acaronte më tej një rivalitet të ashpër që ka ekzistuar më parë mes Iranit dhe Arabisë Saudite, pa përmendur tensionet mes Teheranit dhe Washingtonit.

Irani mund të ndeshet me kundërshtimin si të Shteteve të Bashkuara edhe të Arabisë Saudite, në se përpiqet ta rrisë ndikimin në Irak pas tërheqjes së trupave amerikane në fund të këtij viti, thonë analistët.

George Friedman, drejtues i firmës private të zbulimit Strafor, thotë se Irani e sheh tërheqjen e trupave si një mundësi për ta shfrytëzuar.

“Iranianët e kanë bërë të qartë se e konsiderojnë tërheqjen e trupave si boshllëk dhe se ata synojnë ta mbushin atë. Kemi parë një tension të madh mes Arabisë Saudite dhe Iranit, përfshirë historinë e agjentëve iranianë që u përpoqën të planifikonin vrasjen e ambasadorit saudit në SHBA dhe shkatërrimin e Ambasadës së Arabisë Saudite”.

Vendimi për tërheqjen e plotë të trupave amerikane ishte i papritur. Washingtoni kishte diskutuar me Bagdadin për mundësinë e mbajtjes së bazave të përhershme në Irak. Administrata Obama kishte shpresuar të mbante një pjesë të trupave në Irak dhe të vazhdonte trejnimin e forcave irakiane të sigurisë. Bisedimet dështuan, kur Iraku refuzoi t’i jepte trupave amerikane imunitet nga gjykatat irakiane. Por duke përsëritur deklarata të mëparshme të zyrtarëve të tjerë, Sekretari i Mbrojtjes Leon Paneta dërgoi një paralajmërim të qartë se tërheqja e trupave nga Iraku nuk do të thotë se SHBA po e braktisin rajonin.

“Për Iranin, apo edhe cilindo tjetër, dua ta bëj të qartë se SHBA ka 40 mijë trupa në rajon, 23 mijë në Kuvajt dhe të tjerët në vende të tjera në mbarë rajonin. Dua t’ua bëj të qartë atyre dhe të gjithëve se Amerika do të vazhdojë ta ruajë praninë e saj në atë pjesë të botës.”

Sipas disa njoftimeve, në qarqet e politikave janë duke u zhvilluar diskutime aktive lidhur me fuqizimin e pranisë ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit Persik. Thuhet se po shqyrtohet edhe mundësia e vendosjes së trupave shtesë në Kuvajt dhe dislokimi i më tepër anijeve luftarake në ujrat ndërkombëtare të rajonit.

Shqetësimi lidhur me amibiciet dhe ndikimin e Iranit ka kohë që ekziston, madje që para ndërhyrjes ushtarake amerikane në Irak në vitin 2003. Iraku është vend mysliman, dy të tretat e popullsisë janë të sektit shiit dhe një e treta janë suni. Nën sundimin e Sadam Huseinit, Iraku ishte një diktaturë laike. Irani është një vend me shumicë shiite dhe qeveriset nga një elite klerikësh islamikë. Gjatë sundimit të Sadam Huseinit, shumë udhëheqës shiitë të Irakut kërkuan strehim në Iran. Por ish-ambasadori amerikan në Siri, Theodore Katuf thotë se feja e përbashkët nuk i ka bërë të dy vendet fqinjë të mirë.

“Iranianët janë në përgjithësi persianë, ndërsa irakianët janë në përgjithësi arabë dhe në vitet ’80 të dy vendet u përfshinë në një luftë mjaft të gjatë dhe tepër të përgjakshme. Mendoj se plagët nga ky konflikt nuk janë shëruar ende. Thjesht fakti që një pjesë e irakianëve kanë të njëjtën fe me Iranin, nuk do të thotë se ata ndjekin të njëjtit udhëheqës fetarë.”

Gjatë ndërhyrjes ushtarake të SHBA të vitit 2003, zyrtarët amerikanë e akuzuan Iranin për mbështetjen e forcave të armatosura shiite. Irani po ashtu njoftohet se është përpjekur të ushtrojë ndikim më të thellë politik dhe ekonomik në Irak që nga rrëzimi i Sadam Huseinit.

Analistët thonë se Arabia Saudite, një vend kryesisht mysliman suni, që drejtohet nga një monarki e trashëguar, është vendi që shqetësohet më tepër për ambiciet rajonale të Iranit. Analisti Alex Vatanka i Institutit të Lindjes së Mesme thotë se në atë rajon ka një konflikt, Arabia Saudite dhe Irani kanë prirjen të pozicionohen kundër njeri tjetrit.

Arabia Saudite e mbështeti Sadam Huseinin kundër Iranit, dhe ky është në shumë mënyra fillimi i konfliktit mes Teheranit dhe Riadit. Në vitet 1990 pati një rivalitet mes Iranit dhe Arabisë Saudite. Sot e shohim këtë në Liban, në mbështetje të grupeve të ndryshme palestineze. Ata janë kundër njëri tjetrit. Dhe kjo mund të ndodhë edhe në Irak.”

Studjuesi Vatanka shton se shiitët irakianë ndjehen të veçuar nga bota arabe, që është kryesisht e sektit suni.

“Në fakt me ato që kanë ndodhur, shiitëve irakianë u kanë mbetur pak mundësira. Ata janë detyruar të bien në krahët e Iranit, meqë ata shihen më shumë si shiitë se sa si arabë dhe kjo për shkak prirjes së Arabisë Saudite për të luajtur kartën e ndarjes mes sekteve”.

Por analistët nuk janë të qartë për energjinë që Irani duhet t’i kushtojë Irakut. Ata theksojnë se Irani është i preokupuar me problemet e brendshme, si sanksionet ndërkombëtare lidhur me programin e vet bërthamor dhe shtimin e përçarjes në radhët e elitës politike në pushtet, sidomos mes Presidentit Mahmud Ahmadinexhad dhe Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei.

XS
SM
MD
LG