Lidhje

Kongresi shqyrton marrëveshjen me Iranin


Marrëveshja ndërkombëtare për programin bërthamor të Iranit do të fillojë të shqyrtohet që sot në ditën e parë të punës të Kongresit pas një mbylljeje një mujore.

Kongresi ka afat deri më 17 shtator që ta shqyrtojë marëveshjen, para se ajo të hidhet në votë. Ndërsa rezultati po bëhet përherë më i qartë, java e ardhshme ka për të qenë tepër interesante përsa i përket manovrave që do të bëhen dhe qëndrimit të ligjvënësve.

Çështja kryesore ka të bëjë me hapin e parë, në se Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati të dyja të kontrolluara nga republikanët, do të miratojnë një projektligj që e kundërshton marrëveshjen. Në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët kanë një shumicë të mjaftueshme për të mos e miratuar marrëveshjen. Por në Senat situata është më e komplikuar, ku republikanët kanë një shumicë më të vogël dhe rregullat e veçanta mund t’i japin demokratëve shansin që ta parandalojnë votimin. Që kjo të realizohet, 41 senatorë do të duhet të bien dakord që projekligji që e kundërshton marrëveshjen të mos votohet.

Deri tani, 38 senatorë: të gjithë demokratë dhe të pavarur, kanë thënë se do të votojnë kundër projektligjit, por kjo nuk do me thënë patjetër se ata do të ndihmonin në bllokimin e votimit.

Në se të dyja dhomat miratojnë masën për ta kundërshtuar marrëveshjen, hapat e ardhshëm janë më të qartë. Presidenti Barack Obama ka premtuar të përdorë të drejtën e vetos për ta hedhur poshtë projektligjin që kundërshton marrëveshjen.

Në kushtet kur 38 Senatorë kanë deklaruar publikisht mbështetje për marrëveshjen dhe disa të tjerë ende nuk e kanë bërë të qartë qëndrimin, Presidenti Obama ka mbështetje të mjaftueshme për ta bllokuar projektligjin kundër marrëveshjes me Iranin.

XS
SM
MD
LG