Lidhje

Bisedimet me Iranin, pa marrëveshje


Negociatorë iranianë dhe ndërkombëtarë kanë mbyllur tri ditë negociatash në Gjenevë pa arritur marrëveshje për të kufizuar programin bërthamor të Iranit dhe për të lehtësuar sanksionet ndërkombëtare. Një tjetër raund bisedimesh është planifikuar për 20 nëntor.

Në fillim takimet kishin formën e një diskutimi pune – një hap i ndërmjetëm në procesin e negociatave. Më pas Ministri i Jashtëm i Iranit parashikoi se të premten do të arrihej sukses dhe homologët e tij nga vendet e Grupit të Kontaktit të OKB-së shpejtuan të shkonin në Gjenevë. Ndër ta ishte Sekretari i Shtetit John Kerry, i cili po zhvillonte vizitë në Lindjen e Mesme.

Por bisedimet hasën në vështirësi në ditët e mëpasme. Marrëveshja që Ministri i Jashtëm iranian Mohamad Javad Zarif kishte parashikuar nuk u pranua nga Grupi i Kontaktit. Pas negociatave deri afër mesnatës të premten dhe pas mesnatës mbrëmë, Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton bëri njoftimin:

“Pas siç e dini, tri ditë diskutimesh intensive dhe konstruktive, përparim konkret dhe i konsiderueshëm është arritur, por ende mbeten mospajtime”.

Zonja Ashton tha se negociatorët do të mblidhen përsëri pas 10 ditësh në përpjekje për të arritur një marrëveshje.

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së dhe zyrtarët e tjerë nuk pranuan të flasin për pikat e mirëkuptimit, apo fërkimet në diskutime. Por më parë, Ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius tha se Grupi i Kontaktit nuk pranoi të lejonte që Irani të vazhdonte punën për një reaktor të ujit të rëndë në Arak, i cili do të kishte kapacitetin për të pasuruar plutonium, një përbërës kritik për prodhimin e bombës atomike. Ai tha se grupi kërkon nga Irani të reduktojë stoqet me uranium të pasuruar, një tjetër element përbërës i bombës atomike.

Irani thotë se nuk ka në plan të prodhojë armë bërthamore, por komuniteti ndërkombëtar shqetësohet sidomos pasi programi i Iranit është zhvilluar në fshehtësi të plotë, dhe pasi në të kaluarën Teherani ka shkelur marrëveshjet e mëparshme dhe ka ndërtuar objekte që ekspertët thonë se kapërcejnë kapacitetet e nevojshme për prodhimin e energjisë bërthamore dhe për qëllime shkencore.

Ministri Zarif tha se nuk ishte i zhgënjyer nga rezultati i bisedimeve. Këtë radhë kishte shpresa më të mëdha për sukses si rezultat i përmirësimit të klimës diplomatike, por zoti Zarif tha se kishte parashikuar mosmarrëveshje kur filloi diskutimi i hollësive:

“Ajo që prisja ishte vullneti politik dhe gatishmëria dhe dëshira e mirë për të mbyllur këtë fazë dhe për të filluar zbatimin. Nuk diskutohet se kemi mospajtime. Prandaj kemi ardhur këtu. Nëse do të kishim rënë dakord që më parë, nuk do të ishte e nevojshme të mblidheshim këtë radhë, apo të vazhdonim diskutimet deri në mesnatë”.

Ai tha se të gjithë ministrat kanë treguar vullnetin për të ecur përpara.

Sekretari i Shtetit John Kerry tha se ka pasur “përparim të konsiderueshëm” në këto bisedime dhe ai beson se një marrëveshje mund të arrihet brenda një periudhe disa javore. Ai tha se i kishte të qarta shqetësimet e Izraelit dhe të shumë anëtarëve të Kongresit dhe shtoi se do t’i diskutonte hollësitë e diskutimeve me ata:

“Jam i bindur se gjatë ditëve të ardhshme, përpjekjet e logjikshme që po bëjmë këtu dhe realiteti i arritjeve të deritanishme do të merren parasysh nga ata që janë të interesuar në këto zhvillime”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të provojnë të gjitha opsionet për të garantuar në mënyrë paqësore se Irani nuk do të shtjerë në dorë armë bërthamore, para kërcënimeve për masa ushtarake.

Pjesa më e madhe e diskutimeve duket se është përqëndruar në çështje teknike që lidhen me programin bërthamore të Iranit dhe analizën se cilat sanksione mund të lehtësohen. Por analisti Patrick Clawson i Institutit për Politikat e Lindjes së Afërt në Uashington, thotë se negociatorët duhet të mendojnë për oferta për palën tjetër në mënyrë që të mos zhbëhen arritjet e deritanishme:

“Është e rëndësishme të kemi një marrëveshje të strukturuar në një mënyrë që secila nga palët vazhdon të jetë e interesuar në zbatimin e marrëveshjes në çdo moment”.

Ende ka punë për të bërë, para se të zbatohen ndonjë marrëveshje. Negociatorët do t’u rikthehen diskutimeve pas 10 ditësh për të vazhduar punën.
XS
SM
MD
LG