Lidhje

Iraku përballë shumë sfidave pas tërheqjes amerikane

  • Andre Nesnera

Iraku përballë shumë sfidave pas tërheqjes amerikane

Iraku përballë shumë sfidave pas tërheqjes amerikane

Pas një lufte gati 9 vjeçare, trupat luftarake amerikane janë tërhequr nga Iraku. Në materialin në vazhdim, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Andre de Nesnera bisedoi me 3 ish zyrtarë të lartë amerikanë rreth sfidave me të cilat përballet Iraku pas tërheqjes së forcave amerikane.

Ushtari i fundit amerikane u largua nga Iraku muajin e kaluar, duke lënë pas një vend, që Presidenti Barak Obama e përshkroi si “sovran, të qëndrueshëm dhe që mund të mbështetet tek burimet e veta”.

Tërheqja amerikane përmbushi një premtim të vetë Presidentit Obama. Gjithashtu kjo tërheqje ishte një objekt debati me udhëheqësit irakianë, të cilët kërkonin vazhdimin e pranisë së një kontigjenti amerikan. Por qeveria irakiane refuzoi t’u garantonte këtyre trupave imunitet nga ndjekja penale në bazë të ligjit irakian, ashtu siç u kërkua nga Uashingtoni.

Që prej tërheqjes amerikane, Iraku është përballur me një krizë politike në rritje dhe ka qënë skenë e një numër bombardimesh.

Megjithatë, Sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta, foli me nota pozitive para disa ditësh kur tha se Shtetet e Bashkuara janë të bindura se qeveria dhe forcat irakiane të sigurimit janë të afta të parandalojnë kërcënimet ndaj sigurisë së vendit të tyre. Por ish sekretari i mbrojtjes, William Cohen nuk është i këtij mendimi.

“Nuk mendoj se aktualisht Iraku është i aftë të vetëmbrohet nga kërcënimet e jashtme ose të marrë masat e duhura kundër kërcënimeve të brendshme. Ata nuk kanë sistemet e nevojshme mbrojtëse, as ajrore dhe as tokësore. Ata nuk kanë aftësitë e nevojshme të kundërzbulimit, që u ofronim ne, prandaj mendoj se kjo do të jetë një sfidë për ta”.

Zoti Cohen pohon se disa trupa amerikane do të qëndrojnë në atë rajon.

“Ne do të dislokojmë disa prej forcave tona në vende të tjera të rajonit, por kjo nuk është njëlloj sikur këto forca të jenë në Irak dhe të ndihmojnë menjëherë në një moment të caktuar e të nevojshëm”.

Ish këshilltari i sigurisë kombëtare, gjenerali Brent Scowcroft thotë se trupat amerikane duhet të kishin qëndruar më gjatë në Irak.

“Mendoj kështu sepse Iraku ende përballet me vështirësi brenda vendit dhe e ka të vështirë të bëjë kompromiset e nevojshme për të pasur një sistem funksional. Këto kompromise janë ndoshta më të lehta për t’u pranuar kur mbështeten nga prania amerikane, pasi irakianët do të ishin më të gatshëm të ndryshonin për t’iu përshtatur realitetit. Kam frikë se tani që irakianëve u duhet ta bëjnë çdo gjë vetë, ndryshimet dhe përshtatjet mund të jenë të vështira për t’u arritur. Kjo më shqetëson”.

Gjenerali Scowcroft përmen disa prej sfidave kryesore me të cilat përballet qeveria irakiane.

“Kompromiset se si të trajtohen të ardhurat nga nafta. Cila është natyra e federalizmit të sistemit? Si ndahet pushteti? Këto janë çështje shumë të vështira dhe lëshimet e domosdoshme mund të jenë më të lehta kur forcat amerikane janë të pranishme”.

Ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton shikon një kërcënim tjetër për Irakun.

“Mendoj se influenca dhe rreziku nga Irani si dhe rreziku i kthimit të një baze shumë oportuniste nga al-Kaida në Irak janë shumë të mëdha”.

Ish-ambasadori Bolton thotë se tërheqja e forcave amerikane nga Iraku nuk është një shenjë pozitive për vendet arabe në rajonin e Gjirit Persik.

“Këto vende shikojnë tërheqjen amerikane dhe shqetësohen rreth stabilitetit të tyre, pasi ndodhen në një rajon të rrezikshëm jo shumë larg Iranit”.

Ekspertët thonë se programi i dyshuar bërthamor i Iranit nuk ndihmon në nxitjen e stabilitetit rajonal. Dhe bashkë me një Irak të paqëndrueshëm, thonë ata, ka të ngjarë që ky rajon të përballet me një periudhë të gjatë pasigurie e paqëndrueshmërie.

XS
SM
MD
LG