Lidhje

Hyn në fuqi marrëveshja bërthamore me Iranin


Marrëveshja historike bërthamore mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara hyri të dielën në fuqi. Pas muajsh me negociata marrëveshja u arrit në muajin korrik. Tani mbetet puna e vështirë për zbatimin e saj. Në se Irani i përmbush kushtet e marrëveshjes, kjo do t’i hapte rrugën heqjes së sanskioneve ndaj tij. Marrëveshja hyn në fuqi një ditë pasi Teherani i hodhi poshtë akuzat amerikane dhe franceze se provat e kohëve të fundit me raketa me rreze të gjatë veprimi shkelin rezolutat e OKB-së.

Duke folur dje në Teheran, ministri i Jashtëm Mohammad Javad Zarif tha se "asnjëra nga raketat e Iranit nuk është projektuar për t’u pajisur me kapacitete bërthamore":

"Ne jemi të bindur se provat tona me raketa nuk shkelin Rezolutën 2231 të OKB-së, e cila përmend vetëm raketat që mund të mbajnë mbushje bërthamore. Por Irani nuk ka prodhuar ndonjë raketë për këtë qëllim. Pra, ne mund të themi se programi ynë i raketave ka për qëllim mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe nuk ka asnjë lidhje me rezolutat e OKB-së".

Komentet e zotit Zarif erdhën një ditë pasi ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Powers tha se raketat me rreze të mesme veprimi kanë "aftësinë për të bartur armë bërthamore".

Ajo shtoi se Uashingtoni do të përgjigjet me "masat e duhura" në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ambasadorja Powers i tha Zërit të Amerikës se pretendimet për shkelje nuk kanë të ngjarë të ndikojnë në zbatimin e marrëveshjes bërthamore të arritur në korrik mes Teheranit dhe gjashtë fuqive të mëdha.

XS
SM
MD
LG