Lidhje

Bisedimet për programin bërthamor të Iranit


Fuqitë botërore do të rifillojnë më 7 nëntor bisedimet me Iranin lidhur me programin e tij bërthamor. Korrespondenti i Zërit të Amerikës André de Nesnera i hedh një vështrim një çështjeje të vështirë që do të diskutohet: sanksionet e vendosura nga perëndimi ndaj qeverisë iraniane dhe dëshirën e Teheranit për heqjen e tyre.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian besojnë se Irani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore, por Teherani thotë se programi i tij ka qëllime civile dhe paqësore.

Në përpjekje për t’i bërë presion Iranit, që t’i japë fund programit për pasurimin e uraniumit, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezoluta për vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende anëtare të BE-së, kanë marrë masa të ndryshme kundër Teheranit.

Tani, ndërsa pritet të fillojnë bisedimet më të rëndësishme në vite mes Teheranit dhe fuqive botërore, Irani po përpiqt të bëjë të mundur zbutjen e sanksioneve. Shtetet e Bashkuara kanë lënë të kuptohet për një farë zbutjeje të sanksioneve pasi zyrtari më i lartë amerikan i angazhuar në bisedime i tha Zërit të Amerikës se se ka ardhur koha për një pauzë të sanksioneve të reja.

Analistët thonë se sanksionet kanë dëmtuar ekonominë dhe monedhën iraniane, duke rritur papunësinë dhe inflacionin.

Por John Bolton, ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara gjatë administratës së ish presidentit George W. Bush, thotë se nuk ka prova se sanksionet kanë ndikuar në vendimet e Iranit lidhur me ambicjet e tij bërthamore.

“Këtë e vërtetuan vetë zyrtarët e lartë me deklaratat e tyre këtë vit. Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Yukiya Amano, dhe drejtori i Zbulimit Kombëtar në administratën Obama, James Clapper thanë se nuk ka shenja se programi iranian i armëve bërthamore është prekur nga sanksionet”.

Gjatë viteve, vendet perëndimore dhe Irani janë angazhuar në bisedime rreth programit bërthamor të Teheranit.

Ekspertët thonë se një çështje që u diskutua kohët e fundit ishte që Teherani të ndalonte pasurimin e uraniumit në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike dhe financiare të Perëndimit, por ndërkohë është bërë përparim i vogël.

Megjithatë në një takim në Gjenevë para disa javësh, të dyja palët shprehën optimizëm, duke thënë se bisedimet ishin konstruktive dhe se do të takohen përsëri më 7 dhe 8 nëntor.

Analistët thonë se ndryshimi i tonit ka të bëjë krysisht me faktin e zgjedhjes së Hassan Rouhani si president i Iranit, i cili mbështet angazhimin me Perëndimin.
Ndërsa negociatat mes Iranit dhe fuqive perëndimore vazhdojnë, disa senatorë amerikanë kanë bërë thirrje për sanksione më të ashpra kundër Iranit nëse ky vend nuk ndalon pasurimin e uraniumit.

Jim Walsh, ekspert i programit bërthamor të Iranit në universitetin MIT thotë se hapa të tilla do të ishin kundërproduktive.

“Nuk do të ndihmonte aspak nëse Kongresi do të miratonte sanksione të reja në mes të negociatave. Le të imagjinojmë nëse Irani do të bënte të njëjtën gjë: në mes të negociata të fillonte zgjerimin me 20 për qind të programit të pasurimit të uraniumit ose të aktivizonte centriguga të reja të sofistikuara. Shtetet e Bashkuara do të alarmoheshin. Ata njerëz që mbështesin sanksione të reja ndaj Iranit duhet të mendojnë rreth këtij skenari të mundshëm”.

Daryl Kimball, drejtor i Shoqatës për Kontrollin e Armëve, një firmë private kërkimore, thotë se masat e ashpra kundër Iranit duhet të kenë kufi.

“Irani, si çdo vend tjetër, ka krenarinë e vet si vend. Udhëheqësit iraninë kanë krenarinë e tyre, ashtu si edhe populli iranin ka krenarinë e vet dhe ata nuk do të përulen para çdo kërkese edhe në se sanksionet ashpërsohen. Ka kufij se çfarë mund të arrihet me këto sanksione”.

Në një intervistë të kohëve të fundit me shërbimin persian të Zërit të Amerikës, Wendy Sherman, kryenegociatorja amerikane në bisedimet me Iranin, bëri thirrje për pezullimin e sanksioneve të reja.

Zoti Kimball dhe të tjerë besojnë se bisedimet e tanishme mes Iranit dhe fuqive perëndimore përbëjnë mundësinë më të mirë për zgjidhjen e çështjes bërthamore.
Por Joel Rubin, ekspert mbi Iranin në Fondin Ploughshares, fondacion i specializuar në politikat bërthamore, thotë se Presidenti Barack Obama po ndërmerr një rrezik politik.

“Nuk duhet lënë pa u theksuar fakti se sa e rrezikshme ka qënë për administratën Obama që të vazhdojë të argumentojë se një zgjidhje diplomatike është mënyra më e mirë në të ardhmen. Ky nuk është vetëm një rrezik politik, por edhe një domosdoshmëri politike. Presidenti Obama mund të argumentojë me të drejtë se duke negociuar me Iranin ai po e vë këtë vend në provë dhe po krijon një situatë të angazhimit të udhëheqjes amerikane nëpërmjet përdorimit të fjalëve, të presionit dhe mjeteve ekonomike, që arrijnë objektiva sigurie”.

Por zoti Rubin dhe të tjerë besojnë se që të bëhet përparim i vërtetë negociatorët e dyja palëve duhet të kapërcejnë mosbesimin që ka ekzistuar për më shumë se 30 vjet dhe kjo do të marrë kohë. Deri sa kjo të arrihet, sanksionet do të mbeten në fuqi.
XS
SM
MD
LG