Lidhje

Bota përshëndet marrëveshjen me Iranin


Lajmi se fuqitë botërore dhe Irani arritën një marrëveshje historike, me synimin që Irani të mos ndërtojë armën bërthamore, u dënua nga Izraeli, por u përshëndet nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi marrëveshjen e arritur sot një gabim “me përmasa historike” dhe u zotua se do t’i shtojë përpjekjet që Republika Islamike të mos e sigurojë bombën atomike.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon i përgëzoi negociatorët për finaliazmin e marrëveshjes, përmes një deklarate.

"E mirëpres marrëveshjen historike që u arrit sot në Vienë dhe e përgëzoj grupin P5+1 dhe Iranin për arritjen e saj. Kjo është një dëshmi për vlerën e dialogut”, thotë zoti Ban në deklaratën e tij.

"Shpresoj dhe besoj se kjo marrëveshje do të çojë në një mirëkuptim më të madh reciprok dhe bashkëpunim për shumë sfida të tjera serioze të sigurisë në Lindjen e Mesme. Si e tillë, marrëveshja mund të shërbejë si një kontribut jetik për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon dhe përtej tij”, - thuhet në deklaratën e zotit Ban.

Në Rusi, Presidenti Vladimir Putin tha se me marrëveshjen bërthamore bota mund të marrë frymë me një ndjenjë lehtësimi dhe se vendeve negociuese ju desh të bënin zgjedhje të vështira për hir të stabilitetit dhe bashkëpunimit.

Bashkimi Evropian e përshëndeti marrëveshjen, duke thënë se ajo është një kapitull i ri shprese për botën.

XS
SM
MD
LG