Lidhje

Marrëveshja bërthamore me Iranin

  • Cindy Saine

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry mbrojti me forcë marrëveshjen ndërkombëtare për të frenuar programin bërthamor të Iranit, gjatë një seance dëgjimore në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit. Zoti Kerry u kritikua ashpër nga disa senatorë republikanë, të cilët i thanë se është mashtruar prej Iranit. Së bashku me Sekretarin Kerry ishin edhe dy nga arkitektët kryesorë të marrëveshjes, Sekretari i Energjisë, Ernest Moniz, dhe Sekretari i Thesarit, Jacob Lew.

Sekretarit të Shtetit John Kerrry iu bë një pritje e ngrohtë nga aktivistët e paqes në fillim të seancës dëgjimore. Por, marrëveshja me Iranin për arritjen e së cilës ai punoi kaq shumë, u sulmua pa vonesë, fillimisht prej Kryetarit të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, Bob Corker.

“Mendoj se ajo çfarë keni bërë me këto negociata, është se keni kodifikuar një trajektore shumë të qartë për Iranin që të përfitojë një armë bërthamore, thjesht duke zbatuar këtë marrëveshje.”

Zoti Kerry u përgjigj se pavarësisht nëse i pëlqen botës apo jo, tashmë Irani ka zhvilluar një program të sofistikuar bërthamor.

“Ata kanë zhvilluar aftësinë të prodhojnë lëndë bërthamore për një bombë, dhe këtë nuk mundemi ta mohojmë.”

Zoti Kerry tha se i vetmi opsion i mundshëm është vendosja e Iranit nën inspektime ndërkombëtare të fuqishme, siç parashikohet në marrëveshje.

Disa demokratë, si Ben Cardin, lavdëruan zotin Kerry se bashkoi fuqitë botërore për çështjen e Iranit:

“Në marrëveshjen përfundimtare, negociatorët tanë kanë arritur shumë.”

Por, shumica e republikanëve e kritikuan me forcë marrëveshjen, ndër ta edhe senatori Marco Rubio, kandidat për president:

“Regjimi iranian dhe e gjithë bota duhet ta dinë se shumica e anëtarëve të Kongresit nuk e mbështesin këtë marrëveshje, dhe se ajo mund të bjerë ditën që Presidenti Obama lë detyrën.”

Një tjetër senator republikan dhe kandidat presidencial, Ted Cruz, udhëhoqi një tubim kundër marrëveshjes, në një park përpara Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se Presidenti Obama kapitulloi përballë Iranit. Fjala e zotit Cruz u ndërpre nga protestues pro paqes.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, e quajti tubimin e vogël një demonstrim në favor të luftës.

Kongresi ka 60 ditë kohë për të shqyrtuar marrëveshjen me Iranin dhe mund ta miratojë ose rrëzojë atë në muajin shtator.

XS
SM
MD
LG