Lidhje

Përparim dhe shpresa në bisedimet e Gjenevës


Negociatorët e Iranit dhe Kombeve të Bashkuara zhvilluan një seri takimesh dje në Gjenevë. Takimet u cilësuan nga ministri i jashtëm iranian si “të vështira” por ai shtoi se rezultuan në një masë përparimi. Askush nuk ka dhënë hollësi për propozimet iraniane dhe ofertën e perëndimorëve, po shfaqet një imazh më i qartë:

Një zyrtar i lartë amerikan tha se negociatorët po punojnë për një marrëveshje që të shërbejë si hap i parë që mund të sjellë pezullimin ose kthimin në një shkallë më të ulët të programit bërthamor të Iranit, i cili në shkëmbim do të përfitojë nga lehtësimi i sanksioneve shkatërrimtare.

Por ende nuk është e qartë sa do të bëjë secila palë në këtë hap të parë.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, thotë se negociatorët do të kenë mundësi të analizojnë hollësitë e ndërlikuara të një marrëveshjeje afat-gjatë lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe ndoshta mundësinë për eliminimin e plotë të sanksioneve.

Ekspertët besojnë se marrëveshja duhet t’i lejojë Iranit të drejtën për të pasuruar uranium, por do të vendoste kufizime mbi masën e pasurimit dhe do të caktonte kushte për inspektime në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar të bindet se Irani nuk po magazinon karburant bërthamor për prodhimin e bombës.

Bisedimet e djeshme filluan me një takim mes ministrit të jashtëm iranian Mohammed Javad Zarif dhe shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, e cila kryeson ekipin e OKB-së.

Më pas delegacionet e plota nga Irani, pesë vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Gjermania dhe Bashkimi Evropian u mblodhën për një session 45-minutësh, pasuar nga takime në grupe më të vogla gjatë gjithë ditës. Zëdhënësi i BE-së tha se bisedimet po futen në një fazë serioze.

Irani thotë se nuk është i interesuar të prodhojë bombën bërthamore dhe javën e kaluar Ministri Zarif tha se qeveria e re dëshiron të eliminojë çdo dyshim në lidhje me këtë çështje:

“Ne besojmë se qoftë edhe perceptimi se Irani po përpiqet të shtjerë në dorë armë bërthamore është shkatërrimtar për sigurinë tonë, prandaj do të bëjmë ç’është e mundur për ta eliminuar këtë perceptim”.

Por perceptimi ushqehet nga dekada të tëra të mbushura me mosbesim që, sipas kryenegociatores amerikane, Nënsekretares së Shtetit Wendy Sherman, do të duhet kohë të kapërcehen:

“Presidenti ka thënë se duhet të punojmë për të arritur një synim të caktuar. Edhe Presidenti Rouhani do të punojë për të arritur të njëjtën pikë, ku ekziston besim i ndërsjelltë. Do të duhet kohë e gjatë për të arritur në atë pikë”.

Por zonja Sherman e bëri të qartë se pas bisedimeve të para me qeverinë e re, dy palët kanë filluar ta kuptojnë njëra-tjetrën dhe tani po punojnë së bashku për të zgjidhur problemet.
XS
SM
MD
LG