Lidhje

Një vit pas marrëveshjes bërthamore me Iranin


Një vit më parë, diplomatët iranianë dhe ata të gjashtë fuqive botërore dolën nga një takim në Vienë me përfundimet e një pune thuajse dy vjeçare; një marrëveshje gjithëpërfshirëse që kufizonte programin bërthamor të Iranit në shkëmbim për heqjen e sanksioneve të rënda ekonomike.

Sot, marrëveshja me Iranin është në fuqi me rezultate të qarta lidhur me çështjet kryesore ndërsa vazhdojnë dyshime të zgjatura nga të dy anët se pala tjetër do të përfitojë dhe nuk do të përmbushë detyrimet. Duke folur në Paris të enjten, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se puna për mbarëvajtjen e marrëveshjes nuk ka përfunduar.

“Ne duhet të vazhdojmë të punojmë dhe kemi një ambasador të posaçëm i cili udhëheq një ekip për të siguruar vazhdimësinë dhe respektimin e marrëveshjes që ne të jemi në gjendje të zgjidhim problemet.”

Zoti Kerry tha se bota mund të krenohet me faktin se negociatat e komplikuara shumëpalëshe rezultuan në një rajon më pak të paqëndrueshëm dhe një botë më të sigurtë. Zoti Kerry komentoi nga Parisi ku mori pjesë në festimet e Ditës së Bastijës.

Negociatat erdhën si pasojë e shqetësimeve perëndimore që filluan në vitin 2002 se Irani po punonte për të ndërtuar armë bërthamore, akuza të hedhura poshtë nga Teherani.

Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vunë sanksione për të detyruar Iranin që të braktisë amicjet për armët bërthamore. Por Irani e vazhdoi aktivitetin bërthamor, kryesisht të përqendruar në pasurimin e uraniumit, ndërsa sanksionet dëmtuan rëndë ekonominë e vendit.

Bisedimet arritën përparime në fund të vitit 2013 kur Irani dhe gjashtë fuqitë botërore u pajtuan për një marrëveshje të përkohëshme me disa kufizime për aktivitetet bërthamore të Iranit që do të lehtësonin sanksionet.

Disa takime intensive në një hark kohor tre javor në Vienë vitin e kaluar arritën përfundimisht marrëveshjen e shumëkërkuar.

XS
SM
MD
LG