Lidhje

Marrëveshja e arritur me Iranin


Zyrtarë të lartë të administratës Obama vazhdojnë të paraqesin në Kongres marrëveshjen e arritur për të reduktuar programin bërthamor të Iranit. Zëvendëspresidenti Joe Biden u takua dje me senatorë demokratë të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe me kreun republikan Bob Corker. Por, kjo fushatë e Presidentit Obama për të fituar mbështetje për marrëveshjen, po merr përgjigje jo të qarta në Kongres.

Zëvendëspresidenti Joe Biden po lobon fuqishëm për të fituar mbështetje në Kongres për marrëveshjen me Iranin. Por, administrata Obama ka dorëzuar një projek-rezolutë në OKB për zbatimin e marrëveshjes, përpara se Kongresi të kishte mundësi të thoshte fjalën e tij. Ky veprim ka zemëruar një senator, mbështetja e të cilit është kyçe: kreu i marrëdhënieve me jashtë në Senat, Bob Corker.

“E shikoj si një sfidë ndaj popullit amerikan, Kongresit, dhe Dhomës së Përfaqësuesve.”

Senatori demokrat Ben Cardin lavdëroi zotin Biden për përpjekjet, por pati disa pyetje.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, Presidenti po merr mbështetje nga një aleate kyçe:

“E kam parë me kujdes këtë dokument, dhe do të ketë mbështetjen time të plotë,” u shpreh Nancy Pelosi.

Por, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, tha se marrëveshja i duket e keqe.

“Është plotësisht e qartë për mua se shumica në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, janë kundër.”

Kongresi ka 60 ditë kohë për të refuzuar, miratuar, ose mos u shprehur për marrëveshjen e Iranit, dhe anëtarët do të shkojnë me pushime gjatë muajit gusht.

Ndërkohë, në Departamentin e Shtetit, Sekretari Kerry u përpoq të qetësonte ministrin e jashtëm saudit al-Jubeir, i cili po viziton SHBA-në.

“Jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të kundërshtuar të gjitha aktivitetet ekstremiste në rajon, përfshirë aktivitetin e Iranit, si dhe për sfidat e tjera ndaj sigurisë,” tha zoti Kerry.

Presidenti dhe zëvendëspresidenti do të vazhdojnë fushatën e tyre në SHBA dhe jashtë vendit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG