Lidhje

Skadon afati për marrëveshje bërthamore me Iranin


Pas shumë muaj negociatash intensive, Irani dhe fuqitë botërore nuk arritën të realizojnë brenda afatit të 30 qershorit një marrëveshje përfundimtare që do të kufizonte aftësinë e Teheranit për të prodhuar armë bërthamore në shkëmbim të zbutjes së sanksioneve. Megjithatë, dje palët ranë dakord për ta shtyrë këtë afat deri në 7 korrik, për t’u dhënë më shumë kohë bisedimeve. Analistët kanë pikëpamje të ndryshme mbi ndikimin e shtyrjes së bisedimeve.

Për ditë të tëra, gazetarë nga e gjithë bota kanë ngritur kampin e tyre përpara ndërtesës së negociatave, ndërkohë që zyrtarët e nivelit të lartë shkojnë e vijnë.

Brenda ndërtesës, diskutimet ndërmjet delegacioneve të ndryshme vazhdojnë, por jo bisedime që të përfshijnë të gjithë grupin.

Një zgjatje prej pak ditësh për t’u siguruar mbi hollësitë, ia vlen, thotë drejtorja e politikave për mospërhapjen e armëve Kelsey Davenport.

"Unë mendoj se palët janë shumë afër. Gjasat janë të mëdha. Të gjitha palët e dinë se nëse u largohen bisedimeve tani, ata nuk do të arrijnë qëllimet afatgjata."

Ajo thotë se interesat janë tepër të mëdha për t’i braktisur negociatat, pavarësisht mosmarrëveshjeve.

"Duket se ka ende disa shqetësime të pazgjidhura në lidhje me sanksionet e Këshillit të Sigurimit dhe me mekanizmat që do t’i rivendosnin këto sanksione. Ka edhe disa çështje të pazgjidhura në lidhje me inspektimet. Kjo është një temë shumë e ndjeshme."

Zyrtarët amerikanë i përshkruajnë negociatat si të vështira. Por ende ka shpresa për një marrëveshje përfundimtare.

Megjithatë, shtyrjet e mëparshme kanë rezultuar në lëshime që favorizojnë Iranin, thotë analisti Emanuele Ottolenghi.

"Kjo varet nga fakti nëse ende ka vija të kuqe nga ana e grupit P5 + 1".

Ai thotë se është e logjikshme që negociatorët të vazhdojnë të bisedojnë nëse presioni i afatit që afrohet ndikon në integritetin e një marrëveshjeje.

XS
SM
MD
LG