Lidhje

Pjesëtarët e parë të grupit Mujahedeen-e-Khalq mbërritën në Shqipëri


Shtetet e Bashkuara shprehën mirënjohje për gjestin human dhe bujar të qeverisë së Shqipërisë për të pranuar banorët e ish kampit Hurriya

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkura për Irakun Martin Kobler tha sot se pjesëtarët e parë, të një grupi opozitar iranian që jetojnë të strehuar në një ish bazë ushtarake amerikane në Irak, mbërritën në Shqipëri.

Sipas zyrtarit të OKB-së, 14 anëtarët e grupit Mujahedeen-e-Khalq mbërritën në Shqipëri mbrëmë. Sipas tij ky është hapi i parë i përpjekjeve për të sistemuar në Shqipëri 210 anëtarë të këtij grupi, për të cilët ka rënë dakort qeveria shqiptare.

Shtetet e Bashkuara shprehën mirënjohjen e tyre për gjestin human dhe bujar të qeverisë së Shqipërisë për të pranuar banorët e ish kampit Hurriya.

Shqipëria, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, ka qënë një partnere e fortë e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Irak.

Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, i bëjnë thirrje udhëheqjes së grupit Mujahedin-e Khalq që të bashkëpunojnë me përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për risistemimin jashtë irakut të të gjithë banorëve të kampit Hurriya.

Rreth 3 mijë pjesëtarë të grupit Mujahedeen-e-Khalq u zhvendosën vitin e kaluar nga shtëpitë e tyre në veri-lindje të Irakut për në ish bazën ushtarake amerikane të kthyer në kamp refugjatësh, në afërsi të Bagdatit.

Grupi Mujahedeen-e-Khalq është kundërshtar i regjimit klerikal iranian. Në të kaluarën ai ka kryer vrasje dhe shpërthime bombash në Iran, deri sa në vitin 2001 hoqi dorë nga dhuna.

Grupi Mujahedeen-e-Khalq luftoi përkrah forcave irakiane të Sadam Huseinit në luftën e vitit 1980 me Iranin. Disa mijëra prej tyre u strehuan më pas në Irak nga ish diktatori Sadam Husein.

Rregjimi i tanishëm shi’it i Irakut e konsideron këtë grup si një organizatë terroriste dhe dëshiron që anëtarët e tij të largohen nga Iraku.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG