Lidhje

Marrëveshja me Iranin dhe Siria

  • Scott Stearns

A do të mundë marrëveshja bërthamore me Iranin të lehtësojë përpjekjet për bisedime paqeje për përfundimin e luftës civile në Siri? Në Londër Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Sekretari i Jashtëm britanik William Hague po punojnë për të përgatitur një tranzicion politik për të ndalur luftimet.

Irani është përkrahësi kryesor i goditjeve ushtarake siriane ndaj kundërshtarëve të qeverisë dhe e ka bërë të qartë synimin për ta përdorur këtë ndikim në bisedimet e paqes të planifikuara për t’u mbajtur në Gjenevë.

Zëvendës ministri i jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian thotë se është e pamundur të përjashtosh Teheranin:

“Nuk ka dyshim që Republika Islamike e Iranit do të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv në zgjidhjen politike të problemit sirian”.


Atëherë si ndikon marrëveshja e fundjavës për të kufizuar programin bërthamor të Iranit tek vullneti i tij për të bashkëpunuar për Sirinë? Sekretari Kerry thotë se vendimi i Iranit për “t’u ribashkuar me komunitetin e vendeve” është një hap i parë i rëndësishëm për të luajtur një rol më konstruktiv në rajon:

“Është e vërtetë se zgjedhjet e Iranit kanë krijuar një pengesë të konsiderueshme dhe shqetësime të mëdha për sigurinë e miqve tanë në rajon, për Izraelin, vendet e Gjirit dhe të tjerë dhe natyrisht ata kanë marrë disa vendime që janë thellësisht shqetësuese përsa i përket stabilitetit të rajonit”.

Mbështetja e Teheranit për ushtrinë e Bashar al-Assadit ndihmon në ruajtjen e ndikimit të tij rajonal dhe furnizimin e grupit ushtarak islamik me bazë në Liban, Hezbollah duke çorientuar njëkohësisht armiqtë e vet kryesisht Suni, thotë ish-ambasadori amerikan Adam Ereli:

“Mbështetja e Iranit për Bashar al-Assadin është po aq kritike për mbijetesën e regjimit, sa edhe zhvillimi i një arme bërthamore”.

Nga Gjeneva, zoti Kerry shkoi në Londër për bisedime me zotin Hague për mënyrën sesi kundërshtarët e Assadit mund të ndihmojnë për formimin e një qeverie kalimtare.

Koalicioni kryesor i opozitës tha se do të merrte pjesë në këto bisedime, por ka hedhur poshtë çdo rol tjetër për presidentin Assad. Zëvendëskryeministri i qeverisë kalimtare të opozitës, Aiad Koudsi:

“Negociatat me regjimin sirian janë një proces i padobishëm. Është një kotësi dhe nuk mund të nxjerrësh asgjë prej tij”.

Kjo nga ana tjetër ishte kundërshtuar nga qeveria e Damaskut e cila thotë se nuk do të vijë në bisedime që kanë si synim përmbysjen e presidentit. Profesori i Universitetit Amerikan, Akbar Ahmed:

“Tensionet janë të qarta në një vend si Siria, tensione që po mbahen nën kontroll nga një diktator. Dhe kur diktatori e çliron grushtin, atëherë shpërthen gjithë pakënaqësia”.

Zyrtarë amerikanë dhe rusë që po takohen sot në Gjenevë për t’u përgatitur për këto bisedime, po punojnë gjithashtu për të llogaritur koston humanitare të luftës, përfshirë nevojat e mbi dy milionë refugjatëve nga luftimet.

XS
SM
MD
LG