Lidhje

Negociatat SHBA – Iran


Është duke u zhvilluar raundi më i fundit i bisedimeve me Iranin ndërkohë që po afrohet me shpejtësi afati i 31 marsit për arritjen e një marrëveshjeje kuadër. Analistët e Lindjes së Mesme thonë se udhëheqësi suprem i Iranit, 75-vjeçari Ayatollah Ali Khamenei, është ai që do të thotë fjalën e fundit nëse do të pranohet një marrëveshje e mundshme bërthamore. Ai konsiderohet si autoriteti më i fuqishëm politik i republikës islamike.

Ayatollah Khamenei kontrollon levat e pushtetit në Iran.

Ai komandon forcat e armatosura, sistemin gjyqësor, televizionin dhe radion shtetërore.

Nuk ka asnjë dyshim se udhëheqësi suprem i ka gjërat nën kontroll.

Patrick Clawson është drejtor i studimeve në Institutin për Politikat e Lindjes së Mesme në Uashington.

“Ai është personi më i rëndësishëm në Republikën Islamike të Iranit dhe ka fjalën përfundimtare në lidhje me bisedimet bërthamore.”

Deri më tani, zoti Khamenei ka treguar mbështetje për negociatorët iranianë.

“E mbështes përparimin në këtë drejtim, dhe nëse arrihet një marrëveshje e mirë, unë do të isha dakort pasi besoj se populli iranian nuk do të kundërshtonte një marrëveshje që mbron dinjitetin, respektin dhe interesat e tij.”

Analistët thonë se shumica e publikut iranian mbështet një marrëveshje bërthamore, pasi sanksionet po e dëmtojnë ekonominë.

Tahereh Sadeghi është duke bërë pazar në tregun e Teheranit.

“Përpara se të fillonin sanksionet disa vite më parë, situata ishte shumë më e mirë. Tani çmimet janë dyfishuar, ose trefishuar.”

Analistët thonë se kjo po e shtyn Khamenein të miratojë një marrëveshje bërthamore.

Ali Alfoneh është studiues në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

“Irani është pranë kolapsit financiar dhe ka nevojë për fonde, për zbutje të sanksioneve që do të jenë pjesë e një marrëveshjeje bërthamore me Shtetet e Bashkuara.”

Ekspertët thonë se zoti Khamenei u bë udhëheqës suprem me pozita të dobëta dhe iu deshën vite të ndërtonte një marrëdhënie të ngushtë me Gardën Revolucionare.

“Ai është tashmë më tepër udhëheqës i Gardës Revolucionare se sa një klerik. Është Garda që shërben si baza e tij e natyrshme e pushtetit, dhe jo klerikët.”

Analistët thonë se janë anëtarët e Gardës Revolucionare që kërkojnë në mënyrë agresive prodhimin e armëve bërthamore, megjithëse qeveria insiston se programi ka qëllime paqësore.

Zoti Khamenei thotë se Irani ka nevojë të tregojë “fleksibilitet historik”.

“Ai është personi që po kërkon të arrihet konsensusi për programin bërthamor, dhe ai ka për të thënë fjalën e fundit nëse SHBA dhe Republika Islamike e Iranit do të arrijnë një marrëveshje”, thotë Ali Alfoneh.

Ka patur spekullim të gjerë në lidhje me shëndetin e zotit Khamenei.

Media shtetërore tregoi pamje të rralla të tij në spital pas një operacioni prostate shtatorin e kaluar.

Rishtazi, Asambleja e Ekspertëve të Iranit, grupi klerik që përzgjedh udhëheqësin suprem, ka zgjedhur një kryetar të ri.

Këshilli zgjodhi Mohammad Yazdi, një konservator i ashpër 83-vjeçar, dhe rrëzoi kandidaturën e ish-presidentit Akbar Hashemi Rafsanjani.

Zoti Khamenei nuk ka një pasardhës të përcaktuar, dhe analistët presin të ndodhë një luftë për pushtet përpara se të përzgjidhet një i tillë.

XS
SM
MD
LG