Lidhje

Dita e tretë e bisedimeve me Iranin


Irani dhe 6 fuqi botërore po mbajnë sot ditën e tretë të bisedimeve të rëndësishme në Gjenevë, ku do të përpiqen të mbyllin të çarat tek një marrëveshje lidhur me hapat fillestarë për të kontrolluar komponentin ushtarak të dyshohet se ka programi bërthamor i Iranit, në shkëmbim për lehtësimin e sanksioneve kundër Teheranit.

Diplomatët e të dyja palëve në bisedime thonë se në takimin e djeshëm pati përparim, por mbeten akoma disa mosmarrëveshje për çështje thelbësore. Duket se mosmarrëveshje ka për çështjen se deri në çfarë mase do të lejohet Irani të kryejë veprimtarinë e pasurimit të uraniumit, si dhe sa do të lehtësohen sanksionet.

Ministri i jashtëm Iranian Mohammad Javad Zarif dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së Catherine Ashton, u takuan edhe sot për këto çështje.

Raundi i fundit i bisedimeve mbi programin bërthamor të Iranin vazhdon sot për të tretën ditë, pasi një zëdhënës tha se dje u zhvilluan një numër takimesh substanciale.

Negociatorët po përpiqen të arrijnë marrëveshje lidhur me hapat fillestarë për të kontrolluar komponentin ushtarak të dyshohet se ka programi bërthamor i Iranit, në shkëmbim për lehtësimin e sanksioneve kundër Teheranit.

Zyrtarët thanë se ishin zhvilluar bisedime të hollësishme dhe se ende kishte mospajtime mbi një numër temash, pas bisedimeve të djeshme. Komente të tilla kanë krijuar përshtypjen se janë shfaqur vështirësi në bisedimet në mes të delegacionit ndërkombëtar të kryesuar nga shefja e politikës së jashtme të BE-së Catherine Ashton dhe delegacionit iranian të kryesuar nga Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif.

Zëdhënësi i zonjës Ashton, Michael Mann, tha se ajo ishte e vendosur të kapërcente mospajtimet që kishin penguar arritjen e një marrëveshjeje në raundin e fundit të bisedimeve më shumë se një javë më parë. Megjithatë askush nuk po shprehet për sukses të garantuar:

"Ishin negociata domethënëse, të hollësishme dhe substanciale në përpjekje për të përpunuar hollësitë e tekstit dhe për të ngushtuar dallimet që ekzistonin në raundin e mëparshëm”.

Zëvendës ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha se zgjidhja është e realizueshme, por se ende ka dallime të mëdha.

"Kemi një punë të vështirë në kapërcimin e këtyre dallimeve. Mendoj se duhet vullneti i mirë dhe vendosmëria për të zgjidhur këto mospajtime”.

Negociatorët duhet të gjejnë edhe zgjidhje origjinale, kur bëhet fjalë për masën e lehtësimit të sanksioneve ekonomike mbi Teheranin në fazën e parë si dhe me masën e kufizimit të programit bërthamor iranian ndërkohë që vazhdojnë negociatat për një marrëveshje afat-gjatë. Ndërkohë që vazhdon retorika për kapërcimin e mospajtimeve, askush nuk po jep hollësi specifike.

Synimi afat-gjatë është të bindet komuniteti ndërkombëtar se programi bërthamor i Iranit ka thjesht synime paqësore dhe më së fundi të realizohet heqja e sanksioneve mbi Teheranin.

Në Qendrën për Studime mbi Sigurinë në Zyrih, studiuesi Roland Popp tha se arritja e synimit nuk do të jetë e lehtë.

"Ose iranianët duhet të heqin dorë nga të gjitha investimet që kanë bërë në programin bërthamor deri tani, ose fuqitë perëndimore duhet të pranojnë se nëse Irani vendos në një të ardhme të prodhojë një armë bërthamore, do ta ketë këtë opsion, pra mundësinë për të braktisur traktatin e mospërhapjen e armëve bërthamore si në rastin e Koresë së Veirut”.

Disa analistë janë të shqetësuar se dy palët nuk do të arrijnë të sheshojnë mospajtimet, edhe nëse faza e parë e bisedimeve mbyllet me sukses.
XS
SM
MD
LG