Lidhje

Arrihet marrëveshje me Iranin


Negociatorët iranianë dhe ata ndërkombëtarë mbyllën sot gati një dekadë mospajtimesh lidhur me programin bërthamor të Iranit, duke arritur marrëveshje për hapat e parë në shkurtimin e këtij programi dhe në lehtësimin e sanksioneve ekonomike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Al Pessin njofton nga Gjeneva, ku marrëveshja u arrit pas katër ditësh negociatash maratonë të nivelit të lartë.

Ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve më të fuqishme të botës qëndruan krah për krah me homologun e tyre iranian dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian për të njoftuar marrëveshjen pas orës tre të mëngjesit, duke vazhduar me shtrëngime duarsh dhe përqafime. Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Barak Obama foli për rëndësinë e marrëveshjes.

"Diplomacia hapi një rrugë të re drejt një bote më të sigurt: një e ardhme në të cilën ne mund të verifikojmë që programi bërthamor i Iranit të jetë paqësor dhe që të mos të mund të ndërtojë një armë bërthamore."

Një mospajtim kyç që vonoi marrëveshjen ishte pretendimi i Iranit për të drejtën e pasurimit të uraniumit, për të cilën Shtetet e Bashkuara thonë se nuk ekziston për asnjë vend. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry i cili shkoi në Gjenevë të premten për të ndihmuar në arritjen e marrëveshjes, tha se ajo nuk parashikon një të drejtë të tillë.

"Ky hap i parë nuk thotë se Irani ka të drejtën e pasurimit të uraniumit. Pavarësisht interpretimeve që i janë bërë, kjo nuk përfshihet në këtë dokument."

Ministri i Jashtëm iranian Mohammed Javad Zarif foli me entuziazëm për të drejtën për pasurimin e uraniumit. Por fjalimi i tij tregoi se marrëveshja njeh programin e Iranit, por jo ndonjë të drejtë.

"Shumë herë, të paktën dy herë, ka qenë shumë i qartë pranimi i faktit se Irani do të ketë një program për pasurimin. Dhe ne besojmë se kjo është e drejta jonë. Ne po e ushtrojmë këtë të drejtë dhe kërkojmë vetëm respektimin e kësaj të drejte."

Sipas një përmbledhjeje të marrëveshjes, e dhënë nga Shtetet e Bashkuara, Irani do të duhet të ngrijë aspekte kyçe të programit të tij bërthamor me aplikime të mundshme ushtarake, të eliminojë stokun e uraniumit të pasururar në shkallë që i afrohet armëve dhe të lejojë inspektime të brendshme.

Për këtë, komuniteti ndërkombëtar do të lejojë lehtësime të sanksioneve që kapin vlerën e disa miliarda dollarëve, por duke mbajtur në zbatim sanksionet më të dëmshme për eksportet e naftës të Iranit dhe sistemin e tij bankar.

Por ekspertët thonë se me rëndësi tashmë mbetet zbatimi i marrëveshjes, veçanësisht ndërkohë që negociatorët do të punojnë për t’iu përmbajtur një afati prej gjashtë muajsh në arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë që do të garantonte se Irani nuk do të ndërtojë një bombë bërthamore dhe që do të mund t’i jepte fund të gjitha sanksioneve ndaj tij, diçka që diplomatët thonë se do të jetë edhe më e vështirë për t’u arritur sesa këta hapa të parë.
XS
SM
MD
LG