Lidhje

Hassan Rouhani president i Iranit


Kleriku Hassan Rouhani u bë presidenti i shtatë i Iranit, duke pasuar Mahmoud Ahmadinejad si zyrtari më i lartë i zgjedhur i vendit.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, kryesoi një ceremoni sot duke i kaluar pushtetin presidentit të zgjedhur 64 vjeçar. Inaugurimi publik i presidentit do të kryhet nesër.

Zoti Rouhani, përveç studimeve fetare të cilat i nisi kur ishte adoleshent, ka studiuar edhe për drejtësi. Presidenti i ri ka mbajtur poste të rëndësishme politike në Iran për disa dekada me rradhë, përfshirë edhe atë të udhëheqësit të grupit kombëtar të negociatorëve për fuqinë bërthamore për një periudhë 15 vjeçare.

Në fjalimin e tij të parë si president, zoti Rouhani u zotua të punonte për heqjen e saksioneve të vendeve perëndimore kundër Iranit. Ai tha se qëllimi i atyre sanksioneve ishte të izolonin Iranin dhe ta shtynin drejt kaosit.

Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara i ka vënë sanksione Iranit, një përpjekje kjo për t’i ushtruar presion që të mbyllë programin e tij bërthamor. Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë shtuar masa të tjera.

Zoti Rouhani tha gjithashtu se kritikët dhe armiqtë e Iranit janë përpjekur ta mbajnë vendin në izolim të plotë, për të zgjeruar hendekun mes qeverisë dhe popullit. Megjithatë, shtoi ai, pjesëmarrja e lartë e publikut në zgjedhjet presidenciale të qershorit e prishi këtë komplot të dyshuar.

Klerikut 64 vjeçar do t’i duhet të ndeshet me probleme të mëdha, duke përfshirë një ekonomi në ulje, dhe opinionin kryesisht negativ të botës rreth programit bërthamor të vendit.

Presidenti i Iranit është kreu i qeverisë. Udhëheqësi suprem është shefi i shtetit dhe jep aprovimin e fundit për vendimet e rëndësishme politike.
XS
SM
MD
LG