Lidhje

Regime ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin


Marrëveshja bërthamore e Iranit me fuqitë botërore ka ngjallur kritika të forta nga Izraeli dhe heshtje nga rivali i tij kryesor në Gjirin Persik, Arabia Saudite.

Sipas marrëveshjes së arritur në Gjenevë mëngjesin e sotëm, Irani duhet të kufizojë pasurimin e uraniumit dhe të pezullojë ndërtimin e reaktorit.

Izraeli dhe Arabia Saudite shqetësohen prej një kohe të gjatë se Irani i përdor këto veprimtari për të ndërtuar armë atomike, që do të mund të kërcënonte interesat e tyre. Irani thotë se programi i tij bërthamor është paqësor.

Në këmbim të kufizimeve të pranuara nga Irani, Shtetet e Bashkuara dhe pesë fuqitë e tjera botërore ranë dakord të lehtësojnë disa sanksione ndërkombëtare mbi ekonominë e Iranit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i tha kabinetit të tij qeveritar se marrëveshja e Gjenevës është një "gabim historik" që e bën botën "një vend shumë më të rrezikshëm." Izraeli dëshiron më shumë sanksione ndaj Iranit dhe çmontim të plotë të objekteve të tij bërthamore.
XS
SM
MD
LG