Lidhje

Reagime të ligjvënësve për marrëveshjen


Ligjvënësit amerikanë patën reagime tepër të ndryshme ndaj marrëveshjes historike që u njoftua me Iranin. Republikanët mbajtën një qëndrim shumë më armiqësor se sa shumica e demokratëve.

Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, e kritikoi paktin, si “marrëveshja më e mirë për Iranin, në vend që të ishte një pakt që do t’i jepte fund programit bërthamor të Iranit”.

“Iranianët duket se kanë mbizotëruar në negociata, duke mbajtur mijëra centrifuga, duke e pasuruar kapacitetin e tyre bërthamor, në vend që t’i jepnin fund atij; ata do të përfitojnë tani miliarda dollarë për të shpenzuar lirishisht për terrorizimin”, shtoi senatori McConnell.

Me një pozicion të ngjashëm, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, tha se Presidenti Barack Obama “e braktisi synimin e vet”, për të zhvilluar negociata me Teheranin.

“Marrëveshja e tij do t’i japë Iranit miliarda dollarë nga pakësimi i sanksioneve, duke i dhënë njëkohësisht kohë dhe hapësirë drejt prodhimit të armës bërthamore, pa qenë e neovjshme të gënjejë. Në vend që ta bënte botën më pak të rrezikshme kjo marrëveshje vetëm se e fuqizon Iranin, mbështetësin më të madh të terrorit në botë, duke ndihmuar në stabilizimin dhe legjitimizimin e regjimit të Teheranit, - tha zoti Boehner.

Në dallim nga ta, udhëheqësja e pakicës demokrate në Kongres, Nancy Pelosi u shpreh me nota shumë optimiste.

"Marrëveshja historike bërthamore që u njoftua sot është produkt i shumë vite drejtimi të guximshëm dhe me një objektiv të qartë nga Presidenti Obama. Unë e lavdëroj presidentin për fuqinë që ka treguar gjatë të gjitha negociatave që çuan në këtë pikë”, - tha zonja Pelosi. “Ne nuk kemi iluzione për regjimin iranian… Të gjitha opsionet mbeten mbi tryezë, në se Irani do të merrte hapa drejt një arme bërthamore, apo në se do të devijonte nga kushtet e kësaj marrëveshjeje.”

Udhëheqësi i demokratëve në Senat Harry Reid përsëriti tonet optimiste të zonjës Pelosi.

"Komuniteti ndërkombëtar është dakord se një Iran me armë bërthamore është i papranueshëm dhe përbën kërcënim për sigurinë tonë kombëtare. Tani është e nevojshme që Kongresi ta shqyrtojë marrëveshjen përmes një procesi të menduar mirë, me përmasat që ajo meriton” tha zoti Reid.

Kongresi do të ketë 60 ditë për ta shqyrtuar marrëveshjen dhe në se ligjvënësit duan, të votojë për ta miratuar, ose për ta hedhur poshtë atë.

"Pres me kënaqësi që të thellohem tek hollësitë e marrëveshjes”, i tha Zërit të Amerikës senatori demokrat Chris Coons. "Tani ne duhet të avancojmë me seanca dëgjimore të plota… Më duhet ta balancoj dyshimin tim të madh për Iranin dhe shqetësimet lidhur me synimet e tyre, me shpresën se mund të ketë një zgjidhje diplomatike.”

Miratimi nga Kongresi i marrëveshjes do të kërkojë të paktën mbështetje nga disa ligjvënës republikanë për të. Që tani, disa republikanë janë duke u zotuar se do të votojnë kundër dhe se do të përpiqen të sigurojnë kundrështarë të tjerë ndaj marrëveshjes.

"Në se ne na duhet të punojmë kundër një marrëveshjeje të keqe, e cila e kërcënon vendin tonë dhe aleatët tanë, ju siguroj se do ta bëjmë këtë, - tha zoti McConnell.

Duke e parashikuar këtë rezistencë, Presidenti Obama u zotua se do t’i verë veton çdo përpjekjeje nga Kongresi për ta bllokuar nismën. Refuzimi i vetos do të kërkonte që një numër të konsiderueshëm demokratësh t’u bashkoheshin republikanëve.

Sekretari Shtetit John Kerry tha se dyshon që ligjvënësit do ta pengojnë marrëveshjen e negociuar nga fuqitë perëndimore.

"Në se Kongresi do ta kunddërshtonte marrveshjen, Shtetet e Bashkuara do të shkonin kundër vullnetit ndërkombëtar. Nuk mendoj se kjo do të ndodhë.”- tha zoti Kerry.

Jo të gjitha reagimet kanë qenë mbi vija strikte partiake. Senatorja republikane Shelley Moore Capito i tha Zërit të Amerikës se ajo nuk ka vendosur ende se çfarë qëndrimi do të mbajë.

Unë jam skeptike nga natyra, - tha zonja Capito . “Por do të shohim se si do të shkojë kjo çështje. Është ende herët,”- tha ajo.

Ndryshe nga demokratët e tjerë, senatori Robert Menendez i tha Zërit të Amerikës se ka rezerva të thella.

"Ne e dimë se Irani është një shtet në prag të ndërtimit të armës bërthamore. Së dyti, me marrëveshjen, ne nuk i japim fund programit bërthamor të Iranit, por e ruajmë atë , tha zoti Menendez. “Dhe pastaj të heqësh embargon e armëve ndaj një vendi, shteti i të cilit është mbështetësi më i madh i terrorizmit dhe që po destabilizon Jemenin. Libanin, Sirinë, dhe Irakun, kjo është e rrezikshme”, - tha senatori demokrat Robert Menendez.

XS
SM
MD
LG