Lidhje

Vazhdojnë bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit


Diplomatët nga Irani dhe gjashtë fuqi botërore po vazhdojnë bisedimet rreth programit bërthamor të Iranit.

Një zyrtar i lartë iranian tha se Teherani mund ta lejojë agjencinë e OKB-së për armët bërthamore, të ketë të drejtë të bëjë inspektime më të gjëra në kuadër të përpjekjeve për të zgjidhur mosmarrëveshjet 10 vjeçare lidhur me programin bërthamor.

Në negociatat që po zhvillohen në Gjenevë marrin pjesë Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, Britania dhe Gjermania.

Një nga kërkesat kryesore të komunitetit ndërkombëtar është që Irani të pranojë një sistem gjithëpërfshirës verifikimi, me kontrolle të pa-paralajmëruara nga Agjencia e OKB-së për Energjinë Atomike, si dhe uljen e nivelit të pasurimit të uraniumit.

Hollësitë e propozimit të fundit iranian nuk janë bërë publike. Por agjencia shtetërore iraniane IRNA, citon zv/ministrin e Jashtëm Abbas Araqchi, të ketë thënë se, as inspektimet dhe as pasurimi i uraniumit, nuk bëjnë pjesë në propozimet fillestare iraniane, por do të jenë pjesë e hapave të fundit.

Ministri i Jashtëm i Iranit Mohhamad Javad Zarif tha se plani i Iranit prej tre fazash mund t’i japë zgjidhje brenda një viti mosmarrëveshjeve të vjetra rreth programit bërthamor dhe hapat e parë konkretë mund të shihen brenda një ose dy muajssh, ose edhe më shpejt.

Të dy palët vlerësuan ditën e parë të negociatave, ku ministri i Jashtëm iranian bëri të ditura aspektet teknike të një plani të ri që synon të sigurojë komunitetin ndërkombëtar se programi bërthamor ka natyrë paqësore. Në shkëmbim Irani kërkron lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG