Lidhje

Irani, fuqitë botërore do të takohen pas 3 javësh


Gjatë kësaj kohe, ekspertët bërthamorë dhe të sanksioneve do të punojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi këtë program

Irani dhe fuqitë botërore do të takohen përsëri pas tre javësh për të vazhduar ato që të dyja palët po i quajnë negociata “thelbësore” për të zgjidhur shqetësimet ndërkombëtare rreth programit bërthamor të Iranit.

Gjatë kësaj kohe, ekspertët bërthamorë dhe të sanksioneve do të punojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi këtë program që kanë zgjatur më shumë se një dekadë.

Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, Britania dhe Gjermania kërkojnë që Irani të vërtetojë se nuk po prodhon armë bërthamore, ndërsa Teherani kërkon lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare që synonin ta detyronin atë të ndalte aktivitetet e pasurimit të uraniumit.

Ministri i jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif tha dje, pas dy ditë bisedimesh në Gjenevë se shreson që negociatat do të shënojnë fillimin e një faze të re, të asaj që ai e quajti “krizë të panevojshme”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se bisedimet e Gjenevës tregojnë "një nivel serioziteti dhe përmbajtje që nuk e kemi parë më parë”. Por ai paralajmëroi kundër pritshmërisë së një “zgjidhjeje të shpejtë” në bisedimet bërthamore. Ai iu referua historisë së mosbesimit mes Teheranit dhe Perëndimit që e cilësoi si "shumë të thellë," dhe shtoi se analistët amerikanë do të studiojnë hollësitë e një propozimi privat Iranian për t’i dhënë fund ngërçit bërthamor.

XS
SM
MD
LG