Lidhje

Izraelitët, jo të interesuar për luftë me Iranin


Qeveria izraelite vazhdon retorikën e ashpër me kërcënime për ballafaqim ushtarak me Iranin

Ndërkohë që qeveria izraelite vazhdon t’i përmbahet retorikës së ashpër për ballafaqim ushtarak me Iranin, pak vëmendje u është kushtuar shqetësimeve që mund të zgjojë kjo situatë në popullatën izraelite.

Nëse Izraeli po përgatitet për konfrontim ushtarak me Iranin, këto tensione nuk janë të dukshme në rrugët e Jeruzalemit. Në një ditë të ngrohtë tetori, dyqanet në tregun ushqimor gumëzhijnë nga blerësit.

Në pjesën e vjetër të qytetit, pelegrinët e krishterë mbushin sheshin e lashtë, ku vizitojnë objektet e shenjta dhe falen qetësisht në Kishën e Varrit të Shenjtë. Ndërkaq turistët preferojnë vizitat në tregje dhe supermarkete.

Por toni i ashpër i qeverisë lidhur me programin bërthamor të Iranit vazhdon. Irani thotë se programi i tij ka synime paqësore. Por shumë udhëheqës izraelitë duken të bindur se Irani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore. Zëvendës Ministri i Jashtëm Danny Ayalon paralajmëron se Izraeli nuk do të qëndrojë duarkryq:

“Komuniteti ndërkombëtar ka arritur konsensus se regjimi iranian nuk do të mund të prodhojë armë bërthamore. Jo vetëm sepse kjo do të ishte kundër ligjit dhe kundër marrëveshjeve dhe angazhimeve ndërkombëtare në bazë të Traktatit të Mospërhapjes së Armëve, por sepse regjimi iranian është tepër i rrezikshëm”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi kohët e fundit zgjedhje të parakohëshme në fillim të vitit 2013 dhe identifikoi si përparësinë numër një, bllokimin e aftësive bërthamore të Iranit.

Në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë vit, ai foli për qëndrim të prerë ndaj Iranit.

Në zemër të Jeruzalemit, aktiviteti i përditshëm vazhdon. Izraelitët duken të patrazuar nga retorika dhe shqetësimet e qeverisë së tyre.

“Nuk kam frikë nga Irani. Nuk rri ta mendoj këtë problem përditë. E marr jetën si të vijë, le të ndodhë çfarë të ndodhë”, thotë një grua.

“Nuk mendoj se ndikon në jetën e përditshme. I lutemi Zotit që të mos ketë luftë”,thotë një i ri.

Ky popull me 8 milionë banorë mund të ndjehet një ditë para “kërcënimit ekzistencial” që dëgjojmë të përmendet nga qeveria kur i referohet Iranit, por për momentin nuk duket i shqetësuar.

Kirresh Radwan, arab izraelit, ka një zyrë të vogël këmbimi në një treg turistik. Ai e ka të qartë se çdo angazhim ushtarak mund të ishte shkatërrimtar për biznesin e tij dhe nuk mendon se kryeministri ka vërtetë në plan veprime të tilla:

“Është thjesht propagandë. Nuk mendoj se do të ketë luftë. Netanyahu i thotë këto gjëra, por nuk i ka seriozisht. I thotë për të influencuar izraelitët”.

“Mendoj se kemi një mirëkuptim të gjerë se jo vetëm që duhet të ndalet programi bërthamor i Iranit, por duhet të ndalet sa më parë”.

Popullata nuk duken e një mendjeje. Anketa të njëpasnjëshme kanë treguar se pjesa më e madhe e izraelitëve do të preferonin që Shtetet e Bashkuara të bombardonin objektet bërthamore të Iranit dhe vetë Izraeli të qëndronte jashtë luftës.

XS
SM
MD
LG