Lidhje

Irani fillon një raund të ri bisedimesh


Përfaqësues të lartë të qeverisë së re iraniane filluan një raund të ri, që ndoshta do të jetë vendimtar në bisedimet me Grupin e Kontaktit të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Sekretarja e Jashtme britanike Caherine Ashton u takua sot me Ministrin e Jashtëm iranian Javad Zarif. Më parë, Udhëheqësi Suprem i Iranit tha se Teherani nuk do të tërhiqet nga të drejtat e tij në fushën bërthamore. Komentet vijnë ndërkohë që negociatorët iranianë dhe një grup prej gjashtë fuqish botërore takohen përsëri sot në Gjenevë. Të dyja palët kanë shprehur shpresën për të arritur një zgjidhje në mosmarrëveshjet që vazhdojnë prej një dekade.

Duke folur përpara raundit të fundit të bisedimeve mbi programin bërthamor të Iranit, Udhëheqësi suprem Ajatollah Ali Khamenei tha se kishte vendosur disa "vija të kuqe" për negociatorët e tij, por shtoi se Irani dëshiron të jetë miqësor me të gjitha vendet, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe Gjermania, duan një marrëveshje të përkohshme që t'i kërkojë Iranit të ndalë një pjesë të aktivitetit të tij të pasurimit dhe të pranojë më shumë inspektime në shkëmbim të kufizimit të sanksioneve.

Ministri i Jashtëm iranian Javad Zarif tha në një video të publikuar në YouTube se ekziston "çdo mundësi" për marrëveshje.

Presidenti Obama komentoi dje për çështjen e bisedimeve. Para kësaj ai i bëri thirrje një grupi të rëndësishëm senatorësh amerikanë që të shtyjë kërkesat për sanksione shtesë kundër Teheranit.

Ai tha se është vendimtare të pritet për të parë nëse Irani e ka seriozisht synimin për të arritur marrëveshje me Perëndimin.

"Ajo që ne jemi duke sugjeruar, si për izraelitët, për anëtarët e Kongresit, për komunitetin ndërkombëtar, por edhe për iranianët është: le të shohim, të testojmë, mundësinë që gjatë gjashtë muajve të ardhshëm të mund ta zgjidhim këtë me mënyra diplomatike duke ruajtur sanksionet bazë dhe që unë, si president të kem të gjitha alternativat për të mos lejuar që ata të zotërojnë armë bërthamore. Mendoj se është një provë që ia vlen të bëhet," tha Presidenti Obama.

Po dje, një ligjvënës i lartë amerikan tha se Kongresi nuk do të votojë për sanksione të reja ekonomike kundër Iranit, sa kohë që bisedimet vazhdojnë.

Ndërkohë, zyra e Kryeministrit britanik David Cameron tha se ai dhe presidenti iranian Hassan Rouhani ranë dakord në një bisedë telefonike se në raundin e fundit të bisedimeve në fillim të këtij muaji është bërë "përparim i dukshëm."

Zoti Cameron theksoi gjithashtu nevojën që Irani të mbajë parasysh shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka kërkuar sigurime se Teherani nuk do të përpiqet të zhvillojë armë bërthamore. Irani i ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuza të tilla.
XS
SM
MD
LG